Në kuadër të aktiviteteve të javës së dhurimit vullnetar të gjakut, e organizuar nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut me moton “Dhuro gjak- shpëto jetë”, gjatë ditës së martë, i janë përgjigjur vetëm 16 persona, ndër ta edhe një qytetar kanadez.



Me këtë rast, Ardian Lulaj, menaxher në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, tha se edhe

pse është një mot shumë i nxehtë është duke u paraqitur një numër i mirë i qytetarëve vullnetar.



Ai theksoi se QTGJ-ja vazhdimisht ka nevojë për gjak, sidomos gjatë stinës së verës kur përfundon edhe procesi mësimor.



“Vazhdimisht ka nevojë, e vazhdimisht kemi kërkesa, sidomos në kohën e verës, këta tre muaj kur nxënësit e shkollave të mesme, maturantët e kanë ndërprerë procesin mësimor kemi probleme, kemi mungesë të gjakut. Mirëpo duhet ta përmend se prej këtij viti e kemi bërë një kërkesë në Bashkësinë Islame, të kryetari z. Naim Tërnava dhe na ka mundësuar që t’i vizitojmë xhamitë në gjithë Republikën e Kosovës dmth. pas namazit të xhumasë, dhe se të gjithë ata besimtarë që dëshirojnë me dhënë gjak, kanë mundësi me dhënë”, ka thënë Lulaj.



Lulaj, tha se në javët në vazhdim do t’i bashkërendojnë aktivitetet e tyre edhe me FSK-në dhe Policinë e Kosovës. Ndërkohë që kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës shpalljen e një konkursi për teknik medicional në Kabinetin e Transfuzionit të Gjakut në Ferizaj, i cili nuk funksionon vetëm për këtë shkak.



“Për fat të keq kabineti i transfuzionit në Ferizaj nuk funksionon për shkak të një tekniku ose një motre medicionale, dmth. për të gjitha nevojat tjera gjejnë mjete qeveritarët tanë, ndërsa për një personel mjekësor që nuk merr më shumë se 220-30 pagë mujore nuk lejojnë me u shpall një konkurs nga ana Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Lulaj.



Ndërkaq, qytetari Shaip Dibrani tha se ka dhënë rregullisht gjak dhe se në Qendrën e Transfuzionit e ka lënë numrin e telefonit të tij në rast se ata kanë nevojë për dhurim të gjakut.



“Sot dola rastësisht dhe i pashë, nuk mujta me kalu pa dhënë gjak, është kënaqësi për mua kur po dëgjoj në televizione që po shërohen njerëzit, unë jam shumë i kënaqur”, është shprehur Dibrani.



Po ashtu edhe Shefqet Zogaj, qytetar nga Prishtina, ka thënë se dhënia e gjakut njeriut i ndihmon jashtëzakonisht shumë, e veçanërisht dhuruesit.



Ndryshe, java “Dhuro gjak-shpëto jetë”, do të vazhdojë me aktivitete të shumta nëpër të gjitha komunat e Kosovës deri më 19 qershor. /kosovapress/