Specialistja Mimoza Petani shpjegon efektet dhe përdorimin e tyre


Me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe dimrit lëkura e njeriut pëson mjaft ndryshime. Temperaturat e ulëta janë shkaktari kryesor i problemeve të lëkurës së fytyrës dhe trupit në këto stinë, të cilat bëjnë që lëkura ta humbasë vitalitetin. Pikërisht për të evituar këto probleme rekomandohet përdorimi i vajrave kozmetik bimorë, të cilët jo vetëm e kthejnë lëkurën në normalitet, por e bëjnë atë edhe rezistente ndaj temperaturave të ulëta, duke i dhënë njëkohësisht edhe shkëlqim. Ndër problemet më të shpeshta që lëkura e fytyrës dhe trupit fillon të shfaq gjatë sezonit të dimrit janë, tharja, plasaritja, humbja e shkëlqimit, fiksim ose shtim të rrudhave për shkak se lëkura është e ngurtësuar nga i ftohti etj. Një trajtim tepër efikas për të luftuar tharjen e lëkurës në dimër është përdorimi i vajit të bajames, i cili është mjaft i pasur me vitaminë E, që lufton plakjen e parakohshme të saj.

Vajrat

Vajrat esencial bimorë kanë gjetur një përdorim të gjerë edhe në fushën e kozmetikës për trajtimin e të gjitha problemeve të lëkurës. Vajrat eterikë, të përftuar nga bimë të ndryshme janë të pasur me shumë lëndë ushqyese dhe kuruese dhe në sajë të përbërjes së tyre kanë specifikat e veta në veprim. Specialistja e mjekësisë bimore, Mimoza Petani shpjegon gjithçka për mënyrën se si duhet të përdoren vajrat, si dhe efektet që ata kanë. Përveç rëndësisë që kanë vajrat eterikë në organizmin e njeriut, ju do të njiheni edhe me mënyrën e përdorimit të tyre. Përveç trajtimit të problemeve të lëkurës së fytyrës, vajrat bimorë mund të përdoren edhe për lëkurën e trupit. Aromaterapia është njëra ndër fushat më të popullarizuara të mjekësisë tradicionale dhe është e pranishme në shumë kultura, së fundi edhe në vendin tonë. Dhjetë vitet e fundit, kur njeriu i është kthyer natyrës, ajo është riaktivizuar.

Aromaterapia

Aromaterapia është formë e mbajtjes së mirë fizike dhe psikike, zbut dhembjet, jep bukuri, etj. Aromaterapia i jep njeriut mundësi që në mënyrë të natyrshme të shfrytëzojë ekstraktet e bimëve. Për shembull, nëpërmjet masazhit me vajra të ndryshëm, ruhet baraspesha psiko-fizike, rritet sistemi i imunologjisë, trupi çlirohet nga ngarkesat si dhe qetësohet nga emocionet e tij. Sipas specialistes Mimoza Petani, aromaterapia mund të përdoret edhe për problemet e sëmundjeve të ndryshme, ku aplikohen vajra të ndryshëm që aplikohen për të zvogëluar dhe qetësuar simptomat e sëmundjeve. Kjo formë është forma më e vjetër e shërimit në historinë e njerëzimit. Këto vajra kurues bëhen edhe kombinime: për relaks, freski, tonifikim, shërim të plagëve, bukuri lëkure, hidratim, smaliatura etj. I pari që njihet, që është marrë me aromaterapinë, mendohet të jetë kimisti Rene Maurice. Gjatë një prove që ai ka dhënë, ka djegur dorën e tij dhe për të ndalur dhembjet ka urinuar në vajin e lavandës, e cila ndodhej më afër tij. Pas kësaj, ai ka hetuar se veprimi i lavandës ka filluar të ndikojë shpejt në mbylljen e djegies.

Vajrat esencialë

Vajrat esencialë mund të merren në dy lloj mënyrash: nëpërmjet kanaleve të frymëmarrjes dhe nëpërmjet lëkurës. Po kështu, këto vajra bimorë mund të përdoren dhe të përgatiten për masazhin, për kujdesin e fytyrës dhe trupit, për fërkim lokal, për kompresa, për hapjen e poreve etj. Vajrat esenciale më shumë përdorim kanë gjetur për hapjen e kanaleve të frymëmarrjes, për problemet e sistemit të tretjes, në rastet e mosfunksionimit të mirë të mëlçisë dhe tëmthit, në problemet reumatizmale, ku vajrat veprojnë në mënyrë të shkëlqyer. Gjithashtu, këta vajra kurues ndihmojnë për nxjerrjen e ujit nga qelizat (si diuretik), për probleme të lëkurës, në rëniet e sistemit imunitar. Bukuria dhe e veçanta e vajrave në të cilat bazohet aromaterapia është veprimi i tyre i shkëlqyer në të gjitha nivelet e qenies sonë, pasi ata nuk japin asnjë lloj efekti negativ. Këto lloj vajrash apo përzierjesh kthejnë harmoninë, vitalitetin dhe qetësinë shpirtërore.

Përbërësit

Përbërësit e vajrave që merren nga bimët nuk dallohen vetëm nga lloji, por edhe ku është mbjellë ajo bimë dhe karakteristika të tjera si: ku rritet bima, teknologjia që përdoret për nxjerrjen e vajit, izolimi i vajit, mënyra e përzierjeve në persona të ndryshëm, në lëkura të ndryshme, në metabolizmin e njerëzve të ndryshëm dhe te çdo njeri një vaj ka efekte të ndryshme biologjike. Është e rëndësishme që në këta vajra të kemi një garanci të plotë në teknologjinë e nxjerrjes së tyre duke u bazuar që në analizë të bimës, mbjelljes, mbrojtjes nga infeksionet, sëmundjeve të ndryshme dhe parazitët. Është mirë që bima të jetë biologjike. Gjithashtu, vajrat bimorë mund të përdoren edhe në përbërjen e kremrave të ndryshëm, të cilët përdoren për: probleme të artritit, artrozës, spondiolartrozës, në dhembje të përgjithshme të shtyllës kurrizore. Kështu për këto dhembje rekomandohet përdorimi i kremit “Leni” që është një kombinim i përsosur nga bimë të ndryshme si çajra ose përdorimi i kapsulave bimore që shërbejnë për këto dhembje. Edhe ilaçi bimor “Arnika” (që përdoret për trauma të ndryshme) nga ndjesia e freskisë që jep zëvendëson akullin, heq nxirjet nga goditjet, largon dhembjet etj.















Vaji i limonit

Një ndër vajrat esencialë që përdoret gjatë dimrit për trajtimin e problemeve të lëkurës, veçanërisht për rrudhat rreth syve është vaji i limonit. Aplikimi i këtij vaji në fytyrë është tepër i thjeshtë. Mjafton që të keni larë mirë duart para se të bëni këtë trajtim, dhe mbi mollëzat e gishtit tregues dhe atij të mesit të keni hedhur dy-tri pika nga ky vaj, të cilat duhet t’i përhapni me lehtësi rreth zonës së syve, nëse dëshironi mund ta shpërndani vajin edhe në të gjithë fytyrën. Ndërsa përsa i përket kohës së përdorimit, ky vaj rekomandohet të aplikohet në darkë para se të flini dhe ta mbani fytyrën gjatë gjithë natës me vajin e limonit, si dhe në mëngjes para se të dilni nga shtëpia. Pas larjes së fytyrës në mëngjes, mund ta lyeni atë me pak vaj limoni, pasi nuk përbën asnjë problem edhe për vendosjen e kremrave të ndryshëm sipër tij, madje i krijon mundësinë që ata të përhapen njëtrajtësisht dhe më lehtë. Përveç përdorimit kozmetik, vaji i limonit mund të përdoret dhe si aromatizues për gojën dhe mund të merret tri herë në ditë nga një pikë. Nëse përdoret para ngrënies, vaji i limonit është shumë i mirë për celulitin, për mykun. Si përdorues i jashtëm, vaji limonit ka efekte pozitive për forcimin e thonjve, jep hidratim dhe shkëlqim lëkure, heq rrudhat, njollat, puçrrat etj. Gjithashtu, ky vaj mund të përdoret edhe për masazh dhe freskim. Për këtë, ai duhet të shfrytëzohet pas lodhjes për ta përtërirë trupin. Ndërsa në rastet e reumatizmës, kur keni dhembje muskujsh, vaji i limonit përzihet me vajin e gështenjës për të qetësuar dhe larguar dhembjet. Pas masazhit, trupin e pushton një ndjenjë e mirë nxehtësie dhe relaksimi.

Vaji i portokallit

Vaji esencial i portokallit mund të përdoret me pika nga goja, duke e marrë tre ose katër herë në ditë nga një pikë për të larguar erërat e këqija nga goja, mund të largojë aromat e këqija të djersës duke u përdorur në vendet intime. Ky vaj, duke pasur Vitaminën C, jep ndjenjën e nxehtësisë duke u ndier mirë dhe i qetë. Portokalli është i pasur me Vitamina A, B, C, P, me kripëra kalciumi, fosfori etj. Lëngu i portokallit, i konsumuar me ose pa sheqer, ose me gaz karbonik, është freskues. Nga lëvozhga e portokallit del vaj eterik shumë i mirë, i cili gjen përdorime të shumta në prodhimin e pijeve, aromave, ilaçeve etj. Lëngu i portokallit ka veti diuretike dhe antiseptike (që ndalon kalbëzimin ose pengon zhvillimin e mikroorganizmave), përdoret me sukses në luftimin e sëmundjeve të veshkave edhe në rastet kur janë formuar gurë në to, në sëmundjet e mëlçisë dhe në ato të zemrës dhe të enëve të gjakut. Lëngu i portokallit, duke i shtuar pak sheqer, pëlqehet edhe nga fëmijët e vegjël dhe këshillohet të përdoret qysh në muajin e tretë pas lindjes. Portokallet përdoren me efekt të mirë në luftimin e anemisë, duke pasuruar gjakun me elemente të reja. Portokalli ka përmbajtje të lartë të Vitaminës C. Kjo vitaminë merr pjesë në shumë procese të shkëmbimit të lëndëve në organizëm. Lëvozhgat janë të pasura me elemente aktive dhe lëngu i fituar nga zierja e tyre përdoret edhe në rastet e çrregullimeve të stomakut dhe të zorrëve.

Vaji i avokados

Është tonifikues shumë i mirë dhe trupi ndihet i tonifikuar dhe i qetë, duke i dhënë atij një ngjyrë të bukur dhe të hidratuar. Vaji i avokados është shumë aktiv për të gjitha llojet e lëkurës. Ai rekomandohet të përdoret pas dushit, pas rrezeve të diellit ose solarit. Mund të bëhen përzierje të vajit të avokados, jojobës, si dhe vitaminës E, që merret nga vaji i bajames. Kjo lloj përzierjeje ushqen lëkurën e fytyrës dhe të trupit, ndihmon qarkullimin e gjakut, në mënyrë stimuluese ndikon në rritjen e indeve dhe qelizave duke rritur forcën e tyre, depërton thellë në shtresat e lëkurës duke e hidratuar atë në thellësi. Përmirëson rezistencën dhe vitalitetin e saj natyror. Ky vaj e mban lëkurën të re, elastike, të fortë dhe në të njëjtën kohë e bën atë të butë, të mëndafshtë dhe të shndritshme. Vaji i avokados ngadalëson procesin e plakjes dhe formimin e parakohshëm të rrudhave. Ky vaj përthithet lehtë nga lëkura, nuk lë në të shenja yndyre dhe nuk ngjitet pas trupit dhe rrobave. Ai gjithashtu mund të përdoret në fytyrë ose në qafë para kremit të natës, pastaj mund të vazhdohet edhe në të gjithë trupin. Për një lëkurë të mplakur shumë mund të këshillohet me Aloe vera xhel. Vaji i avokados depërton thellë në shtresat e lëkurës duke penguar tharjen e saj. Vaji i jojobës i kombinuar me vajin e avokados e bën lëkurën të butë dhe të lëmuar.

Vaji i farës së grurit

Vaji i nxjerrë nga farat e grurit është i pasur me vitaminë E dhe F. Ai rrit shtresën mbrojtëse të lëkurës dhe ruan lagështirën në të. Substancat ushqyese të këtij vaji ndihmojnë lëvizshmërinë e lëkurës në mënyrë stimuluese. Ky vaj e mbron, zbut dhe e ndihmon lëkurën të ruajë butësinë dhe elasticitetin. Në të njëjtën kohë, ai depërton thellë në lëkurë duke e ushqyer atë. Ky vaj është ideal për kujdesin e lëkurës së thatë ose dhe të zhubravitur, së cilës i dhuron bukuri dhe pamje të mëndafshtë duke e rikthyer sërish lëkurën në të lëmuar dhe elastike. Vaji i farës së grurit pengon procesin e plakjes, krijimin e parakohshëm të rrudhave, ndërsa ato ekzistueset bëhen më të buta dhe më pak të dukshme. Ky vaj mund të përzihet me atë të bajames duke e përdorur për fytyrën dhe trupin. Nxit qarkullimin e gjakut dhe forcon muskujt. Është shumë e këshillueshme që ky vaj të përdoret patjetër një javë para ekspozimit në diell ose si solar gjatë diellit dhe mbas tij.

Lecitina di soja

Përbërësit e tij kryesorë janë koloni dhe inozitoli, në formë të fosfatdilkolinës. Ky vaj rekomandohet të përdoret për mbajtjen në formë të lëkurës duke u marrë nga goja. Po kështu, edhe vaji i bajames ose i grurit mund të përdoren për pirje nga goja. Efektet e Lecitina di sojës janë vetëm nëpërmjet organizmit ashtu si edhe vaji i peshkut, domethënë janë të efektshëm vetëm nga marrja me gojë. I tillë është edhe vaji i enoterës, i cili për probleme të lëkurës duhet patjetër të merret nga goja. Lecitina di soja është e rëndësishme për absorbimin e vitaminave të shkrira në yndyra. Ai është shumë i domosdoshëm për personat në moshë mbi 40 vjeç, në sëmundjet e venave dhe zgjerimit të tyre. Ndërsa në rastet e osteoporozës Lecitina di soja aktivizon fosforin në organizëm, i cili është në përbërje të eshtrave. Me marrjen e Lecitina di sojës, organizmi furnizohet më shumë me oksigjen. Lecitina di soja rehabiliton qelizat e mëlçisë sidomos tek alkoolistët, përdoret për detoksikimin e qelizave të mëlçisë, forcon mukozën e qelizave nervore, shpejton metabolizmin e yndyrës, ndihmon në shkrirjen e yndyrës në personat mbi peshë dhe ka veprim antistres. Lecitina di soja vepron në mënyrë të shkëlqyer në personat që kanë prirje për t’u sëmurur nga kanceri. Mbron mukozën e amzës dhe gjinjtë nga problemet kanceroze. Ndërsa te personat që vuajnë nga arterioskleroza Lecitina di soja gjatë pirjes shpejton nxjerrjen e yndyrës jashtë dhe ul kolesterolin e tepërt. Ky vaj është i suksesshëm për t’u përdorur në të gjitha fazat e sëmundjes edhe pas shërimit, sidomos edhe në sëmundjen e anemisë.

Vaji i mentës

Vaji i mentës është një vaj esencial shumë i mirë për t’u përdorur pas depilimit. Ky vaj nuk lejon që të rritet qimja shpejt, jep freski, mbyll poren e hapur, e cila nuk lejon që qimja të depërtojë në lëkurë (qimja del drejt). Nëse përdoret për masazh në të gjithë trupin, vaji i mentës jep freski dhe kënaqësi. Ai gjithashtu ndihmon kanalet e frymëmarrjes, përdoret në rastet e ftohjeve, ndihmon në uljen e temperaturës, në bronkite dhe kollë, ku mund të masazhohet dhe vetëm pjesa e gjoksit. Vaji i mentës mund të përdoret për t’u pirë nga goja kur keni probleme me fytin, në erën e padurueshme të gojës, për kujdesie të dhëmbëve ose zgavrës së gojës ose mund ta përzieni me ujë për shpëlarje të gojës me gargarë. Ai është dhe një antimikrob shumë i mirë. Vaji i mentës është shumë i mirë të përdoret për fërkim kur keni probleme me venat, por ai mund të përdoret edhe për lyerjen e këmbëve për të larguar aromat e pakëndshme të djersës, sepse mban gjatë gjithë kohës këmbën të freskët.





Vajrat bimorë kozmetik që përdoren për trajtimin e fytyrës



Vaji kozmetik avokados përdoret si tonifikues për fytyrat e lëshuara



Vaji kozmetik i kalendulës përdoret si eudermik për fytyrat e lodhura dhe të lëshuara dhe të plakura



Vaji kozmetik i karotës është një mbrojtës shumë i mirë i lëkurës dhe i jep asaj një rivitalitet



Vaji kozmetik i kamomilit përdoret për lëkurat e ndjeshme dhe të acaruara të cilat preken lehtë nga ndryshimet klimaterike dhe produktet e forta kozmetike



Vaji kozmetik i ederës është një kurë shumë e mirë gjatë kohës që mbani dietë për të kuruar çarjet e lëkurës dhe celulitin



Vaji kozmetik fieno greco përdoret në momentet kur lëkura ka nevojë për lëndë ushqyese, pasi ky vaj është i pasur me shumë lëndë të tilla dhe i jep fytyrës vitalitet dhe bukuri



Vaji kozmetik i rrënjës së grurit është një hidratues i pasur me lëndë ushqyese sidomos me vitaminë E dhe përdoret për lëkurat e plakura para kohe, për ato të rrudhosura dhe me njolla



Vaji kozmetik iperico përdoret për lëkurat e acaruara, plasaritura dhe të skuqura aksidentalisht ose nga rrezet e diellit



Vaji kozmetik jojoba është një mbrojtës dhe rigjenuerues i mirë për lëkurat e plakura dhe pa tone



Vaji kozmetik i limonit largon rrudhat dhe lodhjen nga rrathët e syve



Vaji kozmetik i bajames i pasur me vitaminë E përdoret për t’i dhënë gjallëri fytyrës, lëkurës së trupit nëse është e acaruar, për çarjet e gjoksit dhe si maskë për flokët e dëmtuar



Vaji kozmetik querica marina përdoret për masazh në të gjithë turpin kundër celulitit



Vaji kozmetik i recinës përdoret për të riparuar flokët e dëmtuar dhe pa shkëlqim







17 Tetor 2009