Psikologu dhe punonjësi social tani janë pjesë e strukturës së punonjësve në spitale. Fillimisht, nismën për të shtuar këta specialistë e ka marrë qendra spitalore universitare "Nënë Tereza", ndërsa sipas mundësive do të shihet për t‘i përfshirë në punë edhe në spitale të tjera. Për shërbimet kryesore të këtij spitali, në mënyrë të veçantë për psikiatrinë, pediatrinë onkologjikun, hepatologjinë, një punonjës i tillë është më shumë se i nevojshëm. Kërkesa për përfshirjen e tij në shërbimet spitalore është bërë nga drejtoria e spitalit dy vjet më parë.

Psikologu i parë u punësua pranë shërbimit të psikiatrisë. Shefi i këtij shërbimi kërkoi një specialist të tillë, pasi në këtë shërbim drejtohen edhe ata pacientë që vuajnë nga shkalla e lehtë e depresionit apo sëmundje të tjera të gradës të parë. Të gjitha këto mund të trajtohen dhe kurohen nëpërmjet terapisë me psikologun apo punonjësin social.

Psikologu në spital

Për të gjithë ata qytetarë që u duket luks prania e një specialisti të fushave sociale në spital, mes të gjitha mungesave, psikologu është më shumë se i nevojshëm në mjekësi.

"Punonjësi social në spital ka një rol të rëndësishëm, puna që mund të zhvillojë një specialist i tillë është e gjerë, e megjithatë, ndër më të rëndësishmet po përmendim rolin e tij për të bërë komunikime mes pacientëve dhe prindërve", thotë punonjësja sociale, Belinda Guga. Sipas saj, një punonjës arrin të gjejë mënyrën më të mirë për t‘i komunikuar prindërve një lajm jo të mirë. Mjeku zakonisht është i drejtpërdrejtë, ndërsa psikologu është i specializuar për të gjetur një mënyrë më të përshtatshme.

Veç kësaj, një tjetër punë që mund të lehtësojë pacientin janë edhe terapitë që bën ky specialist.

Mjekimi dhe terapia

"Një punonjës social mund të bëjë terapi individuale, por edhe terapi në grup. Mund të formojë një grup me pacientë, apo të afërm që kanë të njëjtat probleme. Mund të krijojë kështu një lehtësim për ata, duke sjellë një komunikim me problemet e gjithsecilit", sqaron më tej Guga. Sipas saj, mjekët janë mësuar të flasin me terma mjekësorë, të cilat shpeshherë nuk mund të kuptohen nga një pjesë e mirë e popullatës. Të gjitha këto shpjegime mund të jepen më thjeshtë nga psikologu. Një specialist i shkencave sociale mund të bëjë një raport psiko-social. Veç problemeve të shëndetit, mund të ndihmojë me analizë, duke marrë në shqyrtim problemet ekonomike, me higjienën, me mirëmbajtjen, në rastin e fëmijëve, këto probleme ndikojnë në rritje. "Një pacient, veç sëmundjes, mund të ketë edhe probleme mendore. Duke qenë pjesë e stafit edhe një psikologe, këto sëmundje nuk luftohen vetëm me mjekim, por edhe me terapi, duke sjellë kështu një trajtim më jetëgjatë dhe më cilësor", thekson punonjësja sociale. "Për herë të parë është vendosur në spital shërbimi Psiko-Social dhe është futur prania e psikologut në çdo shërbim", sqaron zyrtarisht QSUT-ja. Sipas zërit zyrtar, një arritje tjetër e këtij spitali është edhe numri i telefonit për të denoncuar rastet e korrupsionit. "Është vënë në dispozicion të pacientëve një numër telefoni 349 233, për të denoncuar rastet e korrupsionit apo të moskorrektesës nga ana e personalit mjekësor, ndaj pacientëve". Po ashtu te "Nënë Tereza" janë vendosur kuti për denoncimin nga pacientët të rasteve korruptive nga ana e mjekëve.

Çdo ditë, apo pak më rrallë, edhe stafi mjekësor ka nevojë për "ndihmë"


Terapi, edhe për mjekët


Terapia dhe këshillat e një personi që të dëgjon në raste nervozizmi në rastet kur ndihemi të paqartë apo problematikë me veten dhe të tjerët na nevojitet të gjithëve. Por veç pacientëve në spital, një lloj trajtimi e kanë të nevojshëm edhe mjekët, infermierët apo e gjithë "trupa" mjekësore. Sipas punonjësve socialë, për stafin është e nevojshme që të bëhen mbledhje në grup. Punonjësit e Shëndetësisë kanë probleme personale, ngarkesë të madhe emocionale në punë. Ata mund të bëjnë terapi në mëngjes në një hapësirë pushimi. Mund të kryejnë këshillim individual ose në grup.