Mësuesit e nëntëvjeçares me shpatulla pas murit, programi orientues i mbingarkuar



Programi orientues për provimet e Lirimit në të gjitha shkollat nëntëvjeçare të vendit, duket i mbingarkuar. Përpos kësaj Ministria e Arsimit dhe e Shkencës jo vetëm që nuk jua ka thjeshtuar programin mësuesve të shkollave nëntëvjeçare, por nuk ka dërguar në to as





specialistët përkatës për të sqaruar paqartësitë për çdo lëndë. Në këtë kontekst vetë mësuesit e disa shkollave nëntëvjeçare në kryeqytet kanë deklaruar dje për gazetën SOT se programi orientues i prezantuar nga MASH vetëm nëpërmjet internetit apo, një programi në formë libri i cili është shpërndarë në drejtoritë përkatëse të shkollave nëntëvjeçare ka qenë vërtet i pakuptueshëm. Një prej mësuesve të shkollës Emin Duraku tha dje për gazetën se sidomos programi orientues për lëndën e matematikës është tejet i vështirë për tu dëshifruar sepse në të ka veprime apo pyetje që janë të paqarta edhe nga vetë mësuesit. Por nga ana tejet problem mbetet mbingarkesa e këtij programi dhe veçanërisht e lëndës më të re që këtë vit është gjuha shqipe e cila është futur për herë të parë në provimet e lirimit si lëndë më vete. Ndërkohë një tjetër mësuese e shkollës  Edit Durham theksoi faktin se përveç paqartësive programi orientues ka mbërritur dhe është prezantuar shumë me vonesë nga Ministria e Arsimit, sepse kanë mbetur vetëm disa javë kohë për përgatitjet e provimeve të lirimit dhe programi duhet të ishte dërguar dy ose tre muaj para. Sipas një tjetër mësuesi në shkollën Vasil Shanto këto programe përmbajnë të dhënat sesi do të zhvillohen këto provime, masat që do të merren për mbarëvajtjen e provimeve, si dhe ku duhet të fokusohen nxënësit e sistemit të arsimit 9-vjeçar për të nxjerrë rezultate sa më të larta në këto provime, por nuk shpjegojnë me detaje ushtrimet e matematikës sesi duhet të jenë ato, për më tepër që edhe ato pak shembuj që jepen janë të komplikuar dhe krijojnë paqartësi si tek nxënësit ashtu edhe tek mësuesit.


 



Provimet
Përkatësisht, provimet e lirimit janë dy: Gjuhë Shqipe dhe Matematikë. Programet orientuese do ti ndihmojnë nxënësit që të përgatiten më mirë për zhvillimin e këtyre dy provimeve. Sipas udhëzimit të MASH-it, lënda e gjuhës shqipe, në përmbyllje te ciklit nëntëvjeçar, është provim i detyruar për të gjithë nxënësit që e përfundojnë atë. Provimi i gjuhës shqipe do të zhvillohet mbi bazën e një programi orientues, i cili ndihmon të gjithë nxënësit dhe mësuesit në fazën parapërgatitore. Programi synon të japë përmbledhjen e njohurive kryesore që zënë peshën më të madhe gjatë viteve të shkollimit. Programi orientues është hartuar duke u mbështetur te programet e lëndës së Gjuhës Shqipe, klasa II-IX, udhëzimet dhe materialet e dhëna nga MASH-i, mendimi i grupeve të interesit, takimi me stafin drejtues të IKT-së dhe specialistë të AVA-së.



Gjuha shqipe
Kërkesa që duhen marrë parasysh për testin e provimit të Gjuhës Shqipe janë: integrimi i Gjuhës Shqipe dhe leximit, pesha specifike e linjave, konceptet, njohuritë dhe shprehitë e linjave, fragmenti ose fragmentet e përzgjedhura mund të jenë të llojit letrar ose jo letrar, por nuk duhet të jenë pjesë përbërëse e alterteksteve. Fragmenti ose fragmentet e përzgjedhura duhet të jenë detyrimisht në përshtatje me moshën e nxënësve. Ndërsa programi orientues për provimin e lirimit në lëndën e matematikës ka si qëllim të orientojë punën e mësuesit, përgatitjen e nxënësve dhe hartuesit e testeve përfundimtare për provimin e lirimit në  mbarim të arsimit 9-vjeçar, nëpërmjet përqendrimit në konceptet dhe shprehitë kryesore të mësuara gjatë viteve. Hartimi i këtij programi synon gjithashtu: të ndihmojë vlerësimin për kurrikulën ekzistuese; të pasqyrojë rezultate, të cilat do ti shërbejnë nxënësit për të përzgjedhur vazhdimin e shkollimit dhe tu japë mësuesve informacionin e nevojshëm për të përmirësuar mësimdhënien.



Matematika
Hartimi i programit orientues është mbështetur në kurrikulën e lëndës së matematikës të ciklit 9-vjeçar. Kurrikula e matematikës ka synuar të zhvillojë nivelet e aftësive në lidhje me njohjen dhe të kuptuarit e koncepteve matematike, formimin e shprehive nëpërmjet zbatimeve të thjeshta të tyre për nivelin më të ulët dhe nëpërmjet zbatimeve e interpretimeve në situata më komplekse për nivelin më të lartë. Programi orientues i matematikës bazohet në parimin se të zotërosh njohuri matematike do të thotë të jesh në gjendje ti zbatosh ato: në pjesë të ndryshme të vetë lëndës së matematikës, në lëndët e tjera shkollore dhe në situata të jetës së përditshme. Programi është ndarë në linja dhe nënlinja, të cilat janë dhënë në udhëzimin e MASH-it.


 


Arta AGOLLI