Avushe Zhuka

Shpallja e pikëve për pranimet në shkollat larta do të përfundojë nga fundi i muajit gusht. Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën të ditur se pikët e pranimeve në shkollat e larta do të shpallen në fund të gushtit. “Ende nuk mund të flitet për një datë të saktë të publikimit të rezultateve me pikët që kanë fituar kandidatët për në universitet, por duke iu referuar eksperiencës së një viti më parë, shpallje e rezultateve të pranimeve në shkollat e larta do të bëhet pas një muaji”-shprehen burime nga MASH. Specialistë të kësaj ministrie tregojnë procedurën që do të ndiqet pas plotësimit të Formularit A2. Pas përfundimit të plotësimit të këtij formulari, do të bëhet mbledhja e tyre nga shkollat në drejtoritë e rretheve përkatëse dhe më pas të gjithë formularët do të çohen në APRIAL, ku do të bëhet mbledhja e pikëve nga specialistët. Ashtu si edhe një vit më parë, Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë do të realizojë përcaktimin e fituesve sipas parimit Meritë – Preferencë, sipas të cilit, parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe të provimeve të Maturës Shtetërore. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre. Kjo procedurë mund të zgjatë rreth 3 javë, pasi bëhet fjalë për të gjithë të rinjtë që kanë kandiduar për tu bërë pjesë e shkollave të larta. Listat paraprake të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do t’u dorëzohen Institucioneve publike të Arsimit të Lartë, sipas programeve përkatëse të studimit. Më pas do të bëhet afishimi i listave pranë fakulteteve. Pranimet Pranimet në shkollat e larta do të bëhen sipas kuotave të përcaktuara pak kohë më parë me vendim qeverie. Në të 11 programet e studimit në gjithë universitetet e vendit do të pranohen 23534 studentë të rinj. Numrin më të lartë të pranimeve për këtë vit ka Universiteti i Tiranës, i cili njëherësh rezulton të jetë edhe më i preferuari nga vetë nxënësit e shkollave të mesme. Megjithatë, në preferencat e të rinjve që duan të bëhen pjesë e universiteteve nuk mbeten pas Universiteti Politeknik dhe as Universiteti Bujqësor. Po ashtu, rritje të kuotave të pranimeve janë aprovuar edhe për universitetet e rretheve Shpallja e kuotave të pranimit për çdo degë në universitet, u jep mundësi maturantëve të bëjnë vetë llogaritë për shanset që do të kenë për tu bërë pjesë e shkollave të larta. Maturantët do të kenë kohë të bëjnë vet llogaritë para se të shpallet lista zyrtare e studentëve fitues në çdo universitet.

Afati

Maturantët kanë edhe dy ditë kohë për të plotësuar formularin A2, nga ku do të bëjnë përzgjedhjen e degëve ku ata do të studiojnë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se afati i fundit i dorëzimit të këtij formulari është data 2 gusht. Por për maturantët që u njohën disa javë më vonë se nxënësit e tjerë me notat e provimeve të lëndët me zgjedhje MASH ka vendosur të bëj lëshime duke e shtyrë afatin e dorëzimit të A2. Rregullorja e Maturës Shtetërore parashikon se maturantët kanë një afat kohor prej dy javësh për plotësimin dhe dorëzimin e formularëve. Maturantët përzgjedhin, dhjetë preferenca në formularin A2, ku janë të listuara më shumë se 225 programet që do të ofrojnë universitetet publike për vitin e ri akademik, e njëjta procedurë si vitin e kaluar. Kandidatët që do të respektojnë profilin e shkollës së mesme në përcaktimin e degëve mund të grumbullojnë më shumë pikë, sesa po të listojnë degë të profilit të kundërt. Sipas rregullores së provimit, përcaktohet se mundësia për të mbledhur më shumë pikë krijohet jo vetëm nga zgjedhja e programeve të afërta të studimit, por dhe nga lloji i koeficientit



boc

Formula e përllogaritjes së pikëve



Përllogaritja e pikëve për pranimet në universitet do të bëhet duke u bazuar në këtë formulë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë publike.



D1 është nota e shkallëzuar e provimit të parë të detyruar,Letërsi

D2 është nota e shkallëzuar e provimit të dytë të detyruar, Matematikë

Z1 është nota e shkallëzuar e provimit të parë me zgjedhje

Z2 është nota e shkallëzuar e provimit të dytë me zgjedhje

MES është nota mesatare e marrë nga Formulari A2

KSH është koeficienti i shkollës (i pari në treshen e koeficienteve në librin e transparencës)

KZ1, KZ2 janë koeficientet e lëndëve me zgjedhje(i dyti dhe i treti në treshen e koeficienteve në librin e transparencës)

KD1 dhe KD2 janë dy koeficiente të vendosur me Udhëzimin e Ministrit të Arsimit Nr. 12, datë 11.03.2008 për shkollat profesionale dhe social kulturore

%MAT është përqindja që zënë pikët e Maturës në programet e studimit me konkurse

PKNX janë pikët që ka fituar kandidati

PKMAX janë pikët maksimale që mund të merren në konkurrim

%KONK është përqindja që zë konkursi në Maturën Shtetërore.

KONK vendoset 1 kur llogariten pikët në programet e studimit me konkurs dhe 0 pa konkurs

ND qelizë ndihmëse ku vendoset 1 (nuk duhet ndryshuar)





Provimet e Maturës, maturantët në kaos për rezultatet



Përgjigjet e provimeve të maturës shtetërore janë vonuar për më shumë se dy javë në shumë shkolla të vendit, duke krijuar një situatë tensioni mes të rinjve që presin të mësojnë rezultatet dhe fatin e tyre në garën për në universitete. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se shkak i vonesës ka qenë fakti se në shumë raste ata kanë siguruar prova për kopjimin masiv të nxënësve. Provimet e maturës shtetërore nuk janë administruar mirë nga mësuesit në të paktën 20 shkolla, ku është konstatuar se një pjesë e madhe e maturantëve kanë kopjuar. “Në provime dyshohet për kopje dhe gjatë kontrollit janë verifikuar kopje. Pavarësisht se këto shkolla kanë mijëra nxënës, jo të gjithë dyshohen për kopje”, ka deklaruar Arben Fagu. Mësohet se nuk flitet për përpjekje individuale të nxënësve për të kopjuar, por për shpërndarjen e tezës në mënyrë të organizuar nga mësuesit që duhej të mbikëqyrnin provimin. Ekspertët kanë zbuluar se dhjetëra nxënës kanë dhënë në mënyrë rigoroze të njëjtën përgjigje. Për këtë arsye maturantët të cilët kanë kopjuar janë penalizuar, duke ia ulur pikët për pyetjen që kanë kopjuar, ndërsa për mësuesit do të ketë penalizime më të rënda. “Janë raste si Fieri, Elbasani e Pogradeci, ku më shumë përgjegjësi kanë mësuesit. Natyrisht në këto shkolla do të merren masa”, ka shtuar Fagu. Drejtori sqaron se ka ende disa dhjetëra maturantë për të cilët nuk është dhënë rezultati, pasi janë konstatuar probleme në sekretimin e testit dhe probleme të tjera teknike.







31 Korrik 2010