U bënë publike dje, pas 11 ditësh, rezultatet e 3 mijë maturantëve që nuk gjenin emrat në listat e notave të provimeve me zgjedhje.

Kjo është konfirmuar nga drejtoritë e shkollave të mesme dhe nga vetë maturantët e përfshirë në këtë problem.

Listat e dyta të rezultateve të testeve me zgjedhje nuk u publikuan në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, siç ka ndodhur zakonisht me zbardhjen e notave të provimeve të tjera.

Kësaj radhe, emrat, atësitë, mbiemrat dhe notat përkatëse të maturantëve, të munguar në listat e para, janë postuar në drejtoritë e shkollave të mesme.

Fill pas kësaj janë njoftuar nxënësit, të cilët pasi kanë dalluar kodin e tyre, kanë mësuar edhe notat me të cilat ishin vlerësuar në lëndët që ata kishin përzgjedhur me dëshirën e tyre.

Ndryshe nga përvojat e provimeve të tjera të maturës shtetërore, procesi i korrigjimit dhe i afishimit të notave të testeve me zgjedhje nuk ka qenë aq i suksesshëm.

Edhe pse kaluan plot 11 ditë që nga publikimi i këtij problemi që shkaktoi ankth dhe shqetësim te maturantët, instancat përgjegjëse nuk dhanë asnjë deklaratë publike apo reagim në lidhje me problemin dhe mënyrën e zgjidhjes, penalizimet për përgjegjësit dhe detaje të tjera teknike.

Sipas maturantëve, kjo çështje ka mbetur në heshtje, pasi prek drejtpërdrejt seriozitetin e procesit të maturës shtetërore 2010.