Grupet kriminale shqiptare në Angli që merren me prostitucion kanë forcuar aleancën në krim, me partnerë nga Lituania dhe Kina. Ky konstatim është pohuar nga shefi i antiprostitucionit për Londrën, David Eyles. "Lituanezët, me anë të forcës, i detyrojnë gratë apo vajzat të udhëtojnë drejt Britanisë. Së bashku me to, ata sjellin edhe drogë. Më pas, ia shesin vajzat shqiptarëve apo kinezeve", ka deklaruar ai. Sipas Eyles, është jo e zakonshme të shikosh këto tre grupe kriminale me nacionalitete dhe strukturë operacionale të ndryshme, të bashkëpunojnë kaq ngushtë me njëri- tjetrin. Për numrin një të antiprostitucionit londinez, kjo aleancë është forcuar, pasi kooperimi mes tyre ka rezultuar i suksesshëm dhe shumë fitimprurës, e si pasojnë lidhja mes tyre bëhet edhe më solide. "Është hera e parë që ne identifikojmë një bashkëpunim të tillë mes shqiptarëve, lituanezëve dhe kinezëve. Zakonisht, në të shkuarën, kemi vërejtur se grupet kriminale në kontrollin e prostitucionit rivalizojnë njëri-tjetrin, deri në atë pikë sa përplasen egërsisht me armë, duke shkaktuar viktima, për kontroll territori", nënvizon Eyles, një specialist policie me një përvojë 30-vjeçare. Për të kuptuar si funksionon kjo lidhje e këtyre tre gupeve kriminale, ai pohon se në këtë aspekt kanë hasur vështirësi, pasi kanë të bëjnë me tre kultura. Eyles pranon se ky bashkëpunim nuk është ndërtuar për një natë apo një muaj. Janë dashur vite që ky bashkëpunim mes këtyre grupeve kriminale të arrijë në këtë nivel ku është sot, nga i cili përfitohen miliona paund. Zyrtarë të Scotland Yard, që monitorojnë dhe analizojnë aktivitetin e grupeve kriminale në Britani, thonë se kjo është hera parë që ata shikojnë një kombinim të tillë shqiptaro-lituanez-kinez. Gjatë viteve të shkuara janë me dhjetëra rastet kur shqiptarë të arrestuar e më pas të dënuar nga drejtësia britanike kanë rezultuar me lidhje të forta me grupet lituaneze. Disa ditë më parë, në qytetin e Lidsit, në Anglinë Veriore, policia shkatërroi një grup kriminal shqiptaro-lituanez që merrej me shfrytëzimin e vajzave për prostitucion. Ftohtësinë e prangave angleze e kanë provuar një shqiptar, që, sipas policisë, drejtonte operacionin e shfrytëzimit të vajzave si dhe tre lituanezë, dy prej të cilëve femra. Emigranti shqiptar, Nazif Selini, i cili kishte kërkuar azil në Angli si shtetas jugosllav, ishte koka e këtij grupi kriminal. Ai së bashku me 3 lituanezët kanë dalë përballë gjykatës "Leeds Crown Court", duke u përballur me akuzat për trafikimin e vajzave lituaneze drejt Anglisë, kontrollin e trafikut të tyre brenda Anglisë, kontroll prostitucioni për qëllime përfitimi, pastrim parash, përdhunim dhe ngacmim seksual. Më shumë se 45 shqiptarë vuajnë dënime të rënda në burgjet angleze për trafikimin e shfrytëzimin e lituanezeve në Britaninë e Madhe. Në të gjitha këto raste, vajzat e trafikuara kanë dhënë dëshmi në gjykatë duke "gozhduar" në gjetjen fajtor të ish- tutorëve shqiptarë. Megjithatë dënimet e rënda nga drejtësia britanike nuk kanë kontribuar aspak në uljen e numrit të shqiptarëve të përfshirë në prostitucion.