Jonida Tashi



Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht shpjeguesin e programit të orientuar të provimeve me zgjedhje për Maturën Shtetërore 2010. Ditën e djeshme, Ministria e Arsimit ka publikuar paketën e dytë të shpjeguesit të programit të orientuar të provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore për 12 lëndët që janë: Kimi, Biologji, Fizikë, Histori, Gjeografi, Ekonomi-Filozofi, Njohuri për shoqërinë, Anglisht, Gjermanisht, Italisht, Frëngjisht dhe Spanjisht. Gazeta boton sot të plotë programet shpjeguese për katër lëndë me zgjedhje, për Njohurinë për shoqërinë, Ekonomi-

Filozofinë, Historinë dhe Gjeografinë. Në programet orientuese janë ilustruar shembuj për çdo linjë dhe nënlinjë, duke krijuar modele të pyetjeve që do të jenë në testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Gjithashtu, çdo program përmban tabela të ndërtimit të testit për çdo profil shkolle. Ministria e Arsimit sqaron se shpjeguesi i programit të orientuar do të shërbejë për të ndihmuar sa më mirë të gjithë maturantët në përgatitjen e tyre për provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, për të gjithë mësuesit, prindërit e aktorët e tjerë. Programi është përgatitur nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve (AVA), është konsultuar me ekspertë të këtyre profileve dhe është një përvojë e parë në ndihmë të maturantëve. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të përmbajnë për secilën lëndë 20 kërkesa, nga të cilat 10 janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 10 pikë dhe 10 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 30 pikë. Provimet me zgjedhje do të zgjasin 4 orë. Kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve për nxënësit që do të japin provim të Maturës njërën nga lëndët me zgjedhje është 2 orë. Këta nxënës do të zhvillojnë provimin në mjedise të veçanta. Testet për provimet e Maturës do të hartohen dhe administrohen nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), mbi bazën e programeve orientuese lëndore përkatëse. Përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës 2010 do të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit, të cilët emërohen përgjegjës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AVA. Pas përzgjedhjes së testit do të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave nga AVA.







7 Maj 2010