Prefekti i ri i Fierit, Robert Bitri


FIER- Prefekti i ri i Fierit, Robert Bitri, ka komentuar për herë të parë në lidhje me situatën në Këshillin e Qarkut. Sipas tij, të dyja mbledhjet e zhvilluara paralelisht nga të majtët dhe të djathtët në ambiente të ndryshme, janë të paligjshme dhe me anëtarë fiktivë. Ai pohoi se asnjëra prej aleancave nuk ka pasur kuorumin e nevojshëm për të zhvilluar mbledhje, duke dhënë edhe argumente në lidhje me numrin aktual të anëtarëve në këshill. Sipas tij, 9 këshilltarë, nga 96 që duhet të ketë qarku, janë të pezulluar dhe në procese gjyqësore. Prezenca e tyre në këshill është e paligjshme, dhe e tillë mbetet edhe përllogaritja e kartonëve të tyre. “Duke parë çështjen e koklavitur të Këshillit të Qarkut, ngërçin që është krijuar në mirëfunksionimin e këtij këshilli, më janë paraqitur në institucion emrat e këshilltarëve që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Qarkut, si në atë që është organizuar nga të djathtët, ashtu edhe nga të majtët. Sipas këshilltarëve të majtë, kanë marrë pjesë në këtë mbledhje 56 këshilltarë, ndërsa në mbledhjen tjetër më ka ardhur lista me 49 këshilltarë. Në të njëjtën kohë, më është paraqitur dorazi edhe një vendim i Gjykatës së Apelit Vlorë. Ajo që vë re është se sipas këtij vendimi gjyqësor, i bie që 4 këshilltarë të Këshillit të Bashkisë Patos duhet të ndërrohen. Por, në këndvështrimin ligjor, edhe tre këshilltarë të Këshillit të Bashkisë Fier dhe 2 këshilltarë të tjerë të Këshillit Bashkiak Divjakë janë të pezulluar. Sipas kësaj logjike, për mua ata këshilltarë janë të pavlefshëm”, u shpreh prefekti Bitri. Sipas sqarimit zyrtar të prefektit, kjo llogari matematikore sjell një numër të ulët këshilltarësh, çka do të thotë se të dyja mbledhjet, njëra e zhvilluar në ambientet e Bashkisë dhe tjetra në hotel “Fier”, konsiderohen të paligjshme. “Në këto kushte, numri i këshilltarëve të qarkut bie dhe shkon në shifrat e 91 këshilltarëve, nga 96 që duhet të jenë gjithsej. Kjo sjell një tjetër situatë për sa i përket numrit të kuorumit të nevojshëm për thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Qarkut. Nëse bëjmë një llogaritje matematike, i bie që njëra palë (e djathta) të ketë 45 këshilltarë dhe pala tjetër 46 këshilltarë. Pra, nuk kemi kuorumin e përcaktuar me ligj për mbledhjen e Këshillit të Qarkut”, u shpreh më tej prefekti Bitri.                    m.r