Rezulton e shitur që një ditë përpara provimit të lirimit teza e Matematikës, për nxënësit e klasave të 9-ta. Skandalin e ka bërë publik televizioni “Top Channel”, i cili ka arritur të disponojë tezën e plotë, me pyetjet dhe përgjigjet e sakta. Nga sa bëhet me dije, testi i plotësuar ka disa ditë që qarkullon dhe blihet me para në një rreth jo të vogël nxënësish. Çka do të thotë se kemi të bëjmë me korrupsion të pastër, si dhe shkelje penale të dënueshme me ligj. Por i paprecedent është diskriminimi i nxënësve, të cilët i drejtohen provimit në kushtet e një konkurrence të pandershme me ata që kanë paguar për të pasur paraprakisht pyetjet dhe përgjigjet e sakta. Janë 23 pyetje të hartuara nga një grup mësuesish, të cilat duhet të mbaheshin sekret nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) deri në orën 06:00 të ditës së shtunë. Shitjen e tezës e pranoi edhe Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, ajo ka elemente me atë që do t’u paraqitej nxënësve për provim. Drejtori i AVA-s, Alfons Harizaj, tha dje se do të merren të gjitha masat për ndryshimin e të gjithë elementëve të ngjashëm me tezën e matematikës që do të shpërndahet sot në të gjithë vendin. “Ne do të garantojmë procesin dhe do të sigurojmë një test të ri, të sigurt, që do të jetë i gatshëm për nxënësit nesër”, tha Harizaj. Ndërsa Ministria e Arsimit bëri me dije se po kryhen të gjitha verifikimet pëqr të gjetur personat që kanë  kane nxjerrë informacionin nga zyrat e Aves. “Fakti qe u be publike pak përpara se nxënësit ti nënshtroheshin provimit  tregon se mund te kete pasur rrjedhje.  Numri i personave qe merren me kete pune eshte i paket dhe shume shpejt do ta kemi ne dore personin qe e ka bere kete”, ka pohuar Fatmir Vejsiu,drejtori i arsimit pasuniversitar në MASH