SHKRUAN: Jonida Tashi 14-09-2011 13:28

Pyetjet që do të përzgjidhen me short për të qenë pjesë e testeve të Provimit të Shtetit për të gjitha profesionet e rregulluara do të nxirren nga një bankë me rreth 9 mijë ushtrime. Sipas disa ndryshimeve të bëra së fundi në ligjin nr.10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që janë miratuar edhe nga Këshilli i Ministrave, për të realizuar Provimin e Shtetit, në mbështetje të kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, duhet të hartohen paraprakisht rreth 9 mijë pyetje për 50 specialitete apo drejtime studimi, që do të shërbejnë si banka/fondi i pyetjeve për profesionet e rregulluara, për vitin 2011-2012. Nga 9 mijë pyetje/ushtrime, rreth 2280 pyetje do të hidhen me short dhe do të jenë pjesë e pyetësorëve në ditën e testimit dhe, sipas përllogaritjeve, vetëm hartimi i pyetjeve ka një kosto të parashikuar prej 11 397 800 lekësh. Ndërkaq, testi i Provimit të Shtetit për një profesion të caktuar do të ketë rreth 50 pyetje, ndërsa do të vlerësohet në total me 100 pikë. Ndërkohë që për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit, për kandidatët që do t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit, do të duhen mbi 50 pikë. Sipas rregullores së MASH për Provimin e Shtetit, provimi me shkrim vlerësohet si i kryer me sukses nëse kandidati merr jo më pak se 50 pikë nga 100 të mundshme. Kështu, Provimi i Shtetit do të cilësohet i kryer me sukses nëse në provim kandidati është vlerësuar së paku me notën 5 (kalueshëm). Kandidati i vlerësuar me notën 4 (jokalueshëm), përsërit provimin. Rezultati i provimit do të shpallet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) dhe Urdhri Profesional (UP). AKP-ja i përcjell UP-së listën e rezultateve të provimit të shtetit, ku përfshihen: nota dhe pikët e provimit; kufiri i kalimit me sukses. Nëse gjatë korrigjimit të provimeve konstatohen gabime në pyetje, këto të fundit nuk do të merren parasysh. Në këtë rast ulet edhe numri maksimal i pikëve, ndërkohë që edhe vlerësimi fillon nga ky numër i zvogëluar i pikëve, që nuk duhet të jetë në disavantazh, qoftë edhe të një kandidati të vetëm. “AKP-ja ka të drejtë që, në rast se evidenton shkelje të rënda të rregullave të provimit, t’i propozojë Komisionit të Provimit të Shtetit vlerësimin e kandidatit që thyen rregullat, me notën 4-jokaluese. AKP-ja mban procesverbal, ku evidenton shkeljet e konstatuara. Nëse konstatohet se në një qendër provimi provimi nuk është zhvilluar sipas rregullave, atëherë për kandidatët e kësaj qendre kjo pjesë e provimit duhet të vlerësohet si jo e kryer. Vendimi për këtë është në kompetencë të AKP-së dhe KPSH-së”, - sqarohet në rregullore. Pas provimit, kandidati ka të drejtë të verifikojë përgjigjet e dhëna dhe të ankimojë nëse ka kontestime për rezultatin. Për këtë, kandidati paraqet ankesën me shkrim pranë AKP-së brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve. AKP-ja shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje të argumentuar brenda 30 ditëve. Në rastet kur AKP-ja sugjeron rivlerësimin e rezultatit, kërkohet vendimi i Komisionit të Provimit të Shtetit. Ndërsa për rastet kur një kandidat nuk paraqitet në provim ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar. Rregullorja përcakton se tërheqja nga Provimi i Shtetit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit.




Të dhëna për testet


11 397 800 lekë është parashikuar të jetë kostoja vetëm për hartimin e pyetjeve


9 000 pyetje duhet të hartohen paraprakisht për të gjitha testet e Provimit të Shtetit


2 280 pyetje do të hidhen me short dhe do të jenë pjesë e pyetësorëve në ditën e testimit


50 specialitete do të përfshihen në profesionet e rregulluara, për vitin 2011-2012


50 pyetje do të ketë testi për një specialitet, që do të vlerësohet në total me 100 pikë



Vlerësimi i provimit


Për vlerësimin e Provimit të Shtetit, përdoret shkalla e mëposhtme e vlerësimit:


Kandidati vlerësohet me notën 10 (shkëlqyeshëm) nëse merr 95-100 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 9 (shumë mirë) nëse merr 85-94 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 8 (mirë) nëse merr 75-84 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 7 (kënaqshëm) nëse merr 65-74 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 6 (mjaftueshëm) nëse merr 55-64 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 5 (kalueshëm) nëse merr 50-54 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 4 (jokalueshëm) nëse merr më pak se 50 pikë.