25-08-2008 / Kostaq Xoxa

Citimi i pjesshëm i testamentit/Pjetri i Madh kishte nënshkruar në vitin 1724 në Moskë testamentin e tij prej 13 pikash. Ky dokument është botuar nga gazeta „L’echo Français“ (Jehona franceze), në 10 gusht 1892.
Që në pikën e parë vërehen prirjet ekspansioniste të Pietrit për ta bërë Rusinë perandorinë më të madhe të botës. Ai vetë përroin e bëri lumë. Porosia është që pasardhësit ta bëjnë lumin oqean! Në pikën e dytë nuk e ka për gjë që të shprehet si luftënxitës ndaj Europës dhe, konkretisht kjo mund të arrihet edhe përmes intrigash (pika 4). Në pikat tetë dhe dhjetë shfaqen ambiciet për zgjerimin nga Baltiku, në det të Zi e gjer në Gjirin Persik. Në të njëmbëdhjetën flet për kolonën e pestë në favor të Rusisë. Ç’është e varteta, njëra nga vendet që citon ia ka plotësuar dëshirën. Pika e dymbëdhjetë flet për ndarje të botës dhe, nëse vendet që propozohen ta mbështesin për këtë projekt nuk pranojnë, të futet grindja ndërmjet tyre. Në të trembëdhjetën jep porosinë e fundit: „Europa duhet shkatërruar“.
Le t’i citojmë pikat që zumë në gojë, njërën pas tjetrës:
*
1.Pjetri i Madh, duke zbuluar një përrua, e shndërroi atë në lumë; pasardhësit e tij duhet ta bëjnë një oqean të madh, që do të mbulojë të gjithë Europën.
2.Pasardhësit e tij duhet të jenë në gjendje lufte të përhershme me Europën dhe të përfitojnë nga çdo rast që të hapin luftë.
4.Të mbjellim grindjet në Poloni.
8.Të fitojmë pa reshtur troje drejt Veriut, drejt brigjeve Baltike dhe drejt Jugut, në drejtim të Detit të Zi.
10.T’u hapim luftë Turqisë dhe Persisë, me qëllim që t’i pushtojmë dhe të arrijmë në Gjirin Persik
11.Le të bëjmë Greqinë, Hungarinë, Poloninë...etj. një kolonë të pestë për Rusinë.
12.Pas vënies në dorë të Suedisë, të Persisë, të Polonisë, të Turqisë, Rusia duhet të merret vesh për pjesëtimin e botës me Francën dhe me Austrinë. Nëse këto të fundit refuzojnë, duhet t’i përplasim njërën me tjetrën, pastaj t’i shkatërrojmë.
13.Të gjitha këto janë të mundshme. Europa duhet shkatërruar.
Komunizmi nuk do të përhapej si vajët në lakra. . ./Publicisti dhe historiani i shquar, Nikola Baciu, bën këtë koment: “Ja se ç’duhet të lexojë çdo politikan para se të futet në studimin e Punëve të jashtme. Ja se çfarë duhet të dinte një kandidat për Shtëpinë e Bardhë, para se të bëhet njëri ndër instrumentet e fateve të njerëzimit. Në qoftë se Ruzvelti do të ishte paksa i paqartë për këto apo do t’i kishte njohuritë sipërfaqësore për këto probleme ai, duke i sjellë edhe njëherë në kujtësë, do të kuptonte më mirë se ç’kërkonte Stalini, me rastin e vizitës së Idenit në Moskë, në dhjetor të vitit 1941”. (Ideni ishte ministri i Jashtëm britanik në kohën e Luftës).
Stalini bëri një perandori të tërë të kuqe, me mbarimin e Luftës II Botërore. Thyerja dhe lëshimet e Ruzveltit, në kërkesën e Stalinit për krijimin e “Zonave të influencës” dhe lëshimet e njëpasnjëshme që i bëri Çërçilli Stalinit për hir të bashkëlidhjes me Ruzveltin, ia hapën shumë oreksin Stalinit, i cili shpëtoi nga katastrofa e Stalingradit vetëm nga kryespiuni i tij në Japoni, Sorge. Sjellja e 180 divizioneve nga lindja e largët, duke qenë Stalini i sigurt se japonezët nuk do të sulmonin në këtë rajon, ndërroi jo vetëm fatet e Rusisë, por edhe të të gjithë botës. Komunizmi do të ishte i falimentuar që atëherë dhe bota do të ishte demokratizuar që në atë kohë, pa informatat e Sorges që kishin të bënin me qëndrimin japonez në atë kohë. Kështu përroi i Pietrit të Madh u bë lumë; por edhe lumi i Stalinit arriti përmasat e një oqeani, që do të gllabëronte dynjanë, nëse komunizmi në shkallë botërore nuk do të falimentonte, për shkak të dështimit tërësor në kompeticionin ekonomik me botën e lirë.
Duhej respektuar përkushtimi i Kordell Hallit, sekretarit amerikan të punëve të Jashtme/Demokrati i sinqertë, kreu i diplomacisë amerikane, Kordell Halli, (Hull) u mënjanua nga Ruzvelti. Sepse sekretari amerikan për punët e Jashtme ishte i vendosur t’i kundërvihej presidentit, por edhe Çërçillit për Zonat e influencës, që binin ndesh me kriteret e Kartës së Atlantikut.
Anglezët ishin të prirur t’i pranonin marrëveshjet e fshehta dhe të nënshkruanin traktatet sekrete me Stalinin. Veçse, meqë amerikanët – më saktësisht Departamenti i Shtetit në personin e Kordell Hall-it – ishin kategorikisht kundër për çdo diskutim për këto çështje para përfundimit fitimtar të luftës, Ministria e Punëve të Jashtme britanike premtoi që ta paraqiste kërkesën e Stalinit para Qeverisë dhe të bënte trysni tek amerikanët.
Kjo ndodhi në janarin e vitit 1942, para betejës së Stalingradit, para konferencave të Teheranit dhe të Jaltës. Le të citojmë disa pasazhe nga “Kujtimet” e Kordell Hall-it, mjaft të qarta për këtë çështje:
“Njëri ndër shqetësimet e mia më të mëdha dhe telashi më i madh i presidentit gjatë gjysmës së parë të vitit 1942, ishin ambiciet tokësore të Rusisë në Europë ... dhe sidomos këmbëngulja Stalinit për të bindur aleatët perëndimorë për nevojën që të garantoheshin përparësitë ruse me shkrim dhe në mënyrë të menjëhershme.”. (Vëll 2 i “Kujtimeve”, f. 1165)”.
“Me qëllim që të kuptojmë më mirë gabimet e Ruzveltit për Ballkanin duhet që, qysh në fillim, të nënvizojmë faktin që Departamenti i Shtetit, si edhe një komision dypartish (formuar nga demokratë dhe republikanë), kishte formuluar një plan paqeje, të mbështetur në Kartën e Atlantikut, plan që përjashtonte çdo aneksim tokësor dhe zona të influencës”.
Kordell Hall-i ia kishte shprehur qartësisht vullnetin e tij Idenit, para vizitës për në Moskë, në një telegram, më 5 dhjetor 1941, drejtuar ambasadorit të tij §inant.
Duke kundërshtuar argumentet angleze në favor të nënshkrimit të marrëveshjeve që do të kishin të bënin me ndryshime tokësore dhe me vendosjen e zonave të influencës, Kordell Hall-i shpjegon në Kujtimet e tij (Vëll. 2, f. 1166):
“Për sa u përket problemeve që do të shtrohen pas luftës, ne kemi treguar se ato ishin përcaktuar qartësisht në Kartën e Atlantikut, që paraqet si pikëpamjen e Britanisë së Madhe, ashtu edhe atë të Bashkimit Sovjetik ( që e kishte nënshkruar këtë Kartë më vonë).”.
“Ne kishim arritur në përfundimin” – vazhdon Hall-i “ se do të ishte tragjike që njëra nga të tri qeveritë të shprehte dëshirën që të bënte marrëveshje individuale që të kenë të bëjnë me këto probleme”.
Halli ishte i shqetësuar për marrëveshjet e fshehta që filluan të bëheshin në dobi të Stalinit dhe bash se ishte kundër këtyre, Ruzvelti filloi ta mënjanonte dhe nuk e mbajti me vete as në konferencën e Jaltës, ndërsa e ndjente veten mirë në intimitetet me spiunin e rekrutuar nga Litvinovi, Ellxhër His. Ky ishte njëri ndër ata të kolonës së pestë në demokracinë euroatlantike, që ia referonte Stalinit gjithçka dëgjonte në bashkëbisedimet Ruzvelt-Çërçill.
Përse Departamenti i Shtetit ishte vënë në këtë siklet, në vizitën e Entoni Idenit në Moskë dhe përse kjo këmbëngulje për të kundërshtuar çdo marrëveshje të fshehtë ndërmjet atij dhe Stalinit?
“Sepse” shkruan Hall-i “ishte e qartë për të gjithë né se në Moskë Ideni do t’u nënshtrohej rivendikimeve tokësore specifike nga ana e rusëve. Stalini i kishte formuluar troç (kërkesat e tij), në bisedën e parë me Idenin. Në terma konkretë, kjo do të thoshte që Shtetet Baltike, - Estonia, Lituania, Letonia; pjesë të Finlandës, të Polonisë dhe të Rumanisë, - të përfshiheshin në trojet e Bashkimit Sovjetik ... Stalini kishte kërkuar qysh në vitin 1941 që kufiri polak të ndiqte vijën Kurzon (ish-vija Hitler-Stalin në vitin 1939)...”.
Sipas këshillës së Kordell Hall-it, Ideni (ministri i jashtëm anglez) nuk nënshkroi asnjë marrëveshje gjatë vizitës së tij të dytë në janarin e 1942-shit. Por ai i premtoi përsëri Stalinit që të diskutonte me qeverinë e tij dhe të bindte amerikanët.
(Vijon në numrin e nesërm)
...