08/07/2009  Regjistrimi për ndjekjen e vitit të parë në shkollat e mesme do të kryhen gjatë muajit korrik


Shkollat profesionale do të zhvillojnë konkurs pranimi për të përzgjedhur fituesit


Lëndët mësimore që do të vihen në dispozicion të nxënësve të shkollave të mesme që futen në vitet e para gjatë 2009-2010-s do të shoqërohen me një sërë ndryshimesh, që do të jenë të ngjashme me ato që aplikohen për pranimet në shkollat e larta. Brenda pak ditësh pritet që të çelen procedurat e regjistrimit për nxënësit që do të fillojnë arsimin e mesëm sipas sistemit të ri të aprovuar. Pas mungesës njëvjeçare hapja e vitit të parë do të shoqërohet me një sërë kriteresh të reja pranimi për çdo profil shkollor. Këto ndryshime do të jenë jo vetëm në procedurat e regjistrimit, por dhe në llojin e programit mësimor që do të zhvillohet.


Regjistrimet


Lidhur me procedurën e regjistrimit, pranimet në shkollat e mesme profesionale do të bazohen në konkurse, nëpërmjet të cilave do të kenë mundësinë të fitojnë vetëm një numër i caktuar kandidatësh, pasi kapacitetet e shkollave janë të kufizuara përballë fluksit të kërkesave. Megjithatë, ndryshe nga vitet e shkuara procesi i regjistrimit për të gjitha vitet e para do të nisë menjëherë sapo të dalin rezultatet e provimeve të lirimit dhe jo në fillim të muajit shtator, siç është vepruar në vitet e shkuara (regjistrimet do të çelen pas pak ditësh, pasi po skadon dhe afati zyrtar i nxjerrjes së notave të provimeve të lirimit). Sipas specialistëve, aplikimi i këtyre ndryshimeve do të ndikojë në sistemimin e nxënësve në një kohë të shpejtë, në përshtatje dhe me ndryshimet e bëra. Kështu, për herë të parë nxënësit e viteve të para do të kenë mundësinë që përveç lëndëve bazë të kërkojnë edhe ndjekjen e lëndëve preferenciale, ose siç klasifikohen, lëndë me zgjedhje. Lënda do të zgjidhet nga vetë nxënësi sipas prirjeve të tij apo dëshirës për të vijuar shkollën e lartë. Ndërkohë që universitetet këtë raport do ta vlerësojnë me koeficiente maksimale, çka do të ndihmojë në përkrahjen dhe favorizimin e atyre nxënësve, të cilët, kur të konkurrojnë për shkollë të lartë, do të kërkojnë degë të ngjashme me lëndët që kanë zhvilluar në gjimnaz. Këto të fundit do të vlerësohen dhe me koeficient maksimal.


Lëndët


Reforma e re që do të ndërmerret do të sjellë kështu një rigrupim të lëndëve mësimore, të cilat do të ndahen në lëndë bazë, që do të jenë të detyrueshme për të gjithë nxënësit në vend, si dhe lëndë me zgjedhje, që do të lihen në varësi të preferencave të kërkuara nga vetë nxënësit për grupe të caktuara lëndësh. Në këtë grup përfshihen lëndë, si gjuha e huaj, letërsia e avancuar, matematika e avancuar, trashëgimia jonë kulturore, tik e avancuar (që ka të bëjë me prirjet në lëndët e informatikës). Përveç gjuhës angleze nxënësit do të kenë të detyruar që të zgjedhin dhe në tjetër gjuhë të huaj që do ta mësojnë si lëndë të detyruar duke filluar që nga viti i parë i shkollës së mesme. Ndërsa në grupimin e dytë që përfshin kurrikula e lirë renditen këto lëndë mësimore: lënda e muzikës kërcimit dhe artit, lënda e lojërave sportive, lënda e gjuhës së huaj 3, lënda e guidës turistike, lënda e ndryshimeve klimaterike, lënda e fotografisë dhe e fotoshopit, lënda e moduleve profesionale, lënda e projekteve kurrikulare, lënda e përforcimit në matematikë e gjuhë si dhe lënda e shërbimeve komunitare.


Klasifikimi i sistemit arsimor


Për të rritur nivelin e arsimimit aktualisht po zbatohet një strukturë e re e arsimit parauniversitar, ku arsimi i detyrueshëm do të zgjasë 9 vjet dhe tre i mesmi. Dy nivelet e para përqendrohen në shkrim e lexim, matematikë, njohuri për shoqërinë e shëndetin si dhe në përvetësimin e njohurive dhe aftësive për të qenë pjesë aktive në një shoqëri demokratike të bazuar në njohuritë. Ndërsa niveli i arsimit të mesëm do të ndërtohet duke u bazuar në nivelin e arsimit të detyruar dhe do të zhvillojë njohuritë e nxënësve për jetën e përditshme në një ekonomi tregu të një bote demokratike. Në këtë nivel degëzohen dy drejtime. Drejtimi i parë i përgatit nxënësit për të vazhduar shkollën e lartë, ndërsa drejtimi tjetër i pajis ata me aftësitë e shkathtësitë profesionale të nevojshme për t’u bërë anëtarë produktivë të shoqërisë qysh me mbarimin e shkollës së mesme.


Profesionalet pranime me konkurs


Ashtu siç është vepruar edhe më parë, pranimet në arsimin e mesëm për shkollat profesionale do të bazohen në selektimin paraprak të kandidatëve nëpërmjet konkurseve specifike që do të zhvillohet në secilin profil. Aktualisht janë përcaktuar edhe datat e konkurseve për secilin profil të gjuhëve të huaja, seksioni dygjuhësh italian, si dhe shkollat sportive. Në këto të fundit konkurset do të realizohen më datën 10 gusht, ndërsa në shkollat artistike dhe koreografike, zhvillimi i testimit do të kryhet në harkun kohor nga data 24-28 gusht. Për të marrë pjesë në konkurs kandidatët duhet të dorëzojnë në sekretaritë e shkollave këto dokumente: fotokopje të noterizuar të dëftesës së lirimit të firmosur në drejtorinë arsimore rajonale, certifikatë lindje me fotografi të vulosur nga shkolla ku kandidati ka marrë dëftesën e lirimit, si dhe kërkesë për degën që do të studiojë.


Raporti ndërmjet lëndëve me zgjedhje


Sipas ndryshimeve të miratuara, tashmë në kurrikulën mësimore është përcaktuar se “ndjekja e procesit mësimor do të bëhet në dy grupime të caktuara, ku nxënësit do të jenë të gjithë bashkë në një ambient për ndjekjen e lëndëve bazë, që janë të detyrueshme. Ndërkohë do të grupohen në klasa të ndryshme sipas përzgjedhjeve për ndjekjen e lëndëve me zgjedhje. Në vitin e parë të shkollës së mesme (viti i dhjetë i shkollimit) do të mbizotërojë kurrikula me lëndët bazë kundrejt atyre me zgjedhje. Ndërsa me kalimin në vitin e dytë është vendosur që të zgjerohet mundësia e ndjekjes së lëndëve sipas preferencave të vetë nxënësve, kundrejt lëndëve që janë të detyrueshme. Në vitin e tretë mundësitë që nxënësit do të kenë për ndjekjen e lëndëve me zgjedhje do të jenë më të pakta. Gjatë këtij viti ata do të fillojnë përgatitjet edhe për ndjekjen e studimeve të larta.