Dëshira për të qenë elegantë, por pa përdorur sportin, sa po vjen edhe po rritet, në mënyrë të veçantë në radhët e vajzave të reja. Moda më e fundit, e cila po merr një përhapje të madhe, sidomos me ardhjen e stinës së pranverës, është dobësimi me anë të seancave të saunës, baltës me elektroda dhe masazheve kundër celulitit. Me shtimin e klientëve dhe bizneseve të qendrave estetike janë ulur edhe çmimet, prandaj dhe të tilla metoda "dembele" janë të pëlqyeshme nga femrat. Dobësimi me anë të baltës dhe elektrodave është një "gjimnastikë e rehatshme" e trupit, e cila duke çliruar energji arrin të shkrijë tepricat e yndyrës dhe të dobësojë vajzat me centimetra. Nëse në gjuhën e mjekësisë dobësimi matet me kilogram, në gjuhën e estetikës me baltë dhe elektroda, rënia në peshë e turpit matet me centimetra. Në muajin e fundit, mjekë fizioterapistë të shqetësuar nga fakti se të tilla metoda nuk përdoren siç duhet, kanë paraqitur ankesa dhe sugjerime lidhur me këto forma dobësimi. Këta specialistë kanë kërkuar nga Urdhri i Mjekut që të ngrihet zëri dhe të vendoset një strukturë kontrolluese për biznese të tilla, të cilat jo gjithmonë i përmbushin kriteret për të ofruar shërbim të kujdesshëm. Në më të shumtën e rasteve, në vendet evropiane qendrat e estetikës, të cilat ofrojnë shërbime dobësimi, kërkojnë më parë nga qytetari të kryejnë analizat për të parë nëse organizimi i tyre mund të përballojë elektrodat, nxehtësinë apo kushtet në të cilat do të operohet për të sjellë më pas rezultatin e dobësimit. Në rast se organizmi i qytetarit nuk arrin të përballojë këto metoda, atëherë ai nuk i nënshtrohet trajtimit. E kundërta ndodh në Shqipëri, të gjithë duan të dobësohen, shumica e vajzave nuk analizohen para se të nisin trajtimet, ndërsa këto trajtime kanë të nevojshme edhe dietat të cilat nuk janë të rekomanduara nga dietologu.



Dobësimi me anë të baltës, elektrodave, të cilat janë rryma intensive ose shumë intensive në organizëm, duhet të bëhen nga specialistë të mirëfilltë, të cilët të mos rrezikojnë qytetarët.



"Ashtu siç ndodh edhe në llixha, ku pacientët nuk pranohen pa një raport mjekësor, ashtu nuk duhet të pranohen edhe qytetarët në fitnes, qendra estetike, aty ku ofrohen shërbime me aparatura elektromjekësore, ultratinguj", shpjegon mjekja fizioterapiste, Haxhire Kanani. Sipas saj, para se qytetarët të ndjekin të tilla metoda duhet të marrin aprovimin nga mjeku fizioterapist, i cili duhet të jetë sugjeruesi nëse të tilla mënyra përmirësojnë gjendjen apo mund ta përkeqësojnë atë më shumë. "Disa qytetarë marrin shërbim nga aparaturat elektrike, pavarësisht gjendjes së enëve të gjakut dhe nëpërmjet veprimit të ngrohjes duhet pasur shumë kujdes, sepse mund të dëmtohen enët e gjakut në tru", sqaron mjekja. Për këtë duhet ndihma e specialistit, sepse mund të ketë indikacione, kontraindikacione, sidomos në zona delikate. Elektromasazhi është e vetmja metodë që nuk mund të sjellë probleme. Kemi dy lloje masazhesh, sportive dhe kurative. "Masazhet sportive bëhen më të forta më me intensitet, ato kurative janë më të buta, sepse mund të ketë kontraktura. Për shembull, në rastin e një paralize të fytyrës është masazhi përmirësues që mund të bëhet pas disa kohësh", thotë specialistja. Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Urdhrin e Mjekut duhet të gjejnë mënyrat për të kontrolluar këto qendra, specialistët që operojnë në të tilla qendra. Po ashtu duhet stimuluar ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe vendosja e një "edukate" kontrolli për të gjitha rastet.



Dietat, dobësimi me centimetra dhe të gjitha metodat të cilat për momentin duken efektive, mund të kenë pasoja në shëndetin e njeriut. Kontrolli nga specialisti dhe dobësimi në mënyrë të shëndetshme ndihmon edhe paraqitjen e mirë, njëkohësisht nuk dëmton edhe organizmin.





Masazhi





Masazhi nënkupton fërkimet e rregullta me duar ose lëvizjet e gjymtyrëve në pikat nervore të trupit për parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve dhe për forcimin e shëndetit.



Masazhi bëhet nën orientimin e teorisë së mjekësisë tradicionale kineze dhe në bazë të parimit të mjekimit sipas kushteve të posaçme dhe simptomave. Masazhi është një mënyrë e thjeshtë dhe praktike që nuk mbështetet te barnat. Ai ka shumë pak ndikime negative dhe ka efekte të mira kuruese. Masazhi aplikohet gjerësisht në mjekimin e sëmundjeve të ndryshme, si në mjekimin e sëmundjeve në rruazën e qafës, në mjekimin e tendosjes akute të muskujve të mesit, të hernies diskale, të plagosjes së indeve të buta, të nyjave e gjymtyrëve. Masazhi kërkon veprimet e rregullta të duarve dhe lëvizjet teknike të qëndrueshme, të fuqishme, të njëtrajtshme, të buta dhe të thella. Masazhi bëhet jo vetëm me duar, por edhe me këmbë, me pjesët e përparme të krahëve, ose me mjete të posaçme të masazhit. Nganjëherë përdoret pomadë për masazh, si vaji i ashes, vaji i rrolbës, vaji i susamit, pudra.