29 mijë nxënës preferojnë sociologjinë, 7 mijë historinë, ndërsa 6 mijë të tjerë spanjishten

Specialistët që do të hartojnë provimet me zgjedhje, do të jenë të ndarë në tre grupe specifike. Kjo është një nga risitë më të fundit të parashikuara nga Ministria e Arsimit. Grupi i parë i specialistëve, që do të hartojnë provimet me zgjedhje, pritet të ngujohet të mërkurën në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Nxënësve. Grupi i dytë do të përgatisë 20 pyetje më shumë nga sa do të përfshihen në tezën e testit të secilës lëndë. Ndërkohë që provimi i njërës lëndë me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, kundrejt 25 kërkesave që përmbanin testet e detyruara të Letërsisë dhe Matematikës. 10 prej pyetjeve do të jenë me përgjigje alternative, ndërsa 10 të tjerat do të jenë me shtjellim. Kërkesat me alternativa do të përmbajnë nga 1 pikë secila dhe pyetjet me zhvillim do të ekuivalentohen me 30 pikë, çka nënkupton se testi në total do të përmbajë plot 40 pikë.


Më 30 qershor, maturantët do t’i japin fund njëherë e mirë ankthit të testeve të këtij viti, sepse pikërisht në këtë datë ato do të mbyllin fazën e provimeve të Maturës Shtetërore 2010. Specialistët e AVA-s edhe për këtë provim të fundit do të ndjekin të njëjtat procedura si në provimet e detyruara. Sipas rregullores së Maturës 2010, specialistët duhet të përgatisin një fond pyetjesh për secilën nga tetë lëndët e përcaktuara në formularin A1. Disa prej tyre janë: fizika, njohuri për shoqërinë, kimia, ekonomia, filozofi, biologjia, si dhe gjuhët e huaja. “Kërkesat e nxënësve kanë qenë të ndryshme për secilin në veçanti. Tre nga lëndët më të preferuara nga maturantët janë: njohuri për shoqërinë, të cilën e kanë përzgjedhur plot 29 mijë nxënës, historia me 7 mijë, ndërsa spanjishtja është kërkuar nga 6 mijë vetë, pohoi Vejsiu. MASH ka dërguar tashmë zyrtarisht në AVA programet orientuese, mbi bazën e të cilave do të përgatiten edhe pyetjet e testit. Specialistët do të hartojnë fondin e kërkesave të testeve, bazuar në matricën e specifikimeve, të hartuar nga specialisti lëndor. Ky fond është sa njëzetfishti i kërkesave që do të përmbajë testi. Testet e provimeve me zgjedhje do të kenë një strukturë të ndryshme nga provimet e detyruara të maturës. Ato do të zgjasin plot katër orë, ku për secilën tezë provimi nxënësi ka në dispozicion dy orë kohë. Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet në programet e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të edukimit fizik në universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, si dhe në programin e studimit të edukimit fizik në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan mund të konkurrojnë në këto universitete dhe institute pa qenë të detyruar të japin provimet me zgjedhje. Megjithatë, ato janë të detyruar të plotësojnë formularët përkatës sipas rastit.


Të gjithë maturantët që do të mund të kalojnë provimet e Maturës Shtetërore, në mes të muajit korrik do të plotësojnë formularin A2, i cili është mjaft i rëndësishëm. Kjo për shkak se nëpërmjet tij, të rinjtë do të kenë mundësi të rendisin degët në të cilat dëshirojnë të studiojnë sipas parimit meritë-preferencë. Formulari A2 do të jetë i njëjtë edhe për këtë vit. Ai do të plotësohet vetëm pasi nxënësi të marrë rezultatet e provimeve me zgjedhje.








#