Agjencia e Prokurimit Publik, me mbështetje të Projektit të “Sfidës së Mijëvjeçarit” në Shqipëri, në bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Tregtisë, bënë prezantimin e Sistemit të ri të Prokurimit Publik. Ekspertë amerikanë të Projektit, së bashku me ekspertët lokalë të APP-së, paraqitën kuadrin e ri ligjor, që mundëson përdorimin e prokurimit elektronik në Shqipëri, tiparet kryesore të sistemit, si dhe manualin e përdorimit të prokurimit elektronik për bizneset. Ata e vunë theksin në zgjerimin e përdorimit të prokurimeve publike përmes postës elektronike, pasi komuniteti i biznesit është një partner i rëndësishëm në zbatimin e të gjitha reformave që përkrahen nga Projekti i “Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë”. Sistemi elektronik në prokurimet publike e bën vetë prokurimin publik në Shqipëri, më transparent e më efektiv. Nga ana tjetër, ai redukton në maksimum mundësitë për korrupsion. Sistemi i prokurimit elektronik është në përputhje me praktikat më të mira të BE-së dhe u testua me sukses gjatë tenderit për blerjen e energjisë nga KESH-i, që u zhvillua në muajin nëntor, ku 4 firma paraqitën përmes postës elektrike ofertat e tyre.

Ndryshim aksionesh në tregun bankar

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar disa ndryshime në përbërjen e aksioneve te bankat e nivelit të dytë. E para ishte transferimi i 70 për qind të aksioneve të Bankës Raiffeisen te një bankë tjetër, po austriake, e cila zotërohet 100 për qind nga Banka Raiffeisen International Beteiligungs GmbH. Me miratimin e këtij ndryshimi të pjesëmarrjes influencuese do të ndryshojë vetëm struktura e aksionarëve me zotërim të tërthortë të së drejtës së pronësisë mbi aksionet e Raiffeisen Bank sh.a. në Shqipëri. Ky ristrukturim i shërben qëllimit të vetëm, për të optimizuar administrimin e aksioneve të Raiffeisen International Bank-Holding, në vështrim të legjislacionit tregtar dhe tatimor të Austrisë. Po ashtu BSH miratoi bashkimin me përthithje të Bankës Italo-Shqiptare sh.a, në Bankën Amerikane të Shqipërisë. Emri i Bankës së re pas bashkimit do të jetë Banka Amerikane e Shqipërisë. Praktika e bashkimit të dy bankave, është një përvojë që aplikohet për herë të parë në Shqipëri dhe mbështetet në aplikimin e inovacioneve. Me miratimin e këtij bashkimi, struktura e kapitalit aksionar të BASH-së do të zotërohet nga aksionarët si: Intesa Sanpaolo S.p.A 78.49 për qind, Fondi Shqiptaro Amerikane i Ndërmarrjeve 12.22 për qind, BERZH 7.78 për qind dhe Shoqëria Italiane për Ndërmarrjet e Huaja 1.51 për qind.

14 Dhjetor 2007