18/03/2005  Ngjarje jo e zakonshme në një fshat të Delvinës


SARANDË - Shpesh flitet për ngjarje të çuditshme me kafshë. Një e tillë, po ndodh në një nga fshatrat e Delvinës.


Në fshatin Varfaj, 5 km larg nga Delvina, një qengj po rritet pas një gomarice që prej dy muajsh. Qengji 60-ditor, pas ngordhjes së nënës së tij, dele, filloi që të pinte qumësht te gomarica e stanit, ndërsa ai ka hedhur shtat, më shumë se bashkëmoshatarët e tij dhe është bërë “gati për samar”, sikurse thonë me të qeshur banorët e zonës.


Sipas bariut, Ben Seidini, mësohet se pas ngordhjes së deles, e cila u godit nga një gur që ra nga mali në kullotë, qengji disa ditor e kishte të vështirë për të jetuar. Gjithçka ka nisur një ditë të ngrohtë me diell, kur gomarica ishte e shtrirë në një lëndinë me bar. Shelegu, siç e quajnë në gjuhën popullore, është afruar dhe ka pirë qumësht nga kafsha, e ndryshme nga delja, e cila e kishte sjellë në jetë, kujton bariu Ben Seidini.


Kjo skenë është parë më shumë çudi nga bariu, i cili kishte njoftuar disa banorë të afroheshin e të shihnin. Sipas bariut, edhe ata nuk u kishin besuar syve, kur kishin parë një skenë të tillë.


Qengji ka vazhduar të pijë qumësht, vetëm kur gomarica ishte i shtrirë, për 40 ditë. Gjatë këtij “rituali”, gomarica ulej vetë për të krijuar mundësinë qengjit të pinte qumështin e saj.


Tani që qengji është rritur mund të pijë qumësht sikur të ishte një kërriç i vogël dhe shkon pas gomaricës në kullotë, pa preferuar të rrijë me kopenë e deleve të stanit, ku janë edhe bagëtitë e tjera.


Ai ka hedhur një trup disa herë më të madh në krahasim me të tjerët dhe ngjan si një dash disa vjeçar i kullotur mirë.


Duke bërë shaka, barinjtë e tjerë i thonë pronarit që të përgatisë një samar, pasi nga trupi që ka qengji nuk e ka problem që të transportojë dru dhe ujë për në stanin që ndodhet vetëm 500 metra larg nga fshati, vijon shakaja e barinjve të tjerë.


Qumështi i gomaricës, ilaç për “kollën e mirë”


“Qengi i urtë pi dy nëna”, por edhe “qengji i urtë pi edhe një gomare”


Barinj të moshuar tregojnë se nuk kanë dëgjuar që një diçka e tillë të ketë ndodhur më parë dhe nuk është folur ndonjëherë që gomarica të dhurojë qumështin për një qengj.


Ata theksojnë se qumështi i gomarit është përdorur më parë si ilaç nga të parët për të shëruar një lloj sëmundjeje, që në gjuhën popullore quhet “kollë e mirë”.


Sipas tyre, tashmë duhet ndryshuar thënia popullore që, “qengi i urtë pi dy nëna”, me shprehjen “qengji i urtë pi edhe një gomare”.


Tregojnë të moshuarit


“Qengji që pi te gomarica, shenjë fatkeqësie për zonën”


Sipas banorëve më të vjetër të zonës, mësohet se ky fenomen, është shenjë jo e mirë, për bagëtinë dhe njerëzit.


Sipas gojëdhanave flitet për një fatkeqësi natyrore, që do të shoqërojë bagëtine dhe popullsinë e zonës së mësipërme, shprehen me shqetësim banorët e zonës.