Përfundoi dje normalisht provimi i Gjuhë-Letërsisë i Maturës Shtetërore 2009. Gazeta "Shqip" publikon për lexuesit e saj përgjigjet e sakta të variantit A të profilit shoqëror të gjimnazeve; si dhe variantet A dhe B të profilit natyror të gjimnazeve. Provimi filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10.00 të paradites së djeshme dhe zgjati 2 orë e gjysëm. Ashtu si edhe vitet e kaluara maturantët u testuan krahas njohurive për letërsinë, edhe për gjuhën shqipe. Në tezën e letërsisë, për profilin natyror janë shkëputur pjesë nga "Kinemaja e vjetër" e shkrimtarit Ismail Kadare, si dhe nga "I huaji" i Kamysë. Ndërsa, profili shoqëror ka patur pjesën "Jetë qytetse" të Migjenit, si dhe "Metamorfozën" e Kafkës.



Pas mbarimit të provimit, maturantët thanë se ai ishte i lehtë e deri diku mesatar, për njohuritë që ata kishin marrë.



Në provim morën pjesë gjithsej 38.499 maturantë dhe u testuan për 7 lloje të ndryshme testesh të gjuhës dhe letërsisë.



2.500 administratorë të provimit (AP) u përfshinë në këtë proces dhe mbikqyrën maturantët në 282 mjediset e provimit të përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale.



Në faqen e internetit të MASH-it (www.mash.gov.al ) janë publikuar të plota përgjigjet e kërkesave (pyetjeve) të testit të gjuhë-letërsisë", për të gjitha profilet e shkollave të mesme.



Në një konferencë për shtyp, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Halit Shamata tha dje se "në orën 22.00 të mbrëmjes, filloi shpërndarja e testeve të provimit të parë të detyrueshëm për Maturën Shtetërore 2009, atë të Gjuhë-letërsisë nga Agjensia Qëndrore e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) në drejtim të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore (DAR/ZA)"`. Ai sqaroi se



sipas një grafiku të caktuar, zonat më të thella tërhoqën të parat testet e provimit. Shpërndarja filloi me Tropojën, për të përfunduar me Tiranën, në orën 6.00 të mëngjesit, të ditës së provimit. Të gjitha makinat që kryen transportin drejt Drejtorive Arsimore Rajonale u shoqëruan nga Policia e Shtetit.



"Nga raportimet e vazhdueshme për shtabin e ngritur në MASH, gjatë 24 orëve të shpërndarjes dhe kryerjes së provimit, në 37 Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore gjithçka eci normalisht", u shpreh Shamata.





Shenim: Pergjigjet mund ti lexoni ne PDF