Rreth 50 mijë nxënësit e klasave të IX-ta iu nënshtruan sot provimit të Gjuhë- Leximit. Vlerësimi i tezave të provimit do të kryhet nga grupi më i mirë i mësuesve të lëndës. 

TIRANE- Rreth 50 mijë nxënësit e klasave të IX-ta, të cilët përfunduan më 5 qershor vitin shkollor, iu nënshtruan sot provimit të Gjuhë- Leximit, një procedurë e ngjashme me atë të Maturës Shtetërore.

Teza e këtij provimi të lirimit përmbante rreth 20 pyetje, 10 prej të cilave ishin me alternativa dhe 10 të tjera me zhvillim. Vlerësimi i pyetjeve do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen më pas në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA).

Vlerësimi i tezave të provimit do të kryhet pranë ambienteve të drejtorive arsimore të rrethit, ku do të mblidhen të gjitha testet e plotësuara. Për korrigjimin e tyre do të përzgjidhet grupi më i mirë i mësuesve të lëndës nga ana e drejtorive arsimore. Pas mbylljes së kësaj procedure vlerësimi, do të hapen dhe numrat e regjistrimit të vendosur në çdo tezë, dhe secila drejtori, në bazë të listave emërore, identifikon rezultatet e nxënësve me emrat e tyre, të cilat u shpërndahen më pas shkollave.

Pas testimit në Gjuhë shqipe dhe Lexim letrar, nxënësit do të përgatiten për provimin e matematikës në 20 qershor.
Ndërsa për sesionin e dytë të provimeve të lirimit, udhëzimi parashikon data të tjera. Kështu, nxënësit që nuk do të kalojnë në sesionin e parë të provimeve të lirimit, do t'i rijapin ato në datat 1-5 shtator 2009.
(ATSH/BalkanWeb)