Nis procesi i bashkërendimit të rezultateve për të gjithë maturantët


Jonida Tashi



Përfundon korrigjimi i afro 40 mijë testeve të provimeve me zgjedhje të Maturës. Burime nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), bëjnë të ditur se katër qendrat e vlerësimit të testeve të Maturës, kanë mbyllur procesin e korrigjimit dhe tashmë pritet të nis ai i bashkërendimit të rezultateve. Aktualisht, tri qendrat e vlerësimit të testeve në rrethet Fier, Elbasan dhe Shkodër kanë nisur dërgimin e testeve të korrigjuara drejt asaj të kryeqytetit, ku do të bëhet konvertimi i pikëve përkatëse në notë sipas skemës përkatëse, që është e njëjtë për të gjithë vendin. Paralelisht me procesin e kthimit të pikëve të çdo maturanti në notë, Agjencia e Pranimeve në Universitete (APRIAL), do të bëjë bashkërendimin e rezultateve të arritura në provimet me zgjedhje me identitetin e maturantit. Ditën e premte të kësaj jave pritet që maturantët të njihen me notat e provimeve me zgjedhje, të cilat janë prova e fundit që duhet të kalojë një maturantë për të hyrë në universitet. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve të provimeve me zgjedhje, do të nisë dhe procesi i përllogaritjes së pikëve për në universitet, sipas pesë komponentëve të Maturës Shtetërore 2009, nëpërmjet të cilëve përcaktohen kandidatët fitues, sipas kuotave për çdo universitet publik.

Mesatarja

Përveç rezultateve të grumbulluara në të katër provimet e Maturës, në përzgjedhjen e fituesve të universiteteve një peshë të veçantë do të ketë edhe nota mesatare e shkollës së mesme. Nota mesatare është nota e të katër ose pesë vjetëve të studimit që ka kryer kandidati, që vendoset në Dëftesën e Pjekurisë së maturantit në përfundim të shkollës së mesme. Për nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme në vitet e kaluara shkollore (2006–2007, 2007–2008), do të merret nota mesatare e shënuar në dëftesë, ndërsa për nxënësit që kanë mbaruar para vitit 2007, do të nxirret nota mesatare e katër ose pesë vjetëve të studimit. Në këtë llogaritje nuk do të merren parasysh notat e provimeve të Maturës. Në shkollat përkatëse gjenden të gjitha dëftesat origjinale për maturantët që kanë plotësuar formularin A1-Z, të cilat do të shërbejnë për nxjerrjen e notës mesatare.

Fituesit

Përzgjedhja e fituesve do të bazohet në bazë të pikëve të grumbulluara nga ky procesi përllogaritës i pikëve. Për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara, ku në këtë listë evidentohen dhe fituesit. Ndërsa për programet e studimit të Akademisë së Arteve, Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, për programin e studimit “Edukim fizik dhe Sporte” të Universitetit të Shkodrës dhe të Universitetit të Elbasanit, për programin e studimit “Arkitekturë” të Universitetit Politeknik të Tiranës si dhe për programin e studimit “Pedagogji e specializuar” e Universitetit të Vlorës, në përllogaritjen e pikëve do të merren parasysh rezultatet e konkurseve të pranimit. Për programet e studimit të mësipërme, përveç programit të studimit “Pedagogji e specializuar” nuk merren në konsideratë rezultatet e provimeve me zgjedhje. Përcaktimi i kandidatëve fitues do të bëhet pas llogaritjes së pikëve përkatëse për të dhjetë preferencat e listuara në formularin A2. Fillimisht kontrollohet preferenca e parë. Nëse rezultoni fitues që në këtë preferencë, rrjedhimisht shpalleni kandidat për tu regjistruar në universitet. Nëse nuk jeni fitues në preferencën e parë, kontrollohet preferenca e dytë e kështu me radhë deri në preferencën e 10-të. Sipas rregullores, maturantët do të shpallen fitues vetëm nëse kanë mbledhur pikët e nevojshme në preferencën më të lartë. Specialistët pohojnë se kandidatët do të jenë fitues vetëm në një program studimi: në atë të preferencës më të lartë. Kështu, megjithëse një maturant mund ta shohë veten në fillimet e listës në disa degë fakultetesh, ai do do të jetë fitues vetëm në atë program studimi, që i takon preferencës së tij më të lartë.







12 lëndët me zgjedhje të Maturës

Histori

Gjeografi

Njohuri për Shoqërinë

Ekonomi-Filozofi

Fizikë

Kimi

Biologji

Anglisht

Histori

Frëngjisht

Italisht

Gjermanisht

Spanjisht





Mbetësit në provime

Si do të zhvillohen provimet me detyrim të Maturës në sesionin e dytë



Maturantët që nuk kanë mundur t’i marrin provimet me detyrim të Maturës, duhet të rifuten në këto provime gjatë sesionit të dytë. Sipas datave të përcaktuara nga kreu i Ministrisë së Arsimit, Fatos Beja, provimi Letërsi-Gjuhë shqipe do të zhvillohet në datën 8 tetor, ndërsa ai i Matematikës në datën 15 të po këtij muaji. Nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave social-kulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar, që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, me përfundime (nota) vjetore jo-kaluese, kanë të drejtë ti japin ato provime klase me gojë në sesionin e dytë të po atij viti shkollor. Kur nxënësi vlerësohet kalues në provimet e klasës, ka të drejtë të pranohet në sesionin e dytë të Maturës, të po atij viti shkollor. Para zhvillimit të provimeve të Maturës në sesionin e dytë, çdo Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyrë Arsimore (DAR/ZA) duhet të paraqesë në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), një muaj para datës së zhvillimit të provimit të parë të detyruar të sesionit të dytë, listën e nxënësve që kanë plotësuar formularin A1, të cilët kanë qenë me një ose dy lëndë pakaluese në fund të vitit shkollor, por i kanë dhënë provim këto lëndë në sesionin e vjeshtës dhe kanë fituar të drejtën të hyjnë në provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore. Lista dorëzohet me shkresë zyrtare dhe në formë elektronike. Bashkë me këtë listë dorëzohet në AVA edhe lista e mjediseve ku do të zhvillohen provimet. Hartimi i testeve përfundimtare për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e dytë do të bëhet nga persona të përcaktuar me urdhër të brendshëm të drejtorit të AVA-s. Në AVA, do të bëhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave. Ndërsa shpërndarja e dokumentacionit të përgatitur nga AVA, për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e dytë do të bëhet sipas grafikut të hartuar nga ky institucion. Dokumentacioni i provimeve tërhiqet pranë AVA-s një ditë para datës së zhvillimit të provimit nga përfaqësuesi i autorizuar prej drejtorit të DAR-së, shoqëruar nga përfaqësuesi i MASH-it në DAR/ZA dhe ruhet në ambiente të sigurta. DAR-të duhet tërheqin edhe dokumentacionin e ZA-së që kanë në vartësi. Provimet do të zhvillohen në mënyrë të përqendruar në mjedise, të përcaktuar nga DAR/ZA-të, duke zbatuar të njëjtat rregulla dhe procedura sipas “Rregullores së zhvillimit të Maturës Shtetërore”.



Datat e sesionit të dytë

Datat e zhvillimit të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e dytë janë:



Letërsi dhe Gjuhë shqipe 08 tetor 2009

Matematikë 15 tetor 2009





22 Korrik 2009