Autori i Lajmit: Entela Duraj
Shkollat 9-vjeçare



Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) po punon për përgatitjet e zhvillimit të Provimit të Lirimit për të gjitha shkollat 9-vjeçare në vend. Drejtori i AVA-s, Alfons Harizaj, tha dje se “ka nisur puna edhe për grumbullimin e fondit të pyetjeve, për të cilat po punojnë rreth 20 mësues". Lidhur me përzgjedhjen e mjediseve të zhvillimit të Provimeve të Lirimit, Harizaj bëri të ditur se drejtoritë arsimore duhet të përcaktojnë mjediset ku zhvillohen provimet deri më 20 maj. Që një mjedis të jetë i përshtatshëm për këto provime duhet të plotësojë disa kritere, si: të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës; largësia ndërmjet nxënësve të jetë jo më pak se 120 cm, etj.

Datat

Nxënësit e klasave të 9-ta do ta mbyllin vitin shkollor më 5 qershor 2009, pasi kanë Provimet e Lirimit. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të Provimeve të Lirimit, sipas udhëzimit të MASH-it, është nga data 6 qershor-27 qershor 2009. Nxënësit e klasave të 9-ta do të testohen për Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar më 13 qershor 2009 dhe në Matematikë, në 20 qershor 2009. Ndërsa për sesionin e dytë të Provimeve të Lirimit, udhëzimi parashikon data të tjera. Kështu, nxënësit që nuk do të kalojnë në sesionin e parë të Provimeve të Lirimit, do t i rijapin ato në datat 1-5 shtator 2009.

Vlerësimi

Vlerësimi i tezave të provimit do të kryhet pranë ambienteve të drejtorive arsimore të rrethit, ku do të mblidhen të gjitha testet e plotësuara. Për korrigjimin e tyre do të përzgjidhet grupi më i mirë i mësuesve të lëndës nga ana e drejtorive arsimore. Pas mbylljes së kësaj procedure vlerësimi, do të hapen dhe numrat e regjistrimit të vendosur në çdo tezë, dhe secila drejtori, në bazë të listave emërore, identifikon rezultatet e nxënësve me emrat e tyre, të cilat u shpërndahen më pas shkollave.

Skema

Sipas informacioneve të marra për Provimet e Lirimit në përfundim të vitit shkollor 2008-2009, në klasat e nënta që sivjet mbyllën për herë të parë ciklin e plotë me kohëzgjatjen e re të arsimit të detyruar, është menduar që të aplikohet një skemë e ngjashme me atë të Maturës Shtetërore. Dy janë veçantitë kryesore: administrim dhe vlerësim i jashtëm i punimeve të nxënësve dhe punime të sekretuara. Është menduar që teza të jetë unike për të gjithë republikën. Testi do të bëhet prej AVA-s dhe do të shpërndahet në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe nëpër zyrat e arsimit nëpër rrethe. Mësuesit që do të angazhohen gjatë ditëve të zhvillimit të provimit, pra administratorët e provimit, nuk do të jenë nga shkolla ku do të bëhet provimi, por do të këmbehen me njëri-tjetrin. Do të ketë një përgjegjës administrimi për çdo mjedis provimi, sikurse edhe në Maturën Shtetërore. Punimet e nxënësve do të jenë të sekretuara, me mënyra më të thjeshta se ato të Maturës Shtetërore. Nuk do të ketë barkode, por një numër regjistrimi të mbyllur, i fshehur menjëherë sapo shënohet në test dhe në fletën e regjistrimit, i cili do të dekonspirohet dhe do të hapet vetëm kur mbaron korrigjimi, pra kur numrit në fjalë i akordohet sasia e pikëve që ka marrë realisht në punimin e tij.

Pyetjet

Struktura e tezës do të jetë e ngjashme me atë të Maturës Shtetërore. Mendohet të jetë pak më e shkurtër si sasi pyetjesh; të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 të jenë me alternativa dhe 10 me zhvillim, pak a shumë sikurse teza e provimeve me zgjedhje që jepet në Maturën Shtetërore. Lëndët janë dy: Gjuhë-Lexim dhe Matematikë. Provimet do të bëhen vetëm me shkrim. Periudha e zhvillimit të provimeve do të jetë muaji qershor, ku do të alternohen datat e zhvillimit të testimeve me ato të Maturës Shtetërore. Sidoqoftë, theksohet se këto janë detaje ende që duhen përcaktuar, pasi do të paraqiten në Ministrinë e Arsimit, nga ku më pas do të miratohen.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2009