Rezultatet provimit të parë të detyruar të Maturës, Letërsisë, pritet të publikohen brenda kësaj jave. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit, bëjnë të ditur se vlerësimi i testeve katër qendra, ndryshe nga një vit më parë kërkon më tepër kohë, pasi e është e rëndësishme që vlerësimi të jetë tepër i saktë. Ndërsa përsa i përket mënyrës së shpalljes së rezultateve MASH sqaron se afishimi i tyre do të bëhet në shkollat përkatëse të maturantëve. Sipas rregullores, shpallja e rezultateve të çdo provimi të Maturës, bëhet jo më shumë se 15 ditë pas çdo provimi. Provimi i parë i Maturës Shtetërore u zhvillua në të gjitha shkollat e mesme të vendit në datën 9 qershor. Më 12 qershor 155 korrigjues nisën punën në katër qendrat e vlerësimit për korrigjimin e 33.400 testeve të Letërsisë. Bazuar në Rregulloren e Maturës Shtetërore, vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga kandidati për kërkesën përkatëse mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo kandidat. Po ashtu, çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme, e dhënë nga maturantët në provime për çdo kërkesë, do të vlerësohet me pikë sipas skemës së vlerësimit. Sipas Rregullores së Maturës, maturantët do të vlerësohen me zero pikë nëse do të japin përgjigje të gabuar ose nuk japin asnjë përgjigje.



19 Qershor 2008