Restaurimi dhe mirëmbajtja e objekteve me vlerë kulturore dhe historike në qytetin e Vlorës, veçanërisht e atyre që janë shpallur 'monument kulture', kanë qenë në fokus të disa projekteve rëndësishme të financuara nga qeveria shqiptare. Ymer Yzeiri, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, u shpreh se "për objektet e shpallura ‘monument kulture’ janë realizuar investime të konsiderueshme me synim ruajtjen dhe ridimensionimin e vlerave që ato përfaqësojnë". Gjatë tre viteve të fundit janë financuar projekte për godinat e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Muzeut Historik dhe atij Etnografik, rrugës muze “Justin Godard”, “Rrugës së Hebrejve”, kalasë së Kaninës, Xhamisë së Muradies etj. Investime të rëndësishme janë planifikuar edhe për vitin në vazhdim, në të cilat përfshihet një projekt i plotë për rrugën e Hebrejve, si dhe për restaurimin e disa prej objekteve që u shpallën tre vjet më pare ‘monument kulture’. Në rrethin e Vlorës janë të evidentuara 113 objekte me vlerë historike, arkeologjike e kulturore, nga të cilat më shumë se 75 janë shpallur “monument kulture”. Nga këto, 40 objekte ndodhen në qytetin e Vlorës, mes të cilave godina të institucioneve zyrtare lokale, banesa etj. 21 prej tyre e përfituan këtë status në fillim të vitit 2006, pas një vendimi të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Ato janë ndërtuar në periudha të ndryshme që nisin nga fundi i shekullit XVIII fillimi i shekullit XIX, deri në fillimin e shekullit XX. Mes tyre veçohen godinat ku janë vendosur Banka Kombëtare Tregtare, Muzeu Historik, ajo që njihet me emrin “Shtëpia e Beut”, etj.

...