Regjistrimet do të bëhen në urdhrat profesionalë përkatës. Pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit, kandidatit do t’i jepet titulli profesional përkatës



Në nëntor, të gjithë profesionistët që ushtrojnë profesione të lira do t’i nënshtrohen provimit të shtetit, për t’u licencuar. Pyetjet për provimin e shtetit do të përzgjidhen nga një kompani britanike, ndërkohë që do të bazohen në njohuritë specifike sipas secilit profesion. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, regjistrimet do të fillojnë pranë institucioneve përkatëse si, Urdhri i Mjekut, Farmacistit, Infermierit, Stomatologut, Dhoma e Avokatisë, Noterëve, Inxhinierëve etj. Në bazë të ligjit, provimi i shtetit është i rëndësishëm, pasi pa të nuk mund të ushtrohet një nga profesionet e lira, pavarësisht nëse je i diplomuar në degën përkatëse. Kandidati ka të drejtë ta japë provimin 5 herë, ndërkohë që ai do të jetë me shkrim dhe me gojë. Përsa i përket tarifave për kandidatin që e jep për herë të parë, vlera është 30 mijë lekë, për herë të dytë kjo shifër shkon në 50 mijë lekë. Kandidati që e jep provimin për herë të tretë do të paguajë 80 mijë lekë, për herë të katërt 100 mijë lekë, ndërsa për herë të fundit kjo shifër është katër herë më e lartë nga testi i parë, duke shkuar në vlerën e 120 mijë lekëve. Sipas rregullores së miratuar nga MASH, “Për organizimin e provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, provimi i shtetit realizon garancitë publike për përgjegjësitë, që sjell ushtrimi i një profesioni të rregulluar, dhe kryen testimin e njohurive të kandidatit që aspiron ushtrimin e një profesioni të rregulluar, duke siguruar uniformitet në vlerësimin e kandidatëve, në nivel kombëtar, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme profesionale, sipas specifikave të çdo profesioni. Përmbajtja e provimit të shtetit hartohet në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale. Pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit, kandidatit i jepet titulli profesional përkatës. Përjashtohet nga detyrimi për të dhënë provimin e shtetit profesionisti që, me hyrjen në fuqi të ligjit nr.10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, ushtron ose ka ushtruar një profesion të rregulluar profesionisti, i cili fiton të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar jashtë Republikës së Shqipërisë, në përputhje me përcaktimet e Këshillit të Ministrave.