18/02/2005  Dështimi i ekonomisë së centralizuar në kampin komunist pothuaj konsolidoi edhe në Shqipëri opinionin se kapitalizmi dhe ekonomia e tregut të lirë janë sistemet më efiçente për gjenerimin e pasurisë dhe prosperitetit ekonomik. Praktikat, nga euforia e fillimit të viteve ‚90-të e deri te zhgënjimet e sotme, kanë ngritur mjaft pikëpyetje në këtë drejtim. A është vallë kultura dhe historia e vendeve ish-komuniste dhe atyre në zhvillim që pengon në njëfarë mënyre zhvillimin e kapitalizmit? Apo ndoshta njerëzve në këto vende u mungon pasuria intelektuale dhe materiale që të iniciojnë bizneset e tyre? Çfarë mund të thuhet në këtë pikë për Shqipërinë post-komuniste?


Në fillim të viteve 2000, Co-PLAN llogariti që vetëm në Bashkinë e Kamzës (95% e të cilës është ndërtuar në mënyrë informale pas vitit 1990), komunitetet lokale kanë investuar gjatë një dekade të paktën 100 milionë US$ në ndërtime për qëllime strehimi, biznesi dhe infrastrukturë bazë, ndërkohë që investimet publike në mjaft raste kanë munguar totalisht, ose në rastin më të mirë nuk e kanë kaluar vlerën 100,000 US$/vit. Akoma më tej, afërsisht 6-7 nga 10 objekte të ndërtuara pas vitit 1990 në Shqipëri janë ndërtuar në mënyrë ilegale/informale. Tashmë është e qartë se sektori informal në vend përbën një aktor të painjorueshëm, madje duke përfshirë edhe sfera si biznesi i vogël, transporti, tregtia, shërbimet e ndryshme etj.


Me pak fjalë, mund të themi pa frikë se Shqipëria aktualisht është përfshirë nga një ’revolucion’ masiv social dhe ekonomik i ngjashëm me Revolucionin Industrial që ndodhi në perëndim dy shekuj më parë, duke i dhënë shkas lindjes së vetë kapitalizmit. Gjatë dekadës së fundit, të paktën një e treta e popullsisë së vendit, e cila ka jetuar në terrene të veshtira malore, e ka abandonuar mënyrën tradicionale të jetesës për t’u shpërngulur nga zonat e izoluara rurale drejt qendrave të mëdha urbane, dhe ekonomive me globale të ndarjes dhe zgjerimit të tregjeve të punës, të cilat u parashikuan nga Adam Smith dhe Karl Marks shekuj më parë. Popullsia e Tiranës tashmë është 3-fishuar, Durrësi është 2-fishuar, Kamza dhe Fushë-Kruja janë 10-fishuar, bregdeti shqiptar po përjeton sot një bum demografik, e kështu me radhë. Në mënyrë të ngjashme, gjatë dyzet vjetëve të fundit 4 bilionë njerëz nga vendet ish-komuniste dhe në zhvillim janë zhvendosur nga fshatrat drejt qyteteve. Këta qindra-mijëra, madje miliona, njerëz të sapoardhur, që gëlojnë në periferitë e qyteteve të mëdha, janë aktorët më të rinj në skenën kombëtare dhe globale të ekonomisë. Jo rastësisht ekonomia informale në Rusi dhe Ukrainë sot okupon 50% të GDP-së. Tregu i zi në Gjeorgji gjeneron rreth 62% të të ardhurave kombëtare. Vetë Organizata Botërore e Punës (ILO) raporton se 85% e gjithë vendeve të reja të punës në Amerikën Latine dhe Karaibe pas vitit 1990 krijohen nga sektori informal/ekstraligjor. Në mjaft vende të Afrikës vetëm 10% e fuqisë punëtore është e punësuar në mënyrë të ligjshme.


Edhe pse migrantët e rinj të postkomunizmit jetojnë në qytete fantazma dhe janë tmerrësisht të varfër, nëse krahasohen me standardet perëndimore, ata në fakt nuk janë ’proletarë’ dhe nuk janë pa asete. Madje eksperiencat botërore, të ngjajshme me atë të Shqipërisë aktuale, dëshmojnë se ata përfaqësojnë një klasë të re të ’sipërmarrësve’ që po krijohet mbi bazën e një sistemi pronësie tërësisht informal. Ashtu si në Shqipëri, në shumë qytete të botës në zhvillim, rregullat që përcaktojnë se kush ka në pronësi një objekt të caktuar ndryshojnë nga lagja në lagje, dhe nga rrugica në rrugicë. Të drejtat e pronësisë në këto zona shpesh rrjedhin nga logjika ekstreme tradicionale dhe fetare, madje mund të trashëgohen edhe nga sisteme mjaft primitive e gati mesjetare që u ka kaluar tërësisht koha. Sidoqoftë, këta ’sipërmarrës’ të heshtur që zotërojnë ’assete ekstraligjore’, të cilat përllogariten me shifra tronditëse dhe madje tejkalojnë shumë herë ndihmat e huaja multi dhe bilaterale dhënë vendit tonë, për hir të vërtetës nuk duan të jetojnë jashtë ligjit. Prova për këtë është fakti që edhe pse janë të detyruar të operojnë jashtë sistemit ligjor, këta njerëz kanë krijuar tashmë ’ligjet’ e tyre ekstra, të cilat nuk janë aspak rregulla tribale-feudale sesa elemente fillestare të mirëfilltë të ekonomisë së tregut që po ravijëzohet. Për këta njerëz ekonomia e tregut dhe kapitali nuk janë ’paragjykime borgjeze’ apo ’koncepte jashtë-tokësore’, por qëllime dhe objektiva, për të cilat ata sfiliten çdo ditë me ambicien për t’i realizuar.


Nga ana tjetër, në mjaft vende, përfshi edhe Shqipërinë, procedurat për të siguruar pronësinë zyrtare ligjore të një ndërtesë apo të një biznesi shpesh janë mjaft të gjata, të kushtueshme, përjashtuese, burokratike, të korruptuara dhe tepër të komplikuara, duke kontribuar me shumë për zgjerimin e sektorit informal sesa për minimizimin e tij. Pikërisht këtu qëndron problemi më thelbësor. Në vend që t’i ndihmojë njerëzit, ashtu siç është aktualisht ligji, i përjashton ata! Është saktësisht ky kurth ligjor që prodhon ndjenjën e vetëpërjashtimit për mjaft njerëz të thjeshtë, të cilët çdo ditë përfundojnë në logjikën e informalitetit dhe të një ’klase sociale’ të dorës së dytë. Kjo ndodh sepse nga vendimmarrësit ende nuk po kuptohet që sistemi/legjislacioni për evidentimin e pasurive të paluajtshme dhe bizneseve janë esenciale për zhvillimin dhe prosperitetin e një vendi. Akoma më keq nuk po kuptohet se koncepti i pasurisë së paluajtshme nuk ka të bëjë thjesht me pronësinë, por është ’arkitektura’ e fshehtë që përcakton fatin e ekonomisë së tregut në një vend. Pa sisteme dhe institucione profesionalisht ligjore për evidentimin e saktë dhe ligjor të pasurive të paluajtëshme dhe bizneseve, përpjekjet për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme të tregut janë të destinuara të dështojnë tërësisht.


Lidhja midis një sistemi zyrtar dhe të ligjshëm të pasurive të paluajtshme dhe krijimit të mirëqenies në një vend, bëhet edhe më esenciale për rastin e Shqipërisë po të kuptojmë së përveç posedimit fizik të shtëpive dhe bizneseve, një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk mund të gjenerojnë pasuri dhe mirëqenie, pasi asetet e tyre qëndrojnë tërësisht jashtë sistemeve ligjore, ose në rastin më të mirë janë regjistruar me shumë pasaktësi dhe deformime, duke krijuar probleme serioze për të ardhmen. Fatkeqësisht, pikërisht institucioni i regjistrimit të pasurive të paluajtshme – ai që duhet të garantojë funksionimin dhe suksesin e ekonomisë së tregut në Shqipëri – rrezikon të degjenerojë në një institucion malinj, politikisht të varur, dhe kryekëput kleptokratik, ndërsa për të ndryshuar gjendjen e tij tashmë nuk bëhet me fjalë për reformë, sesa për ta ringritur atë nga e para. Dikush mund të pyesë: pse ky qëndrim kaq radikal. Sepse pronësia nuk mund të jetë krejtësisht e pasigurtë siç është në Shqipëri! Sepse në këtë mënyrë nuk mund të verifikohen dot sistematikisht adresat dhe të mbildhen taksat! Edhe asetet nuk mund të përshkruhen sipas standardeve të biznesit! Njerëzit nuk mund të detyrohen të paguajnë borxhet! Autorët e vjedhjeve dhe humbjeve financiare nuk mund të identifikohen! Si rezultat, ndërtesat dhe toka nuk mund të përdoren për të garantuar kreditë dhe kontratat! Pronësia e një biznesi nuk mund të ndahet dhe të paraqitet në pjesë, të cilat mund të blihen nga investitorë të ndryshëm! Pa ligje dhe institucione për pasuritë e paluajtshme, kapitali në vetvete e ka të pamundur të rikrijojë mirëqenie dhe pasuri, pasi instrumentet që shërbejnë për të depozituar dhe transferuar vlerën janë të gjitha të përcaktuara nga arkitektura e marrëdhënieve ligjore, me të cilat një sistem pronësie është ndërtuar.


Pas një eksperience thuajse një dekade në Shqipëri, Co-PLAN Instituti për Zhvillimin e Habitatit ka arritur në mënyrë krejt të pavarur në konkluzione që rivërtetojnë edhe njëherë përgjigjen globale që i ka dhënë ekonomisti i mirënjohur peruan Hernando De Soto (përmes dy veprave të tij: Misteri i Kapitalit dhe Rruga Tjetër) pyetjes së shtruar në nëntitullin e këtij artikulli. De Soto e filloi nga supozimi se kapitalizmi është sistemi më i mirë për të garantuar mirëqenien. Më tej, ai studioi se si mund të bëhen kapitalizmi dhe ekonomia e tregut të lirë të mirëfunksionueshëm edhe në vendet ish-komuniste dhe ato në zhvillim. Për të testuar supozimin se njerëzit e varfër janë të varfër, sepse atyre u mungon pasuria materiale, De Soto dhe ekipi i tij (Instituti për Liri dhe Demokraci) ndërmorën gjatë viteve 90-të studime të thelluara në disa nga kryeqytetet kryesore të këtyre vendeve. Studimi përfshiu vlerësimin e vlerës së tregut për ndërtimet (dyqane, shtëpi, punishte, biznese etj.) në disa nga lagjet më të varfëra, duke analizuar materialet e ndërtimit të përdorura, krahasuar me çmimet e tyre aktuale të shitjes në treg.


Si rezultat i studimit, De Soto argumentoi se njerëzve më të ardhura të ulëta dhe të varfërve në vendet ish-komuniste dhe ato në zhvillim, në të vërtetë nuk u mungojnë aspak asetet. Në të kundërt, vlerësohet se kjo shtresë sociale zotëron më së paku rreth 10 trilionë US$ - ose pothuaj baraz me vlerën totale të të gjitha kompanive të listuara në bursat e shkëmbimit të stoqeve të 20 vendeve më të pasura të botës. Atëherë lind pyetja: pse aktualisht janë kaq të varfër njerëzit që banojnë në zonat e varfëra (psh., në lagjet me ndërtime të paligjshme) të vendeve në zhvillim, edhe pse ata posedojnë një pasuri të tillë pronash të patundshme? Përgjigjja është se kjo pasuri është efektivisht e ’vdekur’, pasi është e vështirë për poseduesit të kuptojnë vlerën e saj nëse do ta investonin atë në një biznes të ligjshëm. Këta të fundit, as nuk mund ta shesin dhe as nuk mund ta përdorin këtë lloj ’pasurie’ si siguri për të marrë kredi. Kjo ndodh për shkak se shumica e pasurisë së këtyre ’pronave të patundshme’ nuk është e njohur ligjërisht dhe e formalizuar.


Në përfundim, mund të themi se përgjigjja mbi fatin i zhvillimit të kapitalizmit për vendet në tranzicion (përfshi edhe Shqipërinë) varet tërësisht nga vetë qeveritë e këtyre vendeve. Këto të fundit duhet të marrin iniciativën për të konvertuar të drejtat e pronësisë nga gjendja informale në atë ligjore. Për më tepër, kjo gjë duhet shtrirë në mbarë territorin e vendit. Përvoja e vendeve më të zhvilluara në perëndim dëshmon se vetëm të drejtat e pronësisë së ligjshme janë grancia kryesore për zhvillimin e suksesshëm të kapitalizmit – sistemit ekonomik, të cilin e pranuam njëzëri në fillim të viteve 90-të. Si konkluzion, tre janë rekomandimet kryesore të Co-PLAN për Qeverinë shqiptare:


(Ri)ngritja e sistemeve zyrtare të evidentimit të pasurive të paluajtshme, gjë që i bën njerëzit dhe bizneset më të besueshëm, pasi adresat e tyre mund të verifikohen lehtësisht. Kjo gjë ndihmon për forcimin e besimit midis palëve që nuk njihen më parë – kusht ky i domosdoshëm për të ndërtuar marrëdhënie biznesi në kapitalizëm.


Njohja e plotë, ligjore dhe zyrtare e të drejtës së pronësisë, përfshi rehabilitimin dhe kompensimin e plotë të të shpronësuarve në mënyrë të dhunshme gjatë komunizmit. Kjo gjë e bën pasurinë e paluajtshme fleksibël. Të drejtat e formalizuara të pronësisë i mundësojnë asaj aftësinë për t’u ndarë në pjesë midis individëve – gjë që rezulton në më shumë fleksibilitet për të marrë kredi, për të investuar, apo për të ndarë rriskun.


Dhënia e titujve të pronësisë së ligjshme sektorit informal/ekstraligjor të strehimit, biznesit dhe pronësisë, përmes procesit të legalizimit me kushte dhe rregulla loje, gjë që do të sigurojë mënyra të besueshme për të vërtetuar pasuritë e të tjerëve – dhe i jep ekonomisë një hov të paparë për shkak të vënies në lëvizje të kapitaleve të ’vdekura’ të cilat mund të ’ngjallen’ vetëm përmes një procesi ligjor formalizimi.