Projekti do te shtrihet edhe ne zonat rurale ku fenomeni eshte me i perhapur


Rreth 300 femijeve qe iu rikthyen bankave te shkolles kete vit, do t'i shtohen edhe 650 femije te tjere qe kryejne pune te zeze. Ne kete kategori do te hyjne vogelushet qe lypin, shitesit ambulatore qe braktisin shkollen, si dhe femije te tjere te rruges. Projekti eshte detajuar dje gjate takimit te ministrit te Punes, Anastas Duro me perfaqesues te ILO-s ne Shqiperi. "Kete muaj fillon faza e dyte, e cila do te shtrihet ne pese rajone, ku edhe problemi i punes se femijeve eshte me i perhapur. Parashikohet qe gjate fazes se dyte te asistohen mbi 650 femije, nga rreth 300 ne fazen e pare, te cilet do te mbrohen nga puna, duke u asistuar qe t'i kthehen arsimit", eshte shprehur Duro. Sipas tij, per here te pare parashikohet qe projekti te shtrihet edhe ne zonat rurale, pra ne sektorin e bujqesise, ku fenomeni i punesimit te femijeve eshte me i perhapur dhe ku femijet rrezikohen jo vetem nga shfrytezimi ne pune te renda, por edhe nga braktisja e shkolles, trafikimi dhe abuzimi, etj. Etleva Vertopi, perfaqesuese e zyres se programit ILO-IPEC ne Shqiperi, theksoi se fenomeni i punes se femijeve eshte nje fenomen mjaft shqetesues jo vetem per shoqerite dhe qeverite e vendeve ne zhvillim, si Shqiperia, por edhe ato te vendeve te zhvilluara. "Shqiperia eshte prekur vone nga ky fenomen, por megjithese nje fenomen i ri, per fat te keq, eshte perhapur si gjeografikisht ashtu edhe ne fusha te ndryshme te ekonomise", u shpreh Vertopi. Ajo vijoi se ky eshte fenomen qe mund te vihet nen kontroll. Kete e tregon edhe ngritja e Njesise per Mbrojtjen e Femijeve nga Puna, prane Ministrise se Punes. Kjo eshte vleresuar si nje arritje ne krahasim me vendet e tjera dhe eshte konsideruar si mase pozitive e marre nga qeveria, qofte nga raportet e OKB, ashtu edhe ato te BE.


Deri tani jane larguar nga rruga rreth 300 femije, qe i jane rikthyer shkolles, nepermjet projektit per identifikimin, shkeputjen nga puna dhe me pas riintegrimin e tyre. Sipas statistikave, rreth 10 per qind e femijeve te moshes 6-14 vjecare shfrytezohen ekonomikisht.