SHKRUAN: Jonida Tashi 12-07-2011 11:35

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht notat e dy provimeve me zgjedhje, dhe të fundit të Maturës, ku kanë marrë pjesë 48 mijë maturantë nga i gjithë vendi. Të gjithë maturantët dhe të interesuarit për rezultatet mund të gjejnë nëpërmjet ID personale të maturantit, notën e shkallëzuar në listat e mëposhtme. Me daljen e notave për katër provimet e Maturës, maturantët do të plotësojnë duke filluar që nga data 22 korrik Formularin A2, ku do të përcaktojnë 10 preferencat e tyre për studimet e larta. Me marrjen e kërkesave të maturantëve për studimet e larta, MASH do të nisë edhe procesin e llogaritjes së pikëve për secilin prej tyre, duke marrë në konsideratë notat e katër provimeve, mesataren e shkollës së mesme, si dhe pikët e konkursit të pranimit për degët specifike. Bazuar edhe në listën e rezultateve të publikuar mbrëmjen e djeshme nga MASH, tetë lëndët me zgjedhje më të preferuara këtë vit nga maturantët janë: Njohuri për Shoqërinë, Ekonomi-Filozofi, Gjeografi, Anglisht, Histori, Fizikë, Kimi dhe Biologji. Lëndët e drejtimit shoqëror kanë pasur më shumë kërkesa nga të rinjtë, çka do të thotë se edhe dëshirat e tyre për shkollën e lartë priren drejt degëve të fakulteteve me profil shoqëror.