Aplikimi dhe intervista, momentet dhe aktet më të rëndësishme. Oferta kanadeze nuk ka të përbashkëta me Lotarinë Amerikane


Për të emigruar në Kanada duhet të marrësh një minimale prej 70 pikësh, të cilat

bazohen në faktorë të tillë si: mosha, aftësia në anglisht ose frëngjisht, niveli i arsimit, profesioni dhe vjetërsia në atë profesion. Pasi arrin kuotën prej 70 pikësh procesi zgjat zakonisht 12-13 muaj. Për këtë proces paguhet money-order processing fee në shumën prej 500 dollarësh kanadezë në fillim dhe pas intervistës me një oficer emigracioni kanadez, në qofte se ju aprovojnë, paguani dhe 975 dollarë të tjerë për Landed Immigrant dokument. Në qoftë se për çfarëdo arsye nuk aprovoheni, pagesa e parë prej 500 dollarësh nuk kthehet, ndërsa tjetra (në qoftë se do ta paguani që në fillim) ju kthehet. Oficeri i emigracionit është i vetmi person në të gjithë këtë proces i cili vendos nëse do t'ju jepet dokumenti i përhershëm. Ai këtë e vendos duke u nisur para së gjithash në llogaritjen e pikëve që ju merrni në bazë të të dhënave që keni dërguar në ambasadë. Arsyeja tjetër është se oficeri ka të drejtë t'ju japë apo t'ju heqë 10 pikë për SUITABILITY (përshtatshmëri). Ai këtë vendim e merr duke parë aftësitë tuaja për t’u adaptuar me jetën kanadeze dhe njohuritë tuaja në anglisht dhe planet tuaja se çfarë keni ndër mend të bëni në Kanada.

Filtrimi

Është e nevojshme të theksohet që me kriteret në fuqi janë të favorizuar ata që kanë diplomime universitare si inxhinierët, ekonomistët, përkthyesit, specialistë të bujqësisë dhe blegtorisë, shkencave sociale dhe natyrore, studiues të fushave të ndryshme etj., të cilët kanë të paktën një vit eksperiencë pune në fushën për të cilën janë diplomuar dhe janë të moshave 21-44 vjeç. Procesi i aplikimit kalon nëpërmjet një ambasade kanadeze. Është e drejtë e gjithsecilit të aplikojë atje ku ai dëshiron. Një pjesë e mirë e aplikantëve nga Shqipëria kanë zgjedhur si Ambasadë atë në Romë, e cila i interviston aplikantët në Tiranë. Por jo pak janë ata që kanë aplikuar nëpërmjet Ambasadës Kanadeze në Varshavë, Ankara, Bukuresht e gjetkë. Aplikimi kalon nëpër disa faza, por më e rëndësishmja është intervista, në të cilën merret edhe vendimi për kualifikimin apo jo të kërkesës së aplikantit. Intervista zhvillohet në Ambasadën Kanadeze midis një oficeri të imigracionit kanadez dhe aplikantit. Pas përfundimit me sukses të saj duhet që aplikanti të kryejë një kontroll mjekësor nga një mjek i njohur prej qeverisë kanadeze. Në Shqipëri është një i tillë. Ky kontroll duhet të bindë ambasadën se personi në fjalë dhe anëtarët e familjes së tij nuk paraqesin problem për shëndetin publik kanadez me gjendjen e tyre shëndetësore. Disa ambasada, pas marrjes së rezultatit të analizave mjekësore i kërkojnë aplikantit të transferojë fonde të mjaftueshme monetare në një llogari bankare në Kanada të hapur në emër të tij. Nga ana tjetër, që ambasada të marrë vendimin përfundimtar, pra lëshimin e vizës, duhet që edhe Ministria e Brendshme Kanadeze të japë miratimin e saj pas shqyrtimit që ajo i bën të dhënave personale të aplikantit.

Intervistat

Të gjitha kërkesat për emigracion, të cilat i takojnë njërës dhe të njëjtës klasë emigrantësh (independent immigrants, family class, refugee claimants etj.), janë të programuara për intervista strikte sipas radhës së regjistrimit të tyre (on a “first – come”, “first served” basis). Megjithatë, ky rregull aplikohet veçmas në nivelin e çdo konsullate dhe jo në nivelin e sistemit në përgjithësi. Për këtë gjë, dy kandidatë, të cilët kanë vendosur kërkesën e tyre në të njëjtën ditë, por në konsullata kanadeze të ndryshme, në më të shumtën e rasteve, do të programohen për intervista në data të ndryshme, në varësi të ritmit të punës së çdo njërës prej dy konsullatave. Në kuadrin e çdo njërës prej tyre radha aplikohet strikte dhe asnjeri, qoftë ai avokat apo funksionar i ambasadës, nuk do të mund të “rregullojë” dosjen e ndonjë kandidati në mënyrë që të “kalojë radhën“ mbi të tjerët.



BOX

Faktorët që merren parasysh gjatë shqyrtimit të aplikimit



1) Mosha (min. 21 vjeç, deri në 44 vjeç aplikanti

përfiton maksimumin e pikëve);

2) shkollimi (vitet e shkollimit dhe diplomimi përkatës);

3) shanset për punësim (për këtë ekziston një listë

profesionesh të parapëlqyera);

4) faktori trajnimit për profesionin në të cilin aplikohet;

5) punësim i garantuar (kur aplikanti ka një kontratë pune pa ardhur në Kanada);

6) aftësitë gjuhësore (në anglisht ose frëngjisht);

7) faktori demografik (nevojat e Kanadasë në një

moment të caktuar për emigrantë);

8) të afërm në Kanada (vëlla, motër, prindër, gjyshër, dajë, teze, xhajë, hallë, nipër);

9) faktori përshtatshmëri (vlerësimi që aplikantit i jepet në fund të intervistës nga oficeri i imigracionit me të cilin shprehen shanset që ky aplikant ka për t'ju përshtatur në

mënyrë të suksesshme nga ana profesionale).







Këshilla për të ardhurit e rinj në Kanada





1) Para se të firmosni letra për probleme emigracioni mund të shkoni në Community Action Center (CAC), për një konsultim falas për të kuptuar të drejtat dhe detyrimet tuaja në lidhje me emigracionin në Kanada.



2) Duhet të keni kujdes sepse shpeshherë ndodh që persona jo të autorizuar, ose që mendojnë vetëm paratë që do të marrin prej jush, ju këshillojnë keq. Kjo ndikon në kohëzgjatjen pambarim të procedurave me emigracionin.



3) Çdo problem e ka një zgjidhje, por duhet ditur që në fillim se si mund të zgjidhet ai, prandaj konsultimi i parë është shumë i rëndësishëm.



4) Para se të paguani një person, sigurohuni se ai është në gjendje të zgjidhë me të vërtetë problemin tuaj.



5) Para se të vendosni se kush do të merret me problemin tuaj, sigurohuni që ai nuk ka reputacion të keq me emigracionin.



6) Duhet patur parasysh se nuk mund të ndihmohet një shqiptar nëse nuk dihet mirë historia dhe situata aktuale e vendit nga ai vjen.





14 Maj 2008