Ministria e Arsimit dhe Shkencës përcakton tarifat e provimit të shtetit për profesionet e rregulluara. Në rregulloren që ky institucion ka nxjerrë pak kohë më parë përcaktohet se kandidati ka të drejtë ta japë provimin e shtetit 5 herë. Studentët e diplomuar në degët Mjekësi, Farmaci, Infermieri, Fizioterapi, Veterineri, Arkitekturë, Inxhinieri, Juridik ose në ndonjë program tjetër studimi që njihet si profesion i rregulluar me ligj, duhet të paguajnë tarifa nga 30 mijë deri në 120 mijë lekë për të dhënë provimin e shtetit. Tarifat për provimin e shtetit, për kandidatin që jep provimin për herë të parë, është 30 mijë lekë, ndërsa kur provimi jepet për herë të dytë, tarifa rritet me 20 mijë lekë, duke shkuar në 50 mijë lekë. Për kandidatët që u janë nënshtruar dy herë provimeve dhe nuk kanë mundur të kalojnë, tarifa për t’u futur për herë të tretë në provimin e shtetit shkon në 80 mijë lekë. Jo pak, por plot 100 mijë lekë duhet të paguajë një kandidat që futet në provim për herë të katërt. Për herë të pestë, personi që do t’i nënshtrohet provimit të shtetit, përcaktuar nga Ministria e Arsimit, duhet të paguajë tarifën prej 120 mijë lekë.



Regjistrimi



Rregullorja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për profesionet e rregulluara përcakton mënyrën se si do të bëhet regjistrimi dhe pranimi në provim i kandidatëve. Pranimi i kandidatëve në provim është kompetencë vetëm e autoritetit kompetent. Ai përcakton datën dhe qendrën e zhvillimit të provimit. Regjistrimi për provimin e shtetit mund të bëhet menjëherë pas diplomimit, pranë Urdhrit Profesional (UP) përkatës. Kërkesa bëhet me shkrim dhe e shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar duhet të dorëzohet brenda datës 15 shtator. Kjo kërkesë dërgohet nga UP në Ministri brenda 15 ditëve nga përfundimi i regjistrimeve. Pjesëmarrja në provimin e shtetit me shkrim ose me gojë lejohet vetëm nëse kandidati ka marrë provimin e diplomës universitare.



Dokumentet

Rregullorja e MASH-it përcakton se kërkesës për t’u regjistruar në provimin e shtetit duhet t’i bashkëngjiten disa dokumente. Kandidati duhet të dorëzojë kartë identiteti, certifikatë lindje dhe certifikatë familjare. Po kështu ai duhet të disponojë një vërtetim të provimit të Maturës ose Dëftesë Pjekurie (për ata që kanë mbaruar shkollën para viti 2006), ose çdo dokument që provon se kandidati ka të drejtë të ndjekë arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë. Një dokument tjetër që duhet të paraqesë kandidati është diploma e studimeve, e cila mund të jetë Master Profesional, ose Master i Shkencave, ose Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë (DIND). Suplementi i diplomës, dëshmia e pjesëmarrjes në praktikën profesionale, lëshuar nga institucioni i autorizuar nga UP-ja, është një tjetër dokument që kandidati duhet ta ketë në dosjen e tij. Ndërsa për kandidatët e Mjekësisë, Stomatologjisë, Farmacisë, Infermierisë, Mamisë dhe Fizioterapisë paraqiten dëshmitë e kursit të Ndihmës së Shpejtë. Në dosjen e dokumenteve aplikuesi duhet të dorëzojë gjithashtu një raport mjeko-ligjor, dëshmi penaliteti, vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale, si dhe faturën e pagesës për provimin e shtetit.



Tarifat për provimin e shtetit



Tarifat për provimin e shtetit janë si më poshtë:



a) Për kandidatin që jep provimin për herë të parë, 30 000 lekë



b) Për kandidatin që jep provimin për herë të dytë, 50 000 lekë



c) Për kandidatin që jep provimin për herë të tretë, 80 000 lekë



d) Për kandidatin që jep provimin për herë të katërt, 100 000 lekë



e) Për kandidatin që jep provimin për herë të pestë, 120 000 lekë





Dokumentet që duhet të dorëzojë kandidati



a. kartë identiteti, certifikatë lindje dhe certifikatë familjare;

b. vërtetimi i Provimit të Maturës/Dëftesë Pjekurie (për ata që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2006) ose çdo dokument që provon se kandidati ka të drejtë të ndjekë arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë;

c. diploma e studimeve: Master Profesional ose Master i Shkencave ose Diplomë e Integruar të Nivelit të Dytë (DIND);

d. suplementi i diplomës (lista e notave e të gjitha lëndëve të parashikuara në programin mësimor të lëshuar nga universiteti);

e. dëshmia e pjesëmarrjes në praktikën profesionale, lëshuar nga institucioni i autorizuar nga UP-ja për kryerjen e praktikës ku përcaktohet edhe kohëzgjatja. Për kandidatët e Mjekësisë, Stomatologjisë, Farmacisë, Infermierisë, Mamisë dhe Fizioterapisë paraqiten dëshmitë e kursit të Ndihmës së Shpejtë;

f. raportin mjeko-ligjor;

g. dëshmi penaliteti;

h. vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;

i. fatura e pagesës për provimin e shtetit.





Refuzimi i pranimit në provim



Kandidati refuzohet nga pranimi në provim nëse:

a. Nuk ka dorëzuar dokumentacionin e parashikuar në nenin 4, deri në momentin e aplikimit;

b. nëse është rrëzuar 5 (herë) në provimin e shtetit;

c. nuk plotëson kriteret e parashikuara në Ligjin Nr. 10171, datë 21.10.2009 “Për Profesionet e Rregulluara nga Republika e Shqipërisë”, në Urdhrin e Profesionit, në dispozitat e kësaj rregulloreje dhe nga autoritetet përkatëse.





Datat e provimeve



Provimi i shtetit me shkrim 15 tetor deri 15 nëntor të çdo viti

Provimet me gojë 15 ditë pas atyre me shkrim



Datat dhe oraret bëhen publike nga Komisioni i Provimit të Shtetit për secilin kandidat



Programi orientues bëhet i njohur jo më pak se 60 ditë përpara provimit me shkrim





Provimet me shkrim të së njëjtës fushë zhvillohen në të njëjtën ditë



Kandidatët për të marrë licencë në të njëjtin profesion, të cilët janë regjistruar për t’iu nënshtruar provimit me shkrim, do ta kryejnë atë në një ditë të caktuar. Të gjithë kandidatët e kësaj fushe kanë pyetje të njëjta; ato janë mbi njohuri të përgjithshme të profesionit. Rregullorja e MASH-it përcakton se Komisioni i Provimit të Shtetit, brenda 15 ditëve nga përfundimi i provimit, kryen vlerësimin e kandidatëve. Nëse gjatë korrigjimit të provimeve konstatohen gabime në pyetje, ato nuk merren parasysh, madje në këtë rast rregullorja përcakton ulje të numrit maksimal të pikëve. Po kështu, nëse konstatohet se një qendër provimi, ai nuk është zhvilluar sipas rregullave, atëherë për kandidatët e kësaj qendre kjo pjesë e provimit duhet të vlerësohet si jo e kryer. Vendimi për këtë është në kompetencë të autoritetit përkatës. Provimi me shkrim vlerësohet si i kryer me sukses nëse kandidati merr jo më pak se 40 pikë.



Në provimin me gojë pyeten jo më shumë se 20 kandidatë në ditë



Komisioni i Provimit të Shtetit, në ditën e provimit me shkrim, bën publike listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohen provimit me gojë, si dhe cakton datën në të cilën do të paraqitet në provim. Provimi me gojë duhet të zgjasë 20-30 minuta për çdo kandidat. Rregullorja përcakton se nuk lejohen të merren në provim me gojë më shumë se 20 kandidatë në ditë. Në rastet e provimit me gojë për Mjekësinë, Stomatologjinë, Farmacinë, Infermierinë, Maminë dhe Fizioterapinë, kur kandidati është në kontakt direkt me pacientin dhe ky i fundit shpreh dëshirën që vizita të mos ndodh në praninë e të gjithë anëtarëve të komisionit, kryetari mund të vendosë që në këtë rast provimi të zhvillohet nën mbikëqyrjen e kryetarit dhe një anëtari. Rregullorja përcakton se kryetari i komisionit mund të lejojë që në provim, gjatë pyetjes së kandidatit, të marrin pjesë si vëzhgues deri në 5 studentë të fushës përkatëse.



Marrja e licencës për profesionet, testimi i kandidatëve, në shtator të 2011-ës

Studentët e diplomuar në degët Mjekësi, Farmaci, Infermieri, Fizioterapi, Veterineri, Arkitekturë, Inxhinieri dhe Juridik dhe profesione të tjera do t’i nënshtrohen provimit të shtetit vitin që vjen. Zëvendësministrja Nora Malaj thotë se procesi i testimit të kandidatëve për profesionet e rregulluara pritet të konkretizohet 15 shtatorin e vitit 2011. “Kandidatët duhet të kryejnë praktikën pranë institucioneve të autorizuara nga Urdhri Profesional, prandaj testimi i kandidatëve do të vihet në zbatim vitin që vjen”, - shprehet Malaj. Sipas zëvendësministres, provimi, i cili do të realizohet sipas rregullores së MASH-it, jep mundësinë e testimit të njohurive të kandidatit, si dhe vlerëson specifikat e tij për çdo profesion. “Personi duhet të ketë kryer një vit praktik, duhet të ketë marrë diplomë Bachelor ose Master profesional apo shkencor”, - thotë Malaj. Kandidatët, në bazë të rregullores, do të kenë mundësi të konkurrojnë deri në 5 herë për të marrë provimin. Në këtë mënyrë ata do të përfitojnë licencën si profesionist, në të kundërt ata mund ta ushtrojnë profesionin thjesht në nivelin e specialistit. Nëse kandidati skualifikohet herën e parë në bazë të rregullores ai mund ta japë sërish provimin. Ligji për profesionet e rregulluara, ku bëjnë pjesë rreth 25 profesione, u miratua në vitin 2009, dhe vetëm pak kohë më parë Ministria e Arsimit nxori një rregullore për “Organizimin e provimit të shtetit për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, ku përcaktohen procedurat, tarifat e provimit si dhe dokumentet që duhen për t’u regjistruar.



Vlerësimi i provimit të shtetit

Për vlerësimin e provimit me shkrim dhe me gojë përdoret shkalla e mëposhtme:

a. Kandidati vlerësohet me notën 10 (shkëlqyeshëm) nëse merr 95-100 pikë;

b. kandidati vlerësohet me notën 9 (shumë mirë) nëse merr 85-94 pikë;

c. kandidati vlerësohet me notën 8 (mirë) nëse merr 75-84 pikë;

d. kandidati vlerësohet me notën 7 (kënaqshëm) nëse merr 65-74 pikë;

e. kandidati vlerësohet me notën 6 (mjaftueshëm) kur merr 55-64 pikë;

f. kandidati vlerësohet me notën 5 (kalueshëm) nëse merr 40-54 pikë;

g. kandidati vlerësohet me notën 4 (jokaluese) nëse merr më pak se 40 pikë.













20 Gusht 2010