10/05/2010 Përbërja e pyetjeve në teza do të ndryshojë sipas llojit të shkollës së mesme që ka kryer nxënësi


Njohuritë që duhet të përvetësojnë maturantët, sipas temave që do të bien në provim


Rëndësia e temave


Profili i shkollës së mesme do të specifikojë edhe llojin e testit që maturanti do të duhet të plotësojë për provimin e dytë të detyruar të Maturës 2010 (Matematikë). Aktualisht ekspertët pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve bëjnë të ditur se është hartuar fondi total i pyetjeve, nga ku do të merren 25 pyetjet finale që do të përmbajë testi. Përbërja e pyetjeve nuk do të ndryshojë vetëm në varësi të nivelit të njohurive që kanë nxënësit, por edhe nga lloji i shkollës së mesme që ky maturant ka ndjekur. Kështu, nxënësit që kanë mbaruar shkollat e mesme profesionale, qoftë të natyrave artistike apo sportive, nuk do të kenë të njëjtën shkallë vështirësie të pyetjeve si ata që kanë mbaruar shkollën e mesme të profilizuar me drejtim natyror apo shoqëror.


Variantet


Specialistët e arsimit bëjnë të ditur se në ditën e provimit do të shpërndahen tek të gjithë aplikuesit për universitet 7 lloje të ndryshme testesh, të cilat do të shërbejnë edhe për kategorizimin e pyetjeve. Tashmë mësuesit, gjatë punës për përgatitjen e nxënësve për provimet e Maturës Shtetërore, para mbylljes së vitit shkollor duhet të zhvillojnë testime të nxënësve me teste që mund t’i hartojnë vetë. Gjatë hartimit të tyre duhet mbajtur parasysh pesha për çdo linjë të përmbajtjes, si edhe përfshirja e kërkesave të tri niveleve të vështirësisë, në raportet 2:2:1(duke filluar prej nivelit minimal), pasi në këtë formë do të jenë edhe variantet finale të testeve të 15 qershorit. Kërkesat e provimeve do të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë e me shtjellim të argumentuar. Zgjidhja e problemave do të zërë një pjesë të rëndësishme të pyetjeve që duhet të plotësojë nxënësi. Veçanërisht për shkollat e mesme artistike e sportive, nxënësit do të duhet të përvetësojnë temat mësimore që kanë të bëjnë me: “Numri (kuptimi i numrit, bashkësitë numerike, veprime me numrat, njehsimet), shprehjet me ndryshore dhe shndërrimet algjebrike të tyre, ekuacionet dhe inekuacionet së bashku me sistemet e tyre, funksionet, figurat gjeometrike, duke përfshirë vetitë dhe shndërrimet e tyre, si dhe kapitullin e matjeve. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit për secilin nga profilet e shkollave të mesme do të gjeni të detajuar edhe peshën apo rëndësinë që do të ketë secila temë në provimin final.


Testet


Në udhëzimin e publikuar pak kohë më parë nga Ministria e Arsimit, është specifikuar që testi i Matematikës do të përmbajë 25 kërkesa në total, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë, si dhe 12 kërkesa të tjera do të jenë me zhvillim, që do të vlerësohen në total me 37 pikë. Ndërkohë që duke filluar nga data 25 maj, specialistët do të ngujohen në ambientet e AVA-s për hartimin e varianteve përfundimtare të provimeve të detyruara. Duke filluar nga data 25 maj deri më 1qershor ngujimi do të jetë për ekspertët e Letërsisë, ndërsa nga 8 deri më 15 qershor do të jetë për provimin e Matematikës, si dhe nga 23 qershor deri më 30 qershor për hartimin e tezave të provimeve me zgjedhje.


Numrat e regjistrimit (barkodet)


Secili prej maturantëve që do të marrë pjesë në provime do të ketë një numër unik identifikimi, i cili do të zbulohet vetëm pasi të jenë korrigjuar testet, për të bërë lidhjen e pikëve të arritura me emrin e kandidatit që është përfshirë në garën e pranimeve për universitet. Bazuar në të dhënat e dorëzuara si nga maturantët e rinj e të vjetrit, (nëpërmjet plotësimit të Formuarit A1), AVA do të pajisë të gjithë aplikuesit me një numër të caktuar regjistrimi, i cili do të afishohet nëpër shkolla një ditë pas mbylljes së vitit shkollor. Lista e numrave të regjistrimit do të përcaktohet sipas një rendi zbritës, sipas të dhënave të mbledhura për të gjitha shkollat e mesme. Ndërkohë që në bazë të kësaj liste do të bëhet dhe grumbullimi i testeve dhe shpërndarja e tyre e mëpasshme pranë qendrave ku do të bëhet korrigjimi.


Shkollat profesionale


Në shkollat e mesme të arsimit profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare, provimet përfundimtare do të jenë formimi teorik profesional, si dhe formimi praktik profesional. Kjo kategori maturantësh do t’u nënshtrohet rregullave të tjera të provimeve nga ato të shkollave të mesme. Rregullorja e provimeve ka përcaktuar se për këta maturantë përgatitja e tezave të provimit do të hartohet nga vetë shkolla për lëndët që janë të detyruara. Gjithashtu edhe datat e provimeve do të specifikohen nga drejtoritë e shkollave, sipas një kalendari të caktuar; dhënia e provimeve për këtë kategori duhet të bëhet në data të përafërta me ato të maturantëve që tashmë kanë aplikuar për pranimet në shkollat e larta.