Nën tingujt e instrumenteve muzikore, studentët e Fakultetit të Arteve të UP-së, kanë protestuar të martën, duke kërkuar nga rektorati i UP-së, kushte dhe hapësirë të nevojshme për studime. Ata po ashtu kanë bërë të ditur se do të protestojnë deri në plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme, pasi që kushtet në të cilat po i kryejnë studimet, janë mjaftë të vështira.

Organizatorët e protestës kanë thënë se neglizhenca dhe mos përgjegjësia e rektoratit i ka shtyrë ata të dalin në rrugë.

Shaban Behrami, student në këtë fakultet, njëherësh edhe organizator i protestës, ka thënë se objekti në të cilin ata studiojnë, as për së afërmi nuk përkon me standardet e duhura. Sipas tij, në kushte të tilla nuk mund të ketë studim dhe krijim artistik.

“Sot e sa vite ne studentët e Fakultetit të muzikës nuk patëm një hapësirë për të studiuar. Objekti cili i është dhënë departamentit të muzikës mund ta ketë emrin por faktikisht nuk i plotëson kushtet. Nuk mund të ketë studim dhe krijim artistik nëse nuk ka hapësirë të nevojshme. Më shumë e dëgjojmë zhurmën nga qyteti se sa që i dëgjojmë ushtrimet tona që ne i luajmë”, ka thënë ai.

Duke folur për vështirësitë me të cilat po ballafaqohen studentët e Fakultetit të Arteve, Behrami ka thënë se, përveç kushteve të vështira në të cilën ndodhet objekti, ka edhe mungesë të instrumenteve muzikore, pasi që, sipas tij, instrumentet me të cilat performojnë kapin kosto të lartë financiare dhe se nuk kanë mundësi t’i blejnë vetë.

“Blerja e këtyre instrumenteve po na kushton shumë shtrenjtë dhe po na e vështirëson edhe më shumë studimet tona. Për këtë arsye ne sot ju kemi drejtuar rektoratit në emër të gjithë studentëve të fakultetit të muzikës për t’i shprehur pakënaqësitë tona dhe shpresojmë që do të ndikon tek ta që të na i marrin për bazë ankesat tona”, ka thënë ai.

Organizatorët e kësaj proteste, më pas janë takuar edhe me sekretarin e rektoratit, ku kanë marr premtime se do të angazhohen më shumë në atë drejtim që kushtet e tyre të përmirësohen. Ata kanë kërkuar objekt të ri, në mënyrë që studimet e tyre t’i vazhdojnë në mënyrë normale.

Po ashtu, ata kanë kërkuar nga të gjithë studentët e UP-së që të kërkojnë të drejtat e tyre dhe mos të heshtin para padrejtësive që po u bënë rektorati.

Protesta e sotme nuk do të jetë e fundit, por sipas organizatorëve, do të jetë e para dhe se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre do të radikalizohen qëndrimet e tyre.

Protestuesit pasi qëndruan afër një orë para rektoratit, janë shpërndarë të qetë. /kosovapress/