Kriteret për ushtrimin e profesioneve të rëndësishme me interes publik. Kush përjashtohet nga detyrimi për të zhvilluar provimin e shtetit


Eljona Ballhysa

Personat që diplomohen në një nga degët e universiteteve që kanë interes të drejtpërdrejtë për publikun duhet të japin provimin e shtetit në mënyrë që të punësohen. Kjo është e parashikuar në projektligjin e miratuar së fundi nga qeveria dhe që është depozituar në Kuvend për t’u shqyrtuar. Provimin e shtetit duhet ta japin të gjithë studentët që mbarojnë universitetin në degët e Mjekësisë, Infermierisë, Stomatologjisë, Mamisë, Inxhinierisë, Arkitekturës dhe të tjera degë që e kanë të detyruar me ligj të veçantë. Provimi i shtetit realizon garancitë publike për përgjegjësitë që sjell ushtrimi i një profesioni të rregulluar me ligj. Provomi kryen testimin e njohurive të kandidatit që aspiron ushtrimin e një profesioni duke siguruar uniformitet në vlerësimin e kandidatëve në nivel kombëtar, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme sipas specifikave të çdo profesioni. Në draftin e depozituar në Kuvend parashikohet se përmbajtja e provimit të shtetit për formim profesional do të hartohet në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale dhe me programin e studimit. Pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit kandidatit i jepet titulli profesional përkatës.

Organizimi

Provimi i shtetit organizohet dhe zhvillohet nga ministria që mbulon fushën e arsimit, në bashkëpunim me autoritetin kompetent. Me urdhër të ministrit të Arsimit ngrihet Komisioni Kombëtar i Vlerësimit, që përbëhet nga një përfaqësues i caktuar drejtpërdrejt nga ministri, një përfaqësues i autoritetit kompetent, një përfaqësues anëtar i Urdhrit Profesional përkatës, si dhe dy përfaqësues të personelit akademik të universiteteve të akredituar për programin përkatës të studimit. Këta të fundit duhet të kenë titullin shkencor “Profesor” dhe të kenë të paktën 10 vjet përvojë punë në institucionet e arsimit të lartë.

Pjesë e provimit të shtetit është dhe praktika profesionale që synon përvetësimin efektiv të njohurive teknike, praktike dhe etike të profesionit. Praktika profesionale zhvillohet në drejtimin e një profesionisti, person fizik apo juridik. Urdhri Profesional përkatës nëpërmjet strukturave të veta siguron që praktika të kryhet në drejtimin e një profesionisti të fushës që e ushtron profesionin e tij prej jo më pak se tre vjetësh dhe që jep garanci të mjaftueshme për përgatitjen teorike-praktike. Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i jepet një pagesë prej jo më pak se 50% e rrogës bazë. Pagesa apo shpërblimi vlerësues bëhet nga profesionisti, i cili drejton praktikën profesionale. Përjashtohet nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale çdo individ që provon se për një periudhë të caktuar dhe në përputhje me kriteret specifike të profesionit ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, brenda ose jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë një përvojë profesionale të mjaftueshme në fushën e këtij profesioni. Autoriteti kompetent, në bashkëpunim me Urdhrin Profesional, përcakton kriteret që përdoren për të vlerësuar nëse përvoja profesionale e kandidatit është e mjaftueshme për t’u përjashtuar nga detyrimi i kryerjes së praktikës profesionale përmes një vendimi përfundimtar. Në Nenin 12 të këtij projektligji parashikohet se çdo profesionist, për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, duhet të regjistrohet në Urdhrin Profesional përkatës. Misioni i Urdhrit Profesional është ruajtja e standardeve të larta të formimit dhe të ushtrimit të profesionit të rregulluar si dhe mbrojtja e publikut nga kequshtrimi i profesionit. Personat që ushtrojnë një profesion të rregulluar organizohen nga UP për përfaqësim institucional, pa përjashtuar përfaqësimin në sindikata.







Profesionet e rregulluara

Mjek

Mjek i specializuar

Dentist

Dentist i specializuar

Farmacist

Infermier

Mami

Veteriner

Arkitekt

Inxhinier



Kush përjashtohet nga detyrimi i provimit të shtetit



Projektligji i qeverisë “Për profesionet e rregulluara” në Republikën e Shqipërisë përjashton nga detyrimi për të kryer provimin e shtetit për formim profesional të gjithë ata profesionistë, shqiptarë apo të huaj, të cilët ushtrojnë një profesion të rregulluar në Shqipëri para hyrjes në fuqi të këtij ligji, apo që e fitojnë këtë të drejtë pas hyrjes në fuqi të ligjit. Një ndër objektivat kryesorë të ligjit është të tërheqë në tregun shqiptar profesionistë, shqiptarë apo të huaj, të formuar jashtë kufijve të Shqipërisë, veçanërisht në vendet që ofrojnë nivel të lartë formimi profesional, siç janë vendet e Bashkimit Europian, për ngritjen e nivelit të shërbimeve të ofruara dhe krijimin e një tregu konkurrues e të hapur pune.



Përgjegjësitë që duhet të mbajnë profesionistët dhe përfitimet



Projektligji në fjalë parashikon edhe përgjegjësitë që duhet të mbajë profesionisti i fushës apo shoqëria profesionale. Po kështu, në këtë draft janë parashikuar edhe masat disiplinore ndaj profesionistit që shkel detyrimet gjatë ushtrimit të një profesioni të rregulluar me ligj. Projektligji parashikon një kuadër ligjor të përgjithshëm për profesionet e rregulluara, ndaj dhe është parashikuar që llojet e masave disiplinore, procedurat e dhënies së tyre, mënyra e ankimimit, parashkrimi apo shuarja e tyre do të përcaktohen me një ligj të veçantë në çastin e krijimit të Urdhrit Profesional. Ekspertët kanë parashikuar që në një perspektivë më të largët ky projekt të mundësojë njohjen profesionale në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian. Ngritja e nivelit të formimit dhe të kualifikimit të studentëve në ato profesione të lira, të cilat do të vlerësohet të rregulluara, nëpërmjet konkurrencës së lirë ndërmjet institucioneve të arsimit, filtrit të provimit të shtetit për formimin profesional si dhe përmirësimit të profesioneve nëpërmjet krijimit të Urdhrit Profesional mendohet se do t’i hapë rrugë njohjes së kualifikimeve profesionale nga vendet e BE-së. Objektivi përfundimtar është lëvizja brenda hapësirës europiane të të gjithë profesionistëve që ushtrojnë profesionet që kërkojnë një nivel të përparuar formimi. Njohja profesionale mund të bëhet midis vendeve që kanë nivel formimi profesional të përafërt.





24 Shtator 2009