Rreth 54 mijë nxënës të klasave të nënta në të gjithë vendin do t‘i nënshtrohen më 13 qershor provimit të parë të lirimit në lëndët e gjuhës shqipe dhe atë të leximit letrar. Lidhur me përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij provimi, si dhe respektimin e rregullave të diskrecionit, që do të garantonin një proces të pakorruptuar dhe të drejtë, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë. Ky qëndrim motivohet nga fakti se numri i nxënësve që do t‘i nënshtrohen këtij provimi në mbarë vendin, në të njëjtën ditë, është mjaft i lartë. Ai është pothuajse sa dyfishi i numrit të maturantëve që po përfundojnë këtë vit shkollat e mesme. Nga ana tjetër, ndonëse u fol se provimet e lirimit të shkollave të sistemit 9-vjeçar do të ishin identikite të atyre të Maturës Shtetërore, sërish vëmendja kryesore është përqendruar te kjo e fundit. Matura Shtetërore 2009 edhe për nga vetë rëndësia e saj ka eklipsuar thuajse tërësisht provimet e lirimit të shkollave 9-vjeçare.



Menaxhimi



Me menaxhimin e këtij procesi nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit bëhet e ditur se do të merren direkt drejtoritë arsimore dhe zyrat arsimore për çdo njësi të pushtetit vendor. Kështu, në përputhje me udhëzimet e dhëna nga ana e Ministrisë së Arsimit, drejtoritë arsimore në rrethe do të vendosin se sa qendra vlerësimi kanë nevojë të krijojnë, por edhe për numrin e sallave që do të shfrytëzohen për zhvillimin normal të këtyre testimeve.



Aktualisht, në të gjithë vendin raportohet se janë përcaktuar rreth njëmijë salla, ku nxënësit e klasave të nënta do t‘u nënshtrohen dy provimeve të detyruara.



Datat



Në një udhëzim të posaçëm, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka saktësuar se për klasat e nënta të arsimit bazë 9-vjeçar, viti shkollor 2008-2009 duhet të përfundonte më 5 qershor 2009. Ndërsa, periudha e zhvillimit të sesionit të parë të Provimeve të Lirimit është nga data 6 qershor deri më datë 27 qershor 2009.



Lëndët dhe datat e provimeve të lirimit në sesionin e parë janë:



Gjuhë Shqipe dhe Lexim Letrar, të cilat do të zhvillohen më 13 qershor, si dhe Matematika, më 20 qershor.



Ndonëse, një miniaturë e Maturës Shtetërore edhe rezultatet e provimeve të fundit të detyruara të klasave të 9-a konsiderohen si mjaft të rëndësishme, pasi ato vlerësohen si një mënyrë prezantimi për këta të rinj, në profilet e ndryshme të shkollave të mesme, brenda apo jashtë vendit.