Statistikat
KESH përjetoi periudhën më të mirë prodhuese që nga viti 2006

Reshjet e bollshme dhe lehtësia në menaxhimin e krijuar nga importet e konsiderueshme i mundësuan Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare të prodhojë 5.2 miliardë kilovat/orë energji elektrike vitin e kaluar, bëhet e ditur nga raporti vjetor i Entit Rregullator të Energjisë, që u dorëzua në Kuvend pak ditë më parë. Prodhimi është rritur me 35 për qind kundrejt vitit 2008, kur ishte 3.8 miliardë kWh. Shkaku i rritjes së prodhimit të energjisë ishte rritja e sasisë së ujit të disponueshme. Në vitin 2009, KESH pati në dispozicion 6 miliardë metër kub ujë nga 4.12 miliardë që kishte në vitin 2008. Prodhimi në vend mbuloi 80 për qind të konsumit vitin e kaluar, ndërsa një vit më parë, prodhimi pati mbuluar vetëm 58 për qind të konsumit. ERE, i cili është edhe institucioni mbikëqyrës në tregun e energjisë, thotë se eficienca e përdorimit të ujit nëpër lumenj është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, por KESH ka ende hapësirë teknike për ta rritur edhe më tej eficiencën.


Niveli i konsumit të energjisë elektrike gjatë natës në Shqipëri është shumë i ulët dhe ERE sugjeron që operatorët e tregut të fillojnë praktikën e importeve gjatë natës dhe eksporteve gjatë ditës. “është e rëndësishme të theksojmë se ‘gropa’ e madhe e ngarkesës në orët e natës krijon një mundësi të shkëlqyer për KESH-in për të kryer transaksione financiare fitimprurëse nëpërmjet shitblerjes së energjisë elektrike në bursën rajonale të energjisë”, thotë raporti.


“Blerja natën e energjisë elektrike me çmim të ulët dhe akumulimi i ujit gjatë orëve të natës për ta përdorur ditën në orët e pikut, për të prodhuar energji dhe për ta shitur në bursë me çmimet e pikut, përfaqëson një transaksion fitimprurës që rrit eficiencën e burimeve tona gjeneruese”, deklaron ERE, e cila shton se për të zbatuar një praktikë të tillë nevojiten ndryshime ligjore, si dhe krijimi i një strukture me njerëz të përgatitur nga pikëpamja profesionale.


Tregti me energjinë

Shumica dërrmuese e energjisë elektrike në botë prodhohet me termocentrale, gjë që e bën të vështirë ose të pamundur konservimin. çmimi i energjisë që shitet në bursë për t’u konsumuar në orët e natës është pesë herë më i ulët se çmimi i shitjes gjatë orëve të pikut. Termocentralet hyjnë në punë për periudha shumë të gjata dhe nuk mund të fiken gjatë natës, pra prodhojnë energji më shumë se sa kërkesa e rrjedhimisht çmimi ulet. Hidrocentralet, ndryshe nga termocentralet, fiken dhe ndizen me shpejtësi të madhe. Sugjerimi i ERE-s është që Shqipëria të konsumojë gjatë natës energji të importuar, e cila kushton lirë, ndërkohë që mund ta eksportojë gjatë ditës energjinë e prodhuar në hidrocentrale me çmim deri në pesë herë më të lartë nga ai i energjisë së importuar gjatë natës. Teorikisht një politikë e tillë tregtare i lejon vendit të dalë me fitime të konsiderueshme nga hidrocentralet në Veri me kursime që mund të arrijnë në dhjetëra milionë euro në vit. Shqipëria ka shumë hapësira për të rritur efikasitetin e përdorimit të hidrocentraleve në Drin, por deri tani nuk ka punuar shumë.








#