Përplasje mes ligjit “Për Falimentimin” dhe ligjit “Për procedurat tatimore”. Ekspertët ligjorë dhe biznesi dalin kundër. Ja procedurat e mbylljes së biznesit


Nëse falimenton nga halli, shteti nuk të krijon asnjë mundësi që të ristrukturosh aktivitetin tënd apo të të ofrojë ndihmë, siç po ndodh gjatë kohëve të fundit me kompanitë e shumta që po përjetojnë momentet e krizës financiare. Problemi më i madh qëndron te legjislacioni në fuqi, dhe konkretisht te ligji “Për falimentin”, për të cilin ekspertët parashikuan se do të ketë probleme gjatë zbatimit të tij. Me këtë fenomen normal të tregut merret edhe Ligji Nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe udhëzimi përkatës i ministrit së Financave. Por, kuadri ligjor e vështirëson procesin.

Të falimentosh në biznes është një tmerr i vërtetë, ashtu siç u konstatua edhe në raportin e përvitshëm “Doing Business”, ku vendi ynë renditej në vendin e fundit në botë për mbylljen e një aktiviteti biznesi.

Falimenti, mision i pamundur

Tashmë që kanë nisur procedurat e mbylljes së 24 bizneseve në vend, po testohet realisht legjislacioni në fuqi në këtë fushë. Deri sot nuk kemi dëgjuar biznese që falimentojnë ligjërisht në vend, por as administratën tatimore t’i ketë shkundur rrallë herë dosjet e firmave të fjetura, të cilave u ka regjistruar detyrimet tatimore, ndonëse nuk kishin aktivitet. Problemi doli sheshit në momentin kur nisi punën Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve, e cila nxjerr automatikisht nga sistemi bizneset që rrinë në status pasiv. Ligji i vitit të kaluar “Për procedurat tatimore” dhe përkatësisht Neni 4 i tij, i hapën rrugën shkundjes së dosjeve të vjetra në tatime dhe firmave fantazmë apo borxhlije. Por, ekspertët e legjislacionit ngrenë pretendimin se ky ndryshim në ligj u bë kundër çdo parimi falimentues dhe se në ligj nuk sanksionohej e drejta “për të shpëtuar”, pra për të ristrukturuar biznesin, kur ky i fundit konsiderohet i falimentuar. Një handikap ky që do t’i kushtojë shtrenjtë biznesit në një kohë krize financiare, por edhe për faktin se mbi të vazhdojnë të vilen detyrime edhe në gjendje pasive. Kjo ka bërë që ekspertët e çështjeve ligjore, por edhe komuniteti i biznesit, të dalin kundër për mënyrën se si po zbatohet ligji.

Kush falimenton

Para pak ditësh, Ministria e Financave doli me një deklaratë, duke u shprehur se do të ndjekë të gjitha procedurat për dërgimin në gjykatë të firmave të falimentuara. Sipas njoftimit zyrtar, procedurat e falimentimit nisin si një kërkesë e ligjit që zbatohet për: të gjitha subjektet, të cilat kanë kaluar në statusin pasiv te Qendra Kombëtare e Regjistrimit për një periudhë prej dy vjetësh; për ato subjekte tregtare, detyrimi tatimor i të cilave është deklaruar i pambledhshëm, pasi janë përfunduar të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji tatimor procedural; për të gjitha subjektet, të cilat nuk kanë kryer veprimtari tregtare, apo nuk kanë shlyer detyrimet ndaj administratës tatimore për një periudhë prej të paktën dy vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit “Për procedurat tatimore”; për të gjitha subjektet që kanë deklaruar rezultat me humbje të kapitaleve të veta për periudha prej të paktën tre vitesh rresht. Autoritetet e Ministrisë së Financave sqarojnë se biznesi ka moskuptimi të drejtë të ligjit.

Kundërshtimet

Deri tani nuk ka nisur realisht një proces gjyqësor për procedurë falimenti, pasi Ministria e Financave sapo ka dërguar dosjet e para. Përdorimi i Nenit 104 të ligjit “Për procedurat tatimore” duhet të jetë i bazuar dhe i parë në kuptimin edhe të legjislacionit të veçantë për falimentimin, i cili kërkon si kusht gjendjen e paaftësisë paguese. Një gjë e tillë duhet të ishte realizuar nga ligjvënësit gjatë miratimit të ligjit “Për procedurat tatimore”, megjithatë, në këtë fazë kjo mund të bëhet nga organet tatimore dhe nga gjykata, në mënyrë që një procedurë falimentimi të përdoret dhe të sjellë përfitimet e pritshme për vetë kompanitë në fjalë dhe për tregun shqiptar ku ato operojnë.

Lidhur me çështjen se nëse falimentimi duhet të shikohet si një mundësi për ristrukturimin e kompanive, kjo praktikë nuk ndodh në vendin tonë, siç e kanë të gjitha shtetet me ekonomi të zhvilluar dhe legjislacion bashkëkohor.

Sipas juristëve, ndryshimet e bëra në ligjin “Për falimentimin” shkojnë ndesh me parimet ndërkombëtare të ligjit të falimentit, i cili u njeh subjekteve të drejtën për të mbrojtur pjesët më të mira të kapitalit të investuar dhe të mbulojë humbjet nëpërmjet kësaj veprimtarie. Ata thonë se në ligjet e vendeve të zhvilluara, ligji i falimentimit parashikon të drejtën që pjesët joeficiente të një sipërmarrjeje mund të ristrukturohen, ndërsa ndryshimet në ligj nuk e reflektojnë një veprim të tillë. Sipas tyre, ligji për falimentimin duhet të ketë si qëllim t’i krijojë mundësi subjektit të falimentuar të sistemojë, në bashkëpunim me kreditorët, likuidimin e detyrimeve. Pra, në vetvete, ligji duhet të ketë si synim të organizojë kreditorët në qoftë se subjekti shpallet i falimentuar apo mund të shpallet i tillë. Ligji parashikon aplikimin e një procedure të shpejtë falimentimi. Biznesi është ankuar vazhdimisht për arbitraritet në sjelljen e treguar nga administrata tatimore. Madje, me listën e gjatë të kompanive të “këqija” apo me borxhe janë bërë lloj-lloj eksperimentesh. Më i fundit ishte urdhri i Ministrisë së Financave për mospagimin e TVSH-së për të gjitha firmat që nuk kanë shlyer detyrimet fiskale.

Ligji “Për falimentimin” është ndryshuar për shkak të nevojave të tregut dhe kërkesave që shtron Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me BE-në. Por, edhe raporti vjetor i Brukselit e ka listuar ndër pikat më të kritikueshme të Shqipërisë moszbatimin e kësaj pakete ligjore nga qeveria.





Hapat gjyqësorë deri në mbylljen e biznesit



Nëse shkon për gjykim një procedurë falimenti, gjykata e shkallës së parë e shqyrton dhe duhet të dalë me një vendim brenda 30 ditëve. Në rast se ky vendim apelohet, Gjykata e Apelit ka 30 ditë kohë për ta shqyrtuar që nga paraqitja e animimit.

Pasuria e falimentuar menaxhohet nga një administrator i vetëm, që me vendim të gjykatës përcaktohet nga lista e Ministrisë së Financave dhe ajo e Drejtësisë. Në ndryshimet në ligj parashikohet edhe ulja e afateve për të gjitha procedurat nga 3 në 2 vjet edhe për publikimin e kompanive me probleme në një faqe interneti.





“Doing Business”: Falimentimi, Shqipëria listohet e fundit në botë



Raporti vjetor i agjencisë së Bankës Botërore, “Doing Business” e ka listuar vendin tonë në vendin e 183-të përsa u përket procedurave të mbylljes së biznesit. Nga verifikimet e bëra prej ekspertëve janë konstatuar probleme të mëdha në zbatimin e ligjit në lidhje me këtë pikë, si dhe vakuum ligjor. Në këtë mënyrë, vendi ynë shënon rekordin më të keq në treguesit e të bërit biznes. Në renditjen totale Shqipëria u listua në vendin e 82-të mes 183 ekonomive të botës, duke shënuar një përmirësim me 5 shkallë krahasuar me vitin e kaluar.



"Trading Safely": Shqipëria me risk të madh për falimentin



Qendra e studimeve ekonomike ndërkombëtare "Trading Safely", e radhit Shqipërinë në grupin D, i cili përfshin vendet që kanë një rrezik të madh në situatën politiko-ekonomike dhe se risku për falimentimin e bizneseve dhe korporatave është mjaft i madh. Grupi D e bashkon Shqipërinë me ekonominë e shumë vendeve të tjera në zhvillim, siç janë Kamboxhia, Nigeria, Uzbekistani, Nepali etj. Vendet që përfshihen në këtë grup kanë një klimë biznesi mjaft të vështirë. Borxhet e grumbulluara bëhen të paparashikueshme nga vetë përmbajtja që ka sistemi ligjor, por probleme jo të pakta dhe dobësi të theksuara shfaqen edhe te sistemi institucional.



LIGJI PËR FALIMENTIMIN



Neni 104 i ligjit “Për procedurat tatimore”



“1. Administrata tatimore kërkon në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit për tatimpaguesit, shoqëri tregtare:

a) 2 vjet pas kalimit në statusin pasiv nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit;

b) detyrimi tatimor i të cilëve është deklaruar i pambledhshëm;

c) që deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht;

ç) nuk kanë kryer veprimtari tregtare për një periudhë prej të paktën 2 vitesh nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji;

d) kanë detyrime të pashlyera ndaj administratës tatimore prej të paktën 2 vitesh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”.









13 Shtator 2009