Laureta Rryçi



Met Bozi, një nga të pandehurit e masakrës së Cërrikut që u vendos në shënjestër nga gardisti i plagosur, rrëzoi dje dëshminë duke dhënë një tjetër version mbi ngjarjen. Nëpërmjet deklarimeve të kërkuara prej tij, në këtë moment të procesit Bozi tregoi se jo vetëm nuk ishte pjesë e bandave që shkaktuan masakrën, por ka dhënë ndihmën e tij ndaj gardistëve të plagosur apo atyre që ishin të vrarë. Dëshmia që fundosi të pandehurin Bozi u dha një seancë më parë nga ish-gardisti Petrit Gjoka, i plagosur në masakrën e Cërrikut më 23 maj 1997. Gjatë seancës së djeshme pritej të dëshmonin dëshmitarë të tjerë të thirrur nga Akuza, mirëpo askush prej tyre nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Për këtë arsye, pas deklarimeve të Bozit, kolegji penal vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore për të martën e ardhshme për t’u dëgjuar të njëjtët dëshmitarë.

Deklarimi

Bozi deklaroi dje se nuk ka kërcënuar njeri ditën e masakrës së Cërrikut. Faktin se është gjendur atë ditë pranë vendit të ngjarjes ai e cilësoi të rastësishëm. “Unë kam qenë atë ditë afër elektrikut që ndodhet pranë shtëpisë së Yqmet Bogollit, pasi më kishte kërkuar ndihmë Sopot Curri, që i kishin hedhur një granatë në shtëpi. Mora në telefon policinë e Elbasanit dhe ajo nuk doli. Gjeta një numër telefoni të Prefekturës. Kërkuam ndihmë për të hequr granatën”, - tha Bozi. Më tej ai shpjegoi se nga Prefektura e Elbasanit ishin interesuar çfarë po ndodhte në Cërrik. I pandehuri tha se ishte tepër i interesuar për ta shpjeguar situatën, duke u thënë se në Cërrik kishte hyrë policia dhe po ndeshej me qytetarët. “Unë lashë telefonin dhe dëgjova se Yqmet Bogolli me gruan e tij, Fiqireten, po bërtitnin se i kishte marrë policia djalin dhe do ta vrisnin. Në atë moment mora vesh se në shtëpinë e tyre ishin dy të plagosur. Burri i saj rrinte te dera dhe nuk linte njeri të futej brenda”, - vazhdoi deklarimet Bozi. Por, megjithëse burri i familjes nuk i ka lënë të futej brenda, Bozi është interesuar për shëndetin e të plagosurve. Ai tha se ka vajtur sërish te elektriku dhe ka marr në telefon Spitalin e Elbasanit. I ka dalë në telefon një mjek me emrin Spiro Doko, të cilit i ka kërkuar një infermiere dhe autoambulancë. “U riktheva te shtëpia e Yqmet Bogollit për të parë nëse kishte ardhur infermieria. Ne nuk mund të futeshim brenda po të mos donte burri i shtëpisë. Ata ishin shumë të njohur në Cërrik edhe nga djemtë e tyre. U futa brenda në një dhomë shumë të vogël, dy me dy. Te dera pashë se ishin shumë njerëz dhe ishte tepër e vështirë të shihje brenda”, - tha Bozi. Ai vazhdoi rrëfimin e tij duke shtuar se në atë dhomë ka parë një burrë me një kamera dhe shtetasin Besim Dybeli që pyeste të plagosurit. Nuk e mbante mend mirë, por tha se ai me kamera mund ta kishte emrin Malo ose Bajram. Nuk ka dëgjuar asgjë se çfarë pyetjesh janë bërë në drejtim të dy të plagosurve. Ndërsa dëgjonte dhe shihte të plagosurit, ai merrte informacione edhe për gardistët e djegur. “Në atë kohë mora informacionin se në shesh janë disa gardistë të djegur. Unë u nisa për te motra dhe afër autoblindës pashë Sul Tafën dhe një tjetër me mustaqe që po nxirrnin kufomat nga autoblinda. Burri me mustaqe ishte mbi autoblindë, nxirrte trupat dhe na i jepte mua e Sulës. I nxorëm dhe pastaj vajta te kinemaja, tërhoqa një perde për t’i mbuluar. Sul Tafa iku në shtëpi, ndërsa unë çova një fëmijë për të lajmëruar autoambulancën për të marrë kufomat. Kufomat qëndruan aty deri pasdite vonë. Kur erdhi autoambulanca mua më thirri shoferi se e njoh. E ndihmova për të hipur kufomat dhe për t’i çuar në morg”, - tha Bozi.

Mohimi

Në deklarimet e djeshme Bozi mohoi të ketë qenë nënkryetar i Partisë Socialiste. Bozi tregoi se ka takuar një djalë me emrin Foksi, të cilin e kishte marrë policia dhe me të është interesuar për të plagosurit. Bozi pohoi se Luan Prengën, të plagosurin e dytë, veç Petrit Gjokës, e ka përcjellë, madje e ka pyetur nëse kishte apo jo lekë me vete. Por, ndërsa e ka pyetur për para, Bozi është shqetësuar më tej dhe i ka thanë Foksit se donte ta përcillte deri në Papërr, pasi njihte shumë persona nga ky vend dhe nuk do të kishin probleme. Por Foksi nuk e ka lënë të shkonte me të. Dëshminë e dhënë nga Petrit Gjoka, Met Bozi e cilësoi të manipuluar tërësisht nga prokurori Anton Martini. Sipas tij, në deklarimet e bëra në vitet 1997 dhe 2007, Petrit Gjoka nuk ia ka përmendur emrin. Në fund ai kërkoi që të pyeteshin, për të sqaruar këtë situatë, dy nuset e familjes Bogolli, burrin dhe gruan e kësaj shtëpie.

Procesi

Gjyqi ndaj bandës së Cërrikut ka në cilësinë e të pandehurit Llazar Bicjen, Meti Bozin, Arjan Toskën, Roland Sotën, Alban Toskën, Skënder Canin, Tomorr Buzanin, Bujar Buzanin dhe Entel Gashin. Ata akuzohen si autorë të masakrës së Cërrikut, ngjarje kjo e ndodhur më 23 mars të vitit 1997, ku mbetën të vrarë me armë zjarri gjashtë punonjës të Gardës së Republikës, si dhe u plagosën nëntë punonjës të Policisë së Shtetit. Mungesa e avokatëve mbrojtës ka qenë një ndër shkaqet e zvarritjes së këtij procesi, i cili ende nuk po përfundon, megjithëse të pandehurit janë arrestuar tre vjet më parë.



boc

Dëshmia e gardistit: “Met Bozi me radio policie”

“Më morën zvarrë dhe më çuan në një familje. Gruaja e familjes ku më futën bërtiste: ‘Unë nuk i lëshoj këta të dy nëse nuk më kthejnë vëllanë’. Më duket se djali që ne shoqëruam kur u futëm në Cërrik ishte vëllai i kësaj gruaje. Por, të them të drejtën, ajo më hapi divanin, shtroi çarçafë dhe më solli jastëk. Aty isha unë dhe Luan Prenga, dy pengjet e kapur nga grupi pasi u plagosëm. Emrin e të zotit të shtëpisë ku na futën nuk e mora vesh asnjëherë. Ata në thanë mos kini problem. Aty ishin dy burra dhe 4-5 gra. Ndërkohë që në dritare rrinin të gjithë të armatosurit duke kërkuar të na vrisnin. Filluan të na shajnë nga familja. Fjalët më të rënda dhe banalet që ekzistojnë. Mbaj mend një trup të shkurtër dhe me një rrip në kokë e një dorë të fashuar. Ai këmbëngulte gjatë gjithë kohës dhe thoshte se do të na vriste që të dyve. Por, të zotët e shtëpisë nuk i lanë të futeshin brenda. Erdhi një burrë i shkurtër, me flokë të shkurtër, pothuaj tullac. Ai filloi të na pyeste. Më tha çfarë pune bëja dhe i thashë që jam polic. Më pas më pyeti përse kisha ardhur dhe i thashë që kam ardhur për bukën e gojës. Me mua nuk u morën shumë në pyetje pasi isha në gjendje të rëndë, por më shumë pyetën Luanin që kishte marrë predha nga këmbët. E pyetën se ku punonte dhe ai i tha: ‘Jam kapter magazinier në Gardë’. Burri tullac i tha: ‘Si ore kapter! Ç’deshe këtu ti?’. Më pas i ka gjuajtur me qyt automatiku. Luani ra nga karrigia. Personi që bënte pyetje kishte në dorë radio policie. Kjo radio ishte e Arjan Cengës, shefit të vrarë. Personi në fjalë është Met Bozi dhe unë fytyrën e tij nuk e harroj asnjëherë. Me radion në dorë ai kontrollonte gjithë lëvizjet e policisë. Në këtë moment kaluan dy helikopterë të NATO-s. Ata thanë: ‘Na rrethuan. Hajde të largohemi’”.





12 Maj 2010