Autori i Lajmit: Entela Duraj
Në mesin e muajit qershor pritet të zhvillohen Provimet e Lirimit për nxënësit e klasave të nënta. Sipas afateve paraprake pritet që provimet të zhvillohen më 12-26 qershor 2010. Ndërsa semestri i dytë i mësimit për nxënësit e klasave të nënta do të përfundojë në datën 11 qershor. Ashtu si çdo vit nxënësit duhet të përgatiten për dy provimet tradicionale të lirimit që janë: Gjuhë-Lexim dhe Matematikë, të cilat do të bëhen vetëm me shkrim. Pak ditë më parë Ministria e Arsimit miratoi edhe rregulloren e Provimeve të Lirimit, ku procedurat e zhvillimit të tyre, do të jenë të përafërta me ato të Maturës Shtetërore. Teza për Provimet e Lirimit do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat mendohet që 10 të jenë me alternativa dhe 10 me zhvillim, pak a shumë sikurse teza e provimeve me zgjedhje që jepet në Maturën Shtetërore. Provimet do të bëhen vetëm me shkrim. Teza për Provimet e Lirimit do të jetë e njëjtë për të gjithë nxënësit e klasave të nënta në vend. Përveç përgatitjes së rregullores së re për Provimet e Lirimit, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) do të hartojë edhe modelin e testit. Drejtuesit e AVA-s sqarojnë se është menduar që teza të jetë e njëjtë për të gjitha shkollat e vendit. Testi pas përgatitjes nga specialistët e AVA-s do të shpërndahet në drejtoritë arsimore rajonale dhe në zyrat e arsimit nëpër rrethe. Kurse mësuesit që do të angazhohen gjatë ditëve të zhvillimit të provimit, pra administratorët e provimit nuk do të jenë nga shkolla ku do të bëhet provimi, por do të këmbehen me njëri-tjetrin. Do të ketë një përgjegjës administrimi për çdo mjedis provimi, sikurse edhe në Maturën Shtetërore. Punimet e nxënësve do të jenë të sekretuara, me mënyra më të thjeshta se ato të Maturës Shtetërore. Megjithëse nuk do të përdoren barkode për sekretimin e testeve të provimit, mbi këto të fundit dhe në fletën e regjistrimit do të vendoset një numër regjistrimi i mbyllur, i cili do të hapet vetëm pasi të mbarojë korrigjimi. Pikët që nxënësit do të marrin në provim do të identifikohen nga numrat përkatës, që ata do të kenë në teste. Ekipi i vlerësuesve të tezave do të caktohet nga mësuesit më të mirë të rrethit, po nga drejtoritë arsimore rajonale përkatëse. Provimet e nxënësve, që i takojnë juridiksionit të një zyre arsimore rrethi dhe një drejtorie arsimore rajonale, do të mblidhen dhe do të korrigjohen në një qendër vlerësimi të përcaktuar prej Drejtorisë Arsimore Rajonale, sikurse edhe Matura Shtetërore.







Berisha rektorëve:

”Universitetet pa pedagogë”



Raporti student-pedagog në universitetet shqiptare nuk ka përputhshmëri. Nëse numri i studentëve në fakultete është trefishuar ai i pedagogëve ka mbetur në vend. Sipas statistikave, në 4 vite është arritur që Shqipëria të numërojë sot mbi 135 mijë studentë në universitetet e saj publike dhe private kundrejt 52 mijë që ajo kishte në vitin 2005. Përballë kësaj situate kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Arsimit që në bashkëpunim me rektorët e universiteteve të bëhen ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor, duke përcaktuar kritere të reja për sa i përket raportit studentë-pedagogë. Kryeministri u shpreh se reforma në botën akademike e shkencore duhet të thellohet edhe më tej, duke theksuar se kërkimi shkencor duhet të jetë atribut i fakulteteve dhe dekanateve. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit që me ndihmesën e kompanive serioze të fushës, të bëjnë sa më parë reitingun e universiteteve.

Pedagogët

Ndër të tjera, kryeministri ngriti çështjen e raportit studentë-pedagogë, i cili duhet të ndryshohet, pas rritjes së vazhdueshme të numrit të studentëve. “Ka disa probleme që kërkojnë ndërhyrje urgjente, probleme të krijuara, para së gjithash, nga rritja me shpejtësi të madhe e numrit të studentëve. Në qoftë se studentët në fakultet janë trefishuar, pedagogët në universitet ende nuk janë dyfishuar. Ky përbën një kërcënim serioz për cilësinë e tyre. Raporti student-pedagog, në tërësi, është absolutisht i papranueshëm. Ai raport ka qenë deficitar edhe 4 vjet më parë, mendoni se si është bërë ai tani”.

Bolonja

Kryeministri renditi një sërë masash të ndërmarra nga qeveria për modernizimin në tërësi të universiteteve të vendit dhe për funksionimin e tyre sa më efikas në dobi të studentëve. “Funksionon tërësisht sistemi i Bolonjës si sistemi më i fuqishëm në Evropë për organizimin e shkollës së lartë, janë modernizuar laboratorët e universiteteve, janë bërë ndërtime të reja në kampuset e tyre në një seri qytetesh. Një grup pune serioz po punon me intensitet për të përcaktuar një mënyrë të re financimi të universiteteve të vendit. Autonomia e tyre është thelluar në mënyrë të ndjeshme. Të ardhurat që ato realizojnë janë të gjitha të disponueshme prej tyre. Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit që në bashkëpunim me rektorët e universiteteve të bëhen ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor, duke përcaktuar kritere të reja bazuar në standardet e vendeve anëtare të OECD. “Zoti ministër, bashkë me rektorë të universiteteve do të bëhen të gjitha ndryshimet në aktet ligjore e nënligjore, në mënyrë që universitetet tona të përcaktojnë kritere të reja, të përzgjedhin mesataren e tyre, të shohin vendet e OECD. Nuk po përcaktoj këtu se sa duhet të jetë raporti i stafit pedagogjik me studentët, por ka një raport që varion nga 10 tek 25 tek universitetet publike. Nuk mund të jemi tek 25, as nuk mund të zbresim tek 10-ta se nuk zbresim dot, mirëpo kur sheh sot me mijëra shqiptarë që diplomohen shkëlqyer brenda dhe jashtë vendit, themi se vendi i tyre është në universitetet e vendit, ndaj dhe nuk duhet të ngurrojmë”.

Vlerësimi i universiteteve

Gjithashtu, kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit që me ndihmesën e kompanive serioze të fushës të bëjnë sa më parë reitingun (vlerësimin) e universiteteve. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, vijoi kryeministri që qytetarët shqiptarë të kenë reitingun e universiteteve të vendit, private dhe publike në mënyrë që ta dinë se ku studion fëmija i tyre. Mundësisht të kontratohet sa më shpejt një prej kompanive më serioze në botë që të bëjë reitingun (vlerësimin) e universiteteve.















Ky lajm është publikuar: 25/02/2010