Publikohet rregullorja e provimeve të lirimit për shkollat 9- vjeçare. Në këtë dokument janë sanksionuar të gjithë procedurat për mbarëvajtjen e dy lëndëve Gjuhë-Lexim dhe Matematikë. Të dyja këto provime do të jepen me shkrim dhe mënyra e vlerësimit të tyre do të jetë e njëjtë me atë të Maturës Shtetërore. “Nxënësi, që gjatë zhvillimit të provimit merr ose jep kopje, përjashtohet nga provimi dhe humbet të drejtën e dhënies së PL për atë vit shkollor”, thuhet në rregullore. Gjatë dhënies së provimit në një ambient nuk do të ketë më shumë se 25 nxënës. I gjithë procesi do të mbikëqyret nga administratorët e provimit, të cilët nuk do të jenë mësues të shkollës përkatëse”. Administratori i provimit që caktohet për mbikëqyrjen e nxënësve nuk është mësues i asaj shkolle dhe i lëndës që po merret në provim”, thuhet në rregullore. Përveç stilolapsit dhe certifikatës personale nxënësit nuk do të marrin asgjë tjetër me vete. Pas përfundimit të provimit, askush nuk mund të dalë nga klasa pa kryer procesin e sekretimit. Për çdo nxënës fleta e testit nuk do të ketë numra por një kod me numra. Sa i përket vlerësimit, ai do të bëhet me pikë që më pas do të ekuivalentohen në notë. “Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga AVA”, përcakton rregullorja. Sipas saj, skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme, e dhënë nga nxënësi për çdo kërkesë, sipas kësaj skeme. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar”, ka përcaktuar MASH.