Ka përfunduar dje provimi i parë i maturës, letërsia. Mbi 33 mijë maturantë u testuan për dijet e tyre në lëndën e letërsisë dhe gjuhës. Çdo test përmbante nga 25 pyetje dhe nxënësit kishin në dispozicion 2 orë e gjysmë për t‘i zgjidhur. "Pyetjet ishin mesatarisht të vështira dhe autorët mjaft të njohur", thotë Briseida Meta, nxënëse e shkollës së mesme të përgjithshme "Qemal Stafa", në Tiranë. Nëpër gjimnaze kanë rënë autorët Shekspiri dhe Migjeni për profilin shoqëror dhe Kafka e De Rada për profilin natyror. Ministria e Arsimit njoftoi dje në mesditë se gjithçka ka shkuar normalisht në të gjitha rrethet e vendit. "Provimi u zhvillua pa probleme për 33.400 maturantët pjesëmarrës", tha zëdhënësja, ndërsa shtoi se "rreth 2000 administratorë të provimit u përfshinë në këtë proces". Por zyrtarë të Drejtorisë Arsimore në Korçë thanë se është shënuar një incident i vogël në këtë qytet. Rreth 20 nxënës të shkollës së gjuhëve të huaja "Faik Konica" kanë bojkotuar provimin, sapo kanë marrë në dorë testet. Ata janë shprehur të indinjuar se pyetjet janë shumë të vështira dhe nuk i përmbahen programit mësimor të tyre. Autoritetet e arsimit në këtë rreth sqarojnë se "mësuesit kanë sqaruar nxënësit dhe më në fund ata kanë pranuar të kthehen në klasë për të zgjidhur testin". Qendra e Provimeve (AVA) në Tiranë hartoi 7 variante testesh, dy për shkollat e mesme të përgjithshme, për profilin natyror dhe shoqëror dhe 5 për shkollat e mesme profesionale. Maturantët u testuan krahas njohurive për letërsinë, edhe për gjuhën shqipe. Pyetjet e letërsisë ishin në masën 70 për qind dhe ato të gjuhës në masën 30 për qind.



Testet e plotësuara nën masa të forta sigurie janë transportuar gjatë ditës së djeshme drejt Tiranës dhe janë mbledhur në shkollën 9-vjeçare "Sabaudin Gabrani". Pas marrjes në dorëzim të të gjitha kutive të shkollave të vendit dhe verifikimit të dokumentacionit, kutitë me teste do të shpërndahen për t‘u korrigjuar në 4 qendra vlerësimi në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier. Afro 155 korrigjues të testeve do të fillojnë nga puna ditën e enjte, më 12 qershor 2008, në këto 4 qendra. Pritet që vlerësimi të kryhet në një afat më të shkurtër se një vit më parë, pasi janë angazhuar më shumë mësues në korrigjimin e testeve.





P.S.(pergjigjet e sakta mund t‘i lexoni ne formatin PDF te gazetes Shqip)