Viti shkollor 2008-2009 për të gjitha klasat e nënta në vendin tonë u mbyll më datë 5 qershor. Ditën e djeshme rreth 50 mijë nxënës të klasave të IX-ta ju nënshtruan provimit të Gjuhë-Leximit. Procedura e provimeve të lirimit për këtë vit ka qenë e njëjtë me atë të Maturës Shtetërore. Teza e këtij provimi të lirimit përmbante rreth 20 pyetje, 10 prej të cilave ishin me alternativa dhe 10 të tjera me zhvillim.

Vlerësimi i pyetjeve do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen më pas në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA). Vlerësimi i tezave të provimit do të kryhet pranë ambienteve të drejtorive arsimore të rrethit, ku do të mblidhen të gjitha testet e plotësuara. Për korrigjimin e tyre do të përzgjidhet grupi më i mirë i mësuesve të lëndës nga ana e drejtorive arsimore. Pas mbylljes së kësaj procedure vlerësimi, do të hapen dhe numrat e regjistrimit të vendosur në çdo tezë, dhe secila drejtori, në bazë të listave emërore, identifikon rezultatet e nxënësve me emrat e tyre, të cilat u shpërndahen më pas shkollave. Pas testimit në Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar, nxënësit do të përgatiten për provimin e matematikës në 20 qershor. Ndërsa për sesionin e dytë të provimeve të lirimit, udhëzimi parashikon data të tjera. Kështu, nxënësit që nuk do të kalojnë në sesionin e parë të provimeve të lirimit, do t'i rijapin ato në datat 1-5 shtator 2009.