SHKRUAN: Jonida Tashi 05-02-2011 11:17

Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht shpjeguesit e provimeve me zgjedhje të Maturës 2011, ku tregohen se si do të jenë modelet e testeve për secilën lëndë. Gazeta boton sot të plotë shpjeguesit për gjashtë provime me zgjedhje të Maturës: Fizikë, Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi dhe Njohuri për shoqërinë. Në këto materiale jepen modele pyetjesh sipas linjave të programeve orientuese të Maturës Shtetërore për provimet me zgjedhje.


Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës, do të përmbajnë: i historisë 20 pyetje, formati i të cilave do të jetë 10 pyetje me alternativa dhe 10 me zhvillim. Përgjigjja e saktë e çdo pyetjeje me alternativa do të vlerësohet me një pikë. Kurse pyetjet e hapura do të jenë të strukturuara dhe do të vlerësohen me aq pikë sa kërkesa do ketë pyetja. Në total, testi i çdo provimi me zgjedhje të Maturës do të vlerësohet me 40 pikë dhe do të ndërtohet në tre nivele: 40 % e pyetjeve janë të nivelit të parë, 40 % të nivelit të dytë, 20 % të nivelit të tretë. Shpërndarja e pyetjeve në test do të bëhet sipas linjave të programit dhe peshës që zë secila linjë në programet orientuese të Maturës Shtetërore 2011.