SHKRUAN: Jonida Tashi 01-07-2011 11:08

Zbardhen përgjigjet e sakta të 97 mijë testeve për provimet me zgjedhje të Maturës. Ministria e Arsimit ka publikuar dje pasdite zyrtarisht skemat e vlerësimit të testeve për 17 lëndët me zgjedhje të Maturës. Gazeta boton sot të plota përgjigjet e sakta të testit për: Fizikën, Kiminë, Biologjinë, Historinë, Gjeografinë, Njohuri për shoqërinë, Ekonomi-Filozofinë, Anglishten dhe gjuhët e tjera të huaja, si dhe lëndët e tjera. Ditën e djeshme, rreth 48 mijë maturantë nga i gjithë vendi kanë dhënë provimet e fundit të Maturës Shtetërore, ato të lëndëve me zgjedhje. Provimi i lëndëve me zgjedhje maturantëve u ka kushtuar më shumë se dy testet e para. Pas provimit ata janë shprehur se kanë shkruar mjaftueshëm, por teza ka qenë e vështirë. Madje, sipas tyre, ndërtimi i pyetjeve ka qenë kompleks. Më shumë vështirësi maturantët kanë ndeshur në testin e Sociologjisë. Ndërkaq, MASH bën të ditur se pas përfundimit të provimit, 97 mijë testet e maturantëve/kandidatëve janë grumbulluar në Agjencinë Kombëtare të Provimeve dhe më pas do të shpërndahen në të 6 qendrat e vlerësimit, për t’u korrigjuar. Me përfundimin e provimeve me zgjedhje, mbyllet edhe kalvari i gjatë i testeve, ndërkohë që sfida për maturantët që pretendojnë të ndjekin studimet e larta nuk ka mbaruar. Ata më pas, me marrjen e rezultateve edhe të provimeve me zgjedhje, do të plotësojnë Formularin A2, duke renditur degët sipas preferencave të tyre. Edhe për këtë vit ky formular nuk pritet të ketë ndryshime, përveç faktit që në janë shtuar programet e studimit, duke e çuar në 290 numrin e degëve. Nga ana tjetër janë përcaktuar edhe koeficientet përkatës, ku Anglishtja si lëndë me zgjedhje ka koeficientin më të lartë 1.4. Pas provimeve me zgjedhje, në ditët në vijim pritet të dalin dhe rezultatet e provimit të Matematikës, për të nisur më pas vlerësimi i atyre me zgjedhje.