“Prodhimet ushqimore që bëhen në vend janë të bazuara kryesisht mbi lëndë të para që vijnë nga importi dhe që ndaj tyre mungon kontrolli i cilësisë”. Kjo gjë konstatohet në një raport të papublikuar të Ministrisë së Bujqësisë, nga ku del në pah se strukturat shtetërore nuk kanë ushtruar për shumë kohë kontrollin e duhur ndaj produkteve ushqimore dhe lëndëve të para për prodhimin e tyre në vend. Sipas raportit, e gjithë industria e sallamit punon vetëm me mish importi, të blerë kryesisht nga Brazili. Prodhimet e peshkut (peshku i importuar si lëndë e parë për industrinë përpunuese, por edhe si prodhim për treg), janë katërfishuar në vlerë në gjashtë vitet e fundit. Importe të konsiderueshme përbëjnë edhe pijet joalkoolike, përfshirë ujin mineral, por edhe birra, vera e pije të tjera alkoolike (55 milionë euro). Në prodhimet agrare dhe të industrisë ushqimore, volumin më të madh tregtar dhe vlerën më të lartë në importe e zënë drithërat dhe miellrat (mbi 100 milionë euro). Një vlerë shumë të lartë dhe të pajustifikueshme zë grupi i fruta-perimeve dhe industrisë së përpunimit të tyre, mbi 75 milionë euro të importuara në vitin 2008. Prodhimet me origjinë blegtorale, përfshirë mishin dhe prodhimet e bulmetit, arrijnë në 80 milionë euro ne vit. Po rritet edhe importi i kafshëve të gjalla për therje. Cigaret e duhani përbëjnë gjithashtu një vlerë shumë të lartë importi (55 milionë euro), pasi në vend është ndërprerë prej vitesh prodhimi i cigareve. Një ndikim tjetër në rritjen e importeve ka pasur edhe rrjeti i tregtisë së shitjes me pakicë, kryesisht supermarketet. Rrjetet ndërkombëtare të supermarketeve kanë rritur furnizimet me mallra të furnizuar direkt nga kanalet e tyre të marketingut me çmime të lira. Në këto supermarkete, zor të gjesh prodhime shqiptare, të freskëta ose të përpunuara. Importi i prodhimeve ushqimore favorizohet edhe nga niveli kryesisht i ulët i tarifave doganore të importit të ushqimoreve në përgjithësi dhe të disa prodhimeve kryesore të importit, për të cilat nuk zbatohet tarifa doganore (tarifa 0), ose ka tarifë shumë të ulët (2%). Në produktet më të rëndësishme me tarifë zero janë peshku dhe prodhimet e peshkut, vaji ushqimor e farërat vajore, birra etj. Në grupin e prodhimeve me tarifë 2% bëjnë pjesë prodhimet e drithërave, veçanërisht gruri, misri e ushqimi i përgatitur. Në grupin me 10% bëjnë pjesë prodhimet e fruta-perimeve, mishit, sallamit etj., ndërsa me 15% janë ujërat minerale dhe pijet freskuese, akulloret etj.











6 Korrik 2009