Autori i Lajmit: red.
Të ushqehesh në ekuilibër nuk është vetëm problem kalorish. Për të ngrënë “mirë” është e domosdoshme njohja e komponentëve kryesorë të “përbërësve” ushqimorë bazë, në cilët produkte ushqimore janë të shpërndara dhe në çfarë sasie duhet të jenë të pranishme në dietën ushqimore të përditshme. Përbërësit bazë të një diete ushqimore korrekte janë proteinat, lipidet, karbohidratet, fibrat ushqimore, vitaminat, kripërat minerale dhe uji. Secili nga këto produkte është i domosdoshëm për jetën dhe shëndetin e çdo qënieje njerëzore, në çfarëdo fazë zhvillimit që të ndodhet.

Uji, 2-3 litra në ditë përmirëson punën e veshkave

Uji përbën 70-75 % të peshës trupore në organizmin e njeriut dhe praktikisht është një nga substancat më të rëndësishme të tij. Uji është absolutisht i domosdoshëm për të gjitha qelizat dhe për të gjitha organet, me një fjalë për një aktivitet normal të organizmit. Organizmi njerëzor, në linjë normale është i aftë të mbajë stabël sasitë e nevojshme të ujit për organizmin, në momentin që ka nevojë paraqet ndjenjën e etjes, në momentin që do të eleminojë shton sasitë e eskretimit të urinës. Çdo ditë organizmi ynë ka nevojë për 2-3 litra ujë në ditë: rreth 50% e saj sigurohet nga produktet ushqimore dhe pjesa tjetër nga pijet e ndryshme që konsumojmë gjatë ditës. Të pish shumë ujë nuk bën dëm, përkundrazi lehtëson punën e veshkave, eviton akumulimin e substancave irrituese për vezikën dhe ndihmon në parandalimin e konstipacionit duke favorizuar zbrazjen e rektumit. Gjithashtu, lejon sigurimin e një hidratimi normal të lëkurës, duke e ndihmuar të qëndrojë e bukur dhe elastike. Dy tre gota ujë në ditë kushtojnë shumë më pak se shumë kremëra dhe kanë një efekt spetakolar për lëkurat e thata dhe delikate.

Gjatë shtatzanisë, ekuilibri hidrik ka tendencë të çrregullohet lehtësisht: uji mbahet në inde duke provokuar rritje në peshë dhe edema. Mund të jenë çrregullime të lehta që stabilizohen lehtësisht nëpërmjet korigjimit të raporteve natrium/kalium (mjafton të hamë më pak kripë). Në raste të tjera mund të flitet për probleme më serioze, që duhet të jenë gjithmonë nën kontrollin e specialistit. Vetëm se duhet të mbani mend, se në asnjë rast nuk duhet të zvogëloni sasitë e marrjes së ujit ditor ose përdorimin e diuretikëve pa u këshilluar me personelin shëndetsor: rreziku i inkriminimit të sistemit renal është real dhe mundësia e rëndimit të gjëndjes tuaj dhe të fetusit është e mundshme në një përqindje të madhe rastesh

Kombinimi i proteinave bimore dhe shtazore

Janë materia e parë e të gjitha qënieve të gjalla, elemente thelbësorë për ekzistencën dhe fuksionimin normal të organizmit njerëzor. Ato sigurojnë ndërtimin, nga indet dhe organet deri në antikorpet, hormonet, enzimat etj.. Proteinat klasifikohen në bazë të origjinës së tyre në proteina shtazore dhe proteina vegjetale. Të parat janë përbërës në mish, peshk, qumësht, vezë dhe derivatet e tyre (djathë kos etj.). Proteinat vegjetale gjenden në sasi të mëdha në zarzavatet e thata (fasule, bizele, bathë, thierza etj.) dhe në doza më të vogla në drithërat, zarzavatet dhe frutat e freskëta e të thata. Proteinat vegjetale përcaktohen si proteina me “vlerë të ulët biologjike”, sepse nuk përmbajnë disa nga aminoacidet thelbësore, që trupi i njeriut është i paaftë t i sintetizojë vetë. Megjithatë, ndonëse janë të një kualiteti më të ulët në raport me proteinat vegjetale, janë të këshillueshme pasi produktet ku ato gjenden, përmbajnë pak yndyra. Kombinimi i të dy tipeve të proteinave është i domosdoshëm për dietën e çdo njeriu. Në shtatzani, proteinat e të dy llojeve duhet të prezantojnë 15-20 % të kalorive të marra në dietën ditore.

Lipidet (yndyrnat) më të mira, ato bimore

Edhe lipidet janë ashtu si dhe proteinat, përbërës thelbësorë të çdo qelize dhe kanë funksione të ndryshme e mjaft të rëndësishme. Ato janë burimi më i koncentruar i energjisë (1 gr = 9 kal) dhe të domosdoshëm në thithjen e disa lloje vitaminash (A, D, E, K). Lipidet rregullojnë qëndrën e urisë dhe izolimin termik (që do të thotë mbrojtja nga të ftohtit) si dhe përmbajnë acidet yndyrore esenciale (substanca pa të cilat trupi njerëzor nuk mund të mbijetojë, por mbi të gjitha nuk mund t i prodhojë vetë). Lipidet mund të jenë me origjinë shtazore (gjalpi, dhjami etj.) ose me origjine vegjetale (vaji i ullirit, vaji i farërave të ndryshme etj). Të gjitha tipet e lipideve në sasi të barabarta, furnizojnë të njëjtën sasi energjie, por duhet thënë se cilësisht janë mjaft të ndryshme, si pasojë e përbërjeve të ndryshme kimike. Për këtë arsye, nëse do të kemi mundësi ekonomike zgjedhjeje, mirë është përdorimi i disa llojeve prej tyre në raport me lipidet e tjera. Lipidet që preferohen janë lipidet e pangopura dhe gjysëm të pangopura, dhe që janë kryesisht me origjinë bimore (vaji i ullirit apo i farërave të ndryshme). Këto lloj lipidesh, ulin vlerat e depozitave të kolesterolit dhe kanë një efekt mbrojtës ndaj arterosklerozës. Lipidet më të kundraindikuara, janë të ashtuquajturat lipide të ngopura, te cilat në temperaturen e ambientit paraqiten solide dhe gjenden zakonisht në ushqimet me origjinë shtazore (dhjami i mishit të viçit, të lopës, të qingjit, gjalpi, dhjami dhe disa lloje djathërash, sidomos ato me yndyrë). Në produktet e mishit bëjnë përjashtim pula dhe peshku, që janë të pasura me acide gjysëm të ngopura. Në shtatzani yndyrnat duhet të përbëjnë 25-30% të kalorive ditore, dhe më pak se gjysma e tyre duhet të jenë me origjinë shtazore.

Karbohidratet, më mirë nëpërmjet amidonit të drithit

Janë lehtësisht të djegshëm në organizmin e njeriut dhe të përdorshëm nga të gjitha indet. Digjen kryesisht si pasojë e punës muskulare, qelizave nervore dhe rruazave të kuqe të gjakut. Karbohidratet mund të ndahen në tre kategori, bazuar në strukturën kimike në: monosaharide, oligosaharide dhe polisaharide. Monosaharidet janë më të thjeshta dhe absorbohen pa patur nevojë për ndërhyrjen e proçesit tretës. Prezantohen kryesisht në fruta nën emrin e glukozës dhe fruktozës. Oligosaharidet janë të formuara nga pak molekula dhe mund të kalojnë në gjak menjëhërë (mjaftojnë rreth njëzet minuta). Më të zakonshmit janë sakaroza e cila ndodhet zakonisht si ëmbëlsues në marmalatat, reçel, pijet, ëmbëlsirat, tortat, etj. Maltoza eshte prezente në drithërat dhe laktoza është përbërës i qumështit human dhe shtazor. Polisaharidet janë molekula mjaft komplekse dhe përbëjnë elementet që shkojnë të formojnë rezervat energjitike, për t u konsumuar gradualisht. Më të zakonshmit janë amidoni dhe celuloza. Amidoni është burimi kryesor i sheqernave për trupin njerëzor dhe gjendet në të gjitha llojet e drithërave, dhe në derivatet e tyre (miell, makarona, ëmbëlsira etj), tek patatja, perimet (bizele, qiqra, fasule, thierza), gështenja dhe në sasi të vogla, në të gjitha llojet e zarzavateve. Në shtatzani, karbohidratet duhet të përfaqsojnë rreth 60% të kalorive ditore, duke i dhënë preference amidonit që gjëndet zakonisht i shoqëruar me vitamina kripëra minerale dhe fibra ushqimore. Karbohidratet e thjeshta (monosaharidet dhe oligosaharidet) nuk duhet të kalojnë 10% të sasive të konsumimit ditor të karbohidrateve.



Ushqim i pasur me fibra, për të eliminuar kolitin

Fibrat ushqimore janë pjesët e patretshme të ushqimeve, që në organizëm luajnë një rol të ndryshëm nga origjina e tyre. Ato kryesisht janë përbërës të drithërave dhe ku më shumë e ku më pak gjenden në zarzavatet e të gjitha llojeve. Fibrat ushqimore ndihmojnë në funksionimin e rregullt të intestinit. Duke thithur sasi të ujit, ato rrisin masën e feçeve duke ndihmuar për zbritjen e tyre përgjatë kolonit. Duke ngrënë ushqime të pasura me fibra ushqimore ndihmojmë në eleminimin e konstipacionit, koliteve spastike, parandalimin e hemorroideve etj.



Shtatë grupet e produkteve ushqimore



Grupi i parë

Të gjitha llojet e mishrave, peshku, veza, proshutat, janë produkte ushqimore që përmbajnë proteina të kualitetit të lartë, hekur, vitaminë D dhe vitaminat e kompleksit B. Kujdes: Konventa Europiane e Ushqimit ka ndaluar përdorimin e të brendshmeve të të gjitha kafsheve të përdoren për ushqim për arsye sigurie.

Grupi i dytë

Ushqime të gatuara nga vetë mëma natyrë. Kështu p.sh. qumështi është i vetmi produkt i destinuar nga natyra për të qënë ushqimi i gjitarëve dhe njeriut. Qumështi dhe nën produktet e tij, janë produkte ushqimore që përmbajnë kalcium, proteina të cilësisë së lartë dhe vitamina të grupit B

Grupi i tretë

Orizi dhe grupi i produkteve ushqimore me origjinë nga drithërat, janë produkte ushqimore që përmbajnë karbohidrate, proteina të kualitetit të mesëm, vitamina të grupit B.

Grupi i katërt

Produktet leguminoze si fasulet, thierrzat, janë produkte ushqimore që përmbajnë, proteina të kualitetit të mesëm, hekur, vitamina të grupit B.

Grupi i pestë

Vaji, gjalpi, dhjami dhe margarina, janë produkte ushqimore që përmbajnë yndyrna, veçanërisht acide yndyrore, disa lloje vitaminash (veçanërisht vitamina A dhe D).

Grupi i gjashtë dhe i shtatë

Agrumet dhe të gjitha llojet e frutave dhe të zarzavateve të freskëta, janë produkte ushqimore që përmbajnë disa lloje vitaminash (veçanërisht vit C) dhe kripëra minerale.



Ky lajm është publikuar: 25/10/2008