Pas shqetësimit të mësuesve të gjimnazeve për tekstet alternative të letërsisë, AVA publikon librat që do të përdoren për konsultime. Mësuese Majlinda ngre shqetësimin se "programi i pyetjeve nuk është mbështetur në tekstin alternativ që punohet në shkollën e saj". Në faqen e internetit të MASH-it ajo shkruan: "Në shkollën tonë përdoret libri ‘Letërsi dhe gjuhë shqipe 12‘ nga shtëpia botuese ALBAS, ku një prej autorëve është Sabri Hamiti. Mua si mësuese e maturës më shqetëson programi i pyetjeve të provimit, i cili nuk është mbështetur në këtë tekst, pasi tjetër fragment komenti ka libri dhe tjetër kërkohet nga programi i pyetjeve të provimit".

Nisur nga shqetësimi i mësuesve të lëndës, Qendra e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve, këtë vit, ka shtuar numrin e teksteve me të cilët duhet të punojnë maturantët për t‘u përgatitur në provim. Sipas kësaj qendre, në hartimin e testeve të provimit do të merren parasysh këto tekste: Letërsia IX, botim i vitit 2004-2005, i shtëpisë botuese SHBLSH E RE.



Pra të gjithë maturantët që nuk e kanë këtë libër duhet ta sigurojnë, sepse pyetjet e provimit që bien nga viti i parë i gjimnazit do të shkëputen nga ky tekst. Letërsia dhe Gjuha Shqipe X ka dy tekste alternative. Ndaj nxënësit duhet t‘i kenë të dy, atë të shtëpisë botuese SHBLSH E RE dhe atë të ALBAS. Qendra e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA) sqaron se "fragmenti i përzgjedhur në test duhet të gjendet detyrimisht në njërin nga këto tekste". Për sa i përket letërsisë së vitit të tretë, rekomandohet të punohet me "Gjuha dhe letërsi shqipe 3" i SHBLSH E RE. Ndërsa për klasën XII, materialet letrare që do të vihen në test do të merren nga "Letërsia dhe gjuha shqipe 12", të shtëpisë botuese ALBAS dhe shtëpia botuese PEGI. AVA saktëson se "fragmenti përzgjedhur duhet të gjendet detyrimisht në të dyja tekstet".



AVA merr këtë masë, pasi një vit më parë, ashtu siç u bë publik në media, nxënësve u ranë në provim fragmente letrare që nuk i kishin bërë asnjëherë në mësim. Kjo si pasojë se shkollat mësojnë me tekste alternative. Pra me libra të shtëpive botuese të ndryshme, të cilat për të ilustruar mësimin mbi një autor shkëpusim fragmente të ndryshme nga vepra e shkrimtarit. Kjo anomali këtë vit është korrigjuar, duke rritur volumin e mësimeve për nxënësit. Ata gjatë orëve të konsultimeve bashkë me mësuesit duhet të analizojnë të gjitha fragmentet letrare të teksteve alternative të katër viteve të shkollës së mesme. E njëjta gjë është edhe për gjuhën shqipe. Pasi këtë vit jepet provim mature edhe kjo lëndë.





Lista e librave







"Letërsia IX", botues SHBLSH E RE, viti 2004-2005



"Gjuha dhe Letërsia Shqipe X", botues SHBLSH E RE dhe ALBAS



"Gjuha dhe letërsi shqipe 3", botues SHBLSH E RE



"Letërsia dhe gjuha shqipe 12", botues ALBAS dhe PEGI.