Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për të drejtat e njeriut në Shqipëri për vitin 2013. Në këtë raport, DASH thekson se ndër problemet e tjera kryesore në Shqipëri gjatë vitit 2013 kanë qenë bllokimi i reformave, veçanërisht bllokimi i luftës kundër korrupsionit. Sipas raportit, korrupsioni në sistemin e drejtësisë vijon të jetë një problem shqetësues.
 
Në raportin e përvitshëm të DASH sa i takon gjendjes së të drejtave të njeriut në botë, thuhet se korrupsioni përbën shkeljen kryesorë të këtyre të drejtave në Shqipëri.
 
Sipas raportit të DASH, partitë politike në Shqipëri, e përqendruan vëmendjen në zgjedhjet e qershorit 2013.
 
Në raportin për vitin 2013 theksohet se korrupsioni ka qenë i përhapur në të gjitha pjesët e qeverisë, ndërsa thuhet se një tjetër problem është pandëshkueshmëria.
 
Raporti i DASH thotë se “përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer shkelje kanë qenë sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, si dhe gjykatësit dhe ata me interesa të fuqishme biznesi, shpesh i kanë shpëtuar drejtësisë. Disa zyrtarë më të vegjël janë ndëshkuar për shkelje”.
 
Shkelje të tjera serioze për Shqipërinë në fushën e të drejtave të njeriut, sipas raportit të DASH për 2013, janë dhuna në familje dhe diskriminimi i grave.

Redaksia Online
(e.s/e.sh/shqiptarja.com)