Partia Socialiste vijon sulmet në adresë të Partisë Demokratike dhe qeverisë së dalë prej saj. Kryetari Edi Rama, në një konferencë për shtyp, ka akuzuar Kryeministrin se nuk po jep asnjë shenjë vullneti për të vënë, sipas tij, interesat e vendit mbi ato personale. Rama u shpreh se Shqipëria rrezikon përsëri statusin e vendit kandidat, nëse reforma zgjedhore nuk mbyllet përpara 24 majit.
Kryesocialisti bëri këtë deklaratë në formë presioni ndaj mazhorancës, një ditë pas përfundimit të mandatit të komisionit të posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore, në të cilin palët nuk arritën konsensus për çështje që lidhen me administrimin e zgjedhjeve dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.