Përfundon provimi i dytë i Maturës Shtetërore. Arsimi: Hartimi i tezës u përgatit në fshehtësi

Maturantët i kanë dhënë fund dje një tjetër “ankthi”. Pas përfundimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore, atij të letërsisë, të rinjtë i janë nënshtruar testit të dytë, të matematikës. Oborret e shkollave të mesme gjatë ditës së djeshme ishin të mbushura plot me maturantë dhe prindër, të cilët u jepnin kurajë dhe u uronin suksese fëmijëve të tyre.


E megjithatë qetësia u ndie kur ra “gongu” dhe të gjithë të rinjtë u dërguan në mjediset e përcaktuara nga drejtoritë përkatëse për të zhvilluar provimin e matematikës. Ora 10.00 shënoi fillimin zyrtar të këtij testi në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Afro 38 mijë kandidatë për studentë iu nënshtruan provimit të matematikës, me shpresën për të arritur rezultate të mira dhe për të qenë pjesë e auditorëve në fakultetet e tyre të preferuara. Të rinjtë kanë vënë në provë dje dijet dhe njohuritë e tyre në lëndën e matematikës, nëpërmjet një testi të përgatitur me kujdes nga ekspertët e fushës. Hartimi i tezave është realizuar në mënyrë të fshehtë nga specialistë të kualifikuar, misioni i të cilëve ishte i përcaktuar nga Ministria e Arsimit. Shpërndarja e tezës së matematikës ka nisur para dy ditësh në të gjitha drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore përkatëse. Provimi filloi njëkohësisht në orën 10.00 të mëngjesit të djeshëm dhe përfundoi në orën 12.30, duke shënuar kështu një kohëzgjatje prej 2 orësh e 30 minuta. Procesi i zhvillimit të provimit të matematikës, njësoj si ai i letërsisë, është monitoruar nga përfaqësues të Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar dhe të DAR-ve e ZA-ve të vendit. Sipas drejtorive arsimore rajonale, ecuria e procesit të zhvillimit të testit ka qenë më se normale dhe e qetë. Menjëherë pas përfundimit të provimit të matematikës, të gjitha testet e maturantëve janë nisur në drejtim të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, nën sigurinë e forcave të rendit. Shpërndarja e tyre do të bëhet në katër qendrat kryesore të vlerësimit të tezave për të gjithë Shqipërinë. Sakaq, çdo maturant, prind, institucion dhe çdo i interesuar për provimin e kësaj lënde mund t’i gjejë përgjigjet në faqen internetit të MASH-it (www.mash.gov.al).








#