Publikohen modelet e testeve të Maturës Shtetërore. Bashkë me to Ministria e Arsimit u vë në dispozicion maturantëve edhe shpjeguesin e Programit të Orientuar të provimeve të detyruara të Letërsisë e Gjuhë Shqipe dhe Matematikë. Gjatë gjithë muajit maj, maturantët do të kenë mundësi të përgatiten mbi bazën e këtij fondi pyetjesh. Dje gjatë një konference për shtyp, specialistët e ministrisë bënë me dije se materialet do të shpërndahen brenda kësaj jave edhe në shkolla. Gazeta publikon të plotë shpjeguesit bashkë me modelet e testeve për letërsinë dhe matematikën. "Ky shpjegues shërben për të orientuar sa më mirë të gjithë maturantët, të cilëve u adresohet direkt, në përgatitjen e tyre për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore. Ai shërben gjithashtu për të gjithë mësuesit në organizimin e konsultimeve e përgatitjeve për këto provime, por dhe për prindërit dhe opinionin publik", bëri me dije MASH. Sipas specialistëve të saj, shpjeguesi përmban një fond të gjerë pyetjesh, sipas niveleve të ndryshme të vështirësisë dhe për të gjitha profilet e llojet e shkollave të mesme. Mbi këtë bazë do të formulohen edhe pyetjet e testeve të Maturës Shtetërore. "Përmes këtij shpjeguesi dhe një fondi kaq të gjerë pyetjesh, MASH synon të ndihmojë të gjithë maturantët për t'u përgatitur sa më mirë për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore", thuhet në deklaratën për mediat të këtij dikasteri. Shkolla këtë vit do të mbyllet më 21 maj. Pas provimit të parë të detyrueshëm, maturantët do t'i nënshtrohen më 1 qershor provimit të Letërsisë. Testin e matematikës do ta japin në datë 15 qershor. Pas kalimit me sukses të provimeve me detyrim, nëse duan të ndjekin një shkollë të lartë, ata duhet të japin edhe lëndët me zgjedhje në datën 30 qershor.


FAQET E PLOTA, MUND TI LEXONI NE FORMATIN PDF