SHKRUAN: Jonida Tashi 09-11-2011 13:13

Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon pyetjet orientuese dhe procedurat për ditën e zhvillimit të provimit




Shpallen pyetjet orientuese të provimit të shtetit për të gjitha specialitetet e Mjekësisë së Përgjithshme dhe Stomatologjisë. Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) ka publikuar dje zyrtarisht pyetjet për këto profesione, si dhe udhëzimin me procedurat që duhet të ndiqen nga kandidatët gjatë ditës së zhvillimit të provimit. Kështu, sipas udhëzuesit, provimet e shtetit do të zhvillohen brenda periudhës kohore: java e tretë e nëntorit deri në javën e dytë të dhjetorit, përmes teknologjisë dixhitale. Përsa i përket vendit, provimet e shtetit do të zhvillohen në godinën e AKP-së, në adresën: rruga. “Qemal Stafa”, Nr.37.


Pyetjet e provimit janë në kompetencë të Komisionit të Provimit të Shtetit. Ato synojnë të vlerësojnë njohuritë e përgjithshme të kandidatit për profesionin përkatës. Pyetjet e provimit të shtetit janë me alternativa dhe vetëm një nga alternativat është


përgjigje e saktë. Pyetjet shfaqen në monitorin e kompjuterit të kandidatit dhe me një klikim zgjidhet pyetja e dëshiruar. Pyetja me alternativa është në një kuadrat me ngjyrë portokalli. Klikimi mbi këtë kuadrat ndryshon ngjyrën e kuadratit. Klikimi mbi alternativë nuk konsiderohet automatikisht si përgjigje e pyetjes. Kandidati ka të drejtë të klikojë më shumë se një herë mbi alternativat pastaj ta konfirmojë atë. Pas dhënies së përgjigjes, në monitor shfaqet njoftimi “Zgjidhni pyetje tjetër!”. Në monitorin e kompjuterit shfaqet edhe koha e mbetur në dispozicion, deri në përfundimin e provimit. Koha e provimit përfundon kur në monitor shfaqet tabela përmbledhëse e dhënies së përgjigjeve e ballafaquar me përgjigjet e sakta, sasinë e pikëve të grumbulluara si dhe përqindja e pikëve të grumbulluara. Kur koha e provimit përfundon, automatikisht printohet një dokument vërtetimi, me foto, shoqëruar me informacionin e sipërpërmendur. Nëse të gjitha pyetjet janë me alternativa, kandidatit mund t’i printohet menjëherë certifikata me rezultatin e provimit të shtetit. Provimi me shkrim vlerësohet si i kryer me sukses nëse kandidati merr jo më pak se 50% të pikëve të mundshme.